Sot (22 prill) në mesnatë mbaron fushata dhe nis heshtja zgjedhore për rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, të cilat do të mbahen të mërkurën më 24 prill.
Kjo fushatë është përcjellë me premtime të shumta, si dhe me akuza të ndërsjella nga kandidatët. Ata mbrëmë, së bashku me koalicionet nga të cilët përkrahen, kanë vazhduar takimet me qytetarët si dhe disa prej tyre kanë mbajtur tubime përmbyllëse.
Fronti Evropian me kandidatin e tyre për president Bujar Osmani, mbajti tubimin qendror në sheshin “Maqedonia” në Shkup. Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, nga ky tubim i porositi kundërshtarët politik që të kenë kujdes me fjalët dhe të përkushtohen për të ardhmen e vendit. Ahmeti tha se më 8 maj populli nuk del vetëm në zgjedhje, por del në referendum për të ardhmen.
“Le t’i matim fjalët mirë. Le ti matin fjalët e tyre mirë sepse ky vend e ka vendin në Evropë dhe në Evropë nuk mund të shkojmë të ndarë, por duhet të shkojmë të gjithë së bashku”, tha Ali Ahmeti.
Ndërsa kandidati për president Bujar Osmani tha se ende janë të freskëta ngjarjet e 27 prillit që ai i quajti si më të kobshmet në historinë e Maqedonisë. Ai theksoi se ato ngjarje ndodhën vetëm pse po zgjidhje Talat Xhaferi kryetar Kuvendi dhe vetëm pse ai ishte shqiptar.
Ndërsa opozita shqiptare sonte ka mbajtur tubimin përmbyllës në Shkup. Fjalime mbajtën kandidatët për deputetë nga ky koalicion, si dhe kandidati për president Arben Taravari.
Kryetari i LD-së Izet Mexhiti, tha se 24 prilli do të jetë data e fillimit të ndryshimit. Ndërsa Taravari nevoja për ndryshim është mjaft e madhe, ndërsa prezantoi edhe programin e tij si president.
“Shumë e madhe është nevoja për ndryshim. Jemi të vetëdijshëm çfarë detyre na pret, prandaj u bëmë bashkë. Jemi besatuar që shqiptarin ta bëjmë zot në vend të vend. Situatës së tanishme të shqiptarëve i ka ardhur fundi, pasi populli do të votojë numrin 6 dhe ndryshimin që vlen.
LSDM-ja dhe koalicioni “Për të ardhme Evropiane” ka vazhduar fushatën në Shkup me tubimin qendror në qendër. Dimitar Kovaçevski tha se gjatë 7 viteve derisa ka qeverisur LSDM-ja, vendi është përballuar me shumë kriza por ka arritur të dalë faqebardhë nga çdo sfidë ekonomike, shëndetësore dhe energjetike.
“Në 7 vitet e fundit u ballafaquam më shumë sfida. Luftuam me kriza, pandeminë, inflacionin, krizën energjetike, kishim ulje dhe ngritje por ajo që është më e rëndësishmja është se në asnjë moment nuk u dorëzuam dhe nuk u tërhoqëm. Në asnjë moment”, tha Dimitar Kovaçevski.
VMRO-DPMNE-ja nga Aerodromi pret thellimin e fitores kundër oponentit politik. Hristijan Mickoski tha se nga 5 parimet mbi të cilat do të qeverisë ai, prioritet do të ketë shteti i së drejtës dhe përgjegjësia para ligjit. Ai tha se LSDM-ja ka nëpërkëmbur krenarinë e popullit maqedonas.
“Jam i bindur se ajo e cila do të ndodh pas 8 majit është lirimi i Maqedonisë dhe unifikimi për 5 parimet kryesore dhe e para është respektimi dhe sundimi i ligjit, shtet i së drejtës dhe përgjegjësi për ata që kanë gabuar para ligjit”, u shpreh Hristijan Mickoski.
Ndryshe, për të qenë i suksesshëm procesi zgjedhor, duhet të përmbushet kushti i censusit, gjegjësisht të dalin për votim mbi 40% e numrit të përgjithshëm të votuesve. Për të fituar një kandidat në rrethin e parë, duhet që të marrë 50% plus një votë, nga numri i përgjithshëm i votave.
Në të kundërtën, dy kandidatët me më shumë vota garojnë në rrethin e dytë, i cili do të mbahet më 8 maj bashkë me zgjedhjet parlamentare. Zgjedhjet e dyfishta, sipas KSHZ-së, buxhetit të shtetit do t’i kushtojnë rreth 17 milionë euro./Nistori/