Mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare është rikthyer në qendër të debatit politik, pasi kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se, nëse opozita dëshiron zgjedhje, Qeveria që ai drejton nuk do t’u ikë atyre. Deklarata e Mickoskit ka nxitur reagime nga dy partitë më të mëdha opozitare, LSDM dhe BDI, ndërsa nga partia shqiptare në pushtet, VLEN, deri tani nuk ka një qëndrim të prerë për pranimin ose jo të zgjedhjeve të parakohshme.
LSDM, në një kumtesë për media, vlerëson se Mickoski është ai që po e rikthen temën e zgjedhjeve në qarkullim, duke pretenduar se kjo po ndodh në koordinim me zhvillimet politike në Serbi. Sipas partisë opozitare maqedonase, pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiq foli për zgjedhje, të njëjtën temë e hapi menjëherë edhe Mickoski. “Kjo nuk është rastësi. Ai tashmë po punon sipas urdhrave. Kjo është arsyeja pse ai tashmë e di kur janë zgjedhjet. Ai thjesht nuk na ka informuar ende”, akuzojnë nga LSDM.
Nga kjo parti pretendojnë gjithashtu se pushteti po përgatit terrenin mediatik për një proces të mundshëm zgjedhor, duke akuzuar Mickoskin se po “tërheq artileri të rëndë mediatike nga Serbia” dhe se synimi, sipas tyre, është krijimi i “errësirës së plotë mediatike”. LSDM, megjithatë, nuk kërkon që zgjedhjet të shpallen me kërkesën e saj. Nga partia thonë se Mickoski ka pushtet të mjaftueshëm politik dhe institucional që vetë ta marrë një vendim të tillë. “Ai ka pushtet absolut. Ai ka një shumicë prej dy të tretash. Ai ka president, qeveri, Kuvend dhe shumicën në shumicën e komunave. Ai cakton zgjedhje kur të dojë. Nuk i duhet pëlqimi ynë apo guximi i askujt tjetër. I duhet një alibi”, thuhet në reagimin e LSDM-së. Sipas opozitës maqedonase, zgjedhjet eventuale do të shërbenin për të mbuluar, siç pretendojnë, problemet financiare dhe ekonomike të Qeverisë. “LSDM nuk do t’ia japë atë alibi. Ne nuk po i kërkojmë zgjedhjet e tij për të mbuluar falimentimin e tij. Ai do të caktojë zgjedhje kur të mbarojnë paratë. Ky është kalendari i tij, jo i yni”, deklarojnë nga LSDM.
Krejt tjetër është qasja e Bashkimit Demokratik për Integrim. BDI tashmë publikisht ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe presionin politik po e orienton ndaj VLEN-it, duke kërkuar që partneri shqiptar i Qeverisë të deklarohet nëse është i gatshëm ta masë mbështetjen para qytetarëve. Në reagimin e fundit, BDI thotë se kanë kaluar 24 orë nga kërkesa e saj për zgjedhje, ndërsa nga VLEN ende nuk ka përgjigje të drejtpërdrejtë. “Kanë kaluar 24 orë nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nga s’VLEN-i ende asnjë fjalë. Ata që shkelën legjitimitetin, tani fshihen sapo u kërkohet që legjitimitetin ta matin para qytetarëve”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia e Ali Ahmetit pretendon se VLEN nuk e ka mbështetjen e shumicës së shqiptarëve dhe se pikërisht kjo është arsyeja e hezitimit për t’u deklaruar rreth zgjedhjeve. “Nëse kanë marrë leje, le t’i pranojnë zgjedhjet e parakohshme. Heshtja e tyre tashmë është përgjigje: kanë frikë nga qytetarët dhe nga verdikti që i pret”, deklarojnë nga BDI.
Nga partia VLEN sa i përket kërkesës së BDI-së për zgjedhje të parakohshme, dje kanë deklaruar se për ta prioritet janë projektet infrastrukturore, veçanërisht vazhdimi i ndërtimit të Korridorit 8, ndërtimi i rrugës Shkup–Bllacë, punimet për të cilën, sipas tyre, nisin së shpejti, si dhe ndërtimi i rrugës Tetovë–Prizren. “Këto projekte për ne janë shumë më të rëndësishme se zgjedhjet dhe pushteti”, deklarojnë nga VLEN.
Kështu, pas deklaratës së Mickoskit, në skenën politike janë krijuar tri pozicione: BDI kërkon hapur zgjedhje të parakohshme dhe sfidon VLEN-in që t’i pranojë ato; LSDM refuzon t’i japë Mickoskit, siç thotë, “alibinë” për shpalljen e tyre; ndërsa VLEN shmang një përgjigje të prerë, duke e zhvendosur fokusin te realizimi i projekteve. Nëse retorika do të shndërrohet në nismë konkrete për shpërndarjen e Parlamentit dhe caktimin e zgjedhjeve të parakohshme, mbetet të shihet. Por deklarata e Mickoskit dhe reagimet e opozitës kanë bërë që tema e zgjedhjeve, pas një periudhe relativisht të gjatë jashtë agjendës kryesore politike, të rikthehet sërish në qendër të skenës politike. /Koha/






