Zgjedhjet lokale | BDI me kandidatë të vjetër, LSDM e VMRO-DPMNE fshehin emrat

    Partitë në përgatitjen finale të listave të kandidatëve për kryetarë komunash dhe këshilla komunal për zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Nga partia e Ali Ahmetit deri më tani kanë dalë emra të vjetër që do të kandidojnë përsëri në zgjedhjet lokale. Kandidati i BDI -së për Çairin do të jetë kryetari aktual Visar Ganiu, për Dibrën Hekuran Duka, për Likovën Erkan Arifi, për Strugën Ramiz Merko, për Sarajin Blerm Bexheti, në Gostivar do të kandidohet Nevzat Bejta, dhe në Tetovë përsëri Teuta Arifi. Kryetari aktual i Kërçovës, Fatmir Dehari, gjithashtu është në listën e kandidatëve të BDI -së. Por, nipi i Ahmetit, Fatmir Limani, do të jetë kundërshtari i tij i pavarur. Limani është ish zyrtar i lartë i BDI -së, ndërsa mbështetje të Fatmir Limanit i kanë dhënë edhe ish zyrtarë të tjerë të lartë të BDI-së përfshirë ish zëvendëskryeministrin Musa Xhaferi dhe dajën e Ahmetit, Fazli Veliun.

    Opozita shqiptare ende nuk ka shpallur kandidatë për kryetarë komune në Tetovë, Strugë, Kërçovë dhe Saraj, dhe sipas informacioneve, këtë do ta bëjë javën e ardhshme. Në Gostivar Koalicioni ASH-AAA garon me Arben Taravarin, në Vrapçisht me Isen Shabanin, në Bogovinë me Albon Xhemailin dhe në Çair me Bekim Sali.

    Në Gostivar, BESA e kandidon Fadil Zendelin, ndërsa jozyrtarisht në Tetovë, kryetari i partisë Bilal Kasami do të kandidojë përsëri. Zaevi njoftoi koalicion me të gjithë partnerët qeveritarë, por ende nuk është precizuar se si do të kandidojë në zgjedhje. Mbështetja ndërpartiake është paralajmëruar për raundin e parë ose të dytë të zgjedhjeve lokale. Në zgjedhjet lokale, LSDM-ja përsëri do të kandidojë për kryetar të Shkupit me Petre Shilegovin. Partia në pushtet deri më tani ka identifikuar disa kandidatë, të gjithë do të konfirmohen pas 20 gushtit.

     Javën tjetër 23 deri në 25 ne duhet të përfundojmë, sepse duhet të lëmë disa ditë për të mbledhur dokumentet e nevojshme, dhe ajo është sigurisht deklarata e noterizuar, konfirmimi i mos dënimit dhe të gjitha dokumentet. Lidhja Socialdemokrate dhe Koalicioni në nivelin qendror kalojnë shumë kohë duke folur për të qenë në gjendje të përcaktojnë së pari kandidatët më të mirë, së dyti, përfaqësimin e barabartë në listat e këshilltarëve, gjithashtu në mënyrë që më në fund të kemi kohë të mjaftueshme për të paraqitur listat e kandidatëve sipas afatit të publikuar nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor”, pohoi Zoran Zaev, kryetar i LSDM -së.

    Nga VMRO-DPMNE-ja, nga ana tjetër paralajmëruan emra të ri në zgjedhjet lokale. Madje 90 për qind e kandidatëve që do të garojnë për kryetarë të komunave deri tani nuk e kanë ushtruar postin. Ndonëse deri tani janë përcaktuar kandidatët e VMRO-DPMNE-së për disa qytete, megjithatë edhe më tutje nuk shpalosin se kë do të kandidojnë për Qytetin e Shkupit. Si emra të mundshëm për kandidatë jozyrtarisht përmenden ish kryetari i Shkupit, Koce Trajanovski, por edhe kryetare aktuale e Lidhjes së Odave Ekonomike, Danella Arsovska, që vlen si e afërt me VMRO-DPMNE-në nga koha e ish kryeministrit Nikolla Gruevski.

    Në raport me trupat partiakë unë vetëm do të porosiska edhe qytetarët edhe mediat që të durojnë edhe një kohë të shkurtër, trupat partiake ta kryejnë punën e tyre lidhur me filtrimin e kandidatëve dhe votimin, ndërsa për shpalljen e kandidatëve kjo do të jetë së shpejtë, siç paralajmëruan që më parë. Lidhur me personat, po do të shpallen numër i madh i kandidatëve“, theksoi Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së .

    Iniciativa “Mundësi për Qendrën” paralajmëroi se prej nesër do të mbledhin nënshkrime për pjesëmarrje në zgjedhjes me listë të pavarur qytetare për Komunën Qendër. Kandidohen aktivistë, ekspertë nga fusha e arkitekturës, mjedisit jetësor, sportit, por edhe nga kultura.

    Shans për Qendrën” përbëhet prej profesionistëve, të etabluar  në profesionet e tyre që vendosën të dalin nga zona e tyre e komoditetit dhe t’i ofrohen qytetit, qytetarëve dhe bashkësisë tonë, me gjithë diturinë, mundësitë, kohën, entuziazmin… t’i përmirësojmë kushtet për jetë në Komunën Qendër“, pohoi Divna Pençiq, “Shans për Qendrën” .

    Në zgjedhjet e caktuara lokale për 17 tetor, për herë të parë do të votohet me gjurmë të gishtit./Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Infektologu Fadil Cana kritikon masat e reja kundër Covid-19 në Maqedoni

    Lajmi i rradhës

    Strehimi i afganëve, Ollbrajt: Falënderojë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë për gatishmërinë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë