Në shumë metropole evropiane, mungesa e banesave me qira të përballueshme është një problem me potencial shpërthyes social. Zgjidhjet e ofruara janë shumë të ndryshme. DW prezanton disa prej tyre.
Në qytetin më të madh të Bashkimit Evropian, presioni në tregun e banesave është aq i madh, saqë banorët e tij duan të ndërmarrin një eksperiment historik. Pesë vjet më parë, qytetarët e Berlinit ngarkuan me referendum Senatin e kryeqytetit gjerman të hartonte një ligj që do t’i jepte fund fuqisë dominuese në treg të kompanive të mëdha të pasurive të paluajtshme.
Sipas këtij propozimi, kompanitë fitimprurëse që zotërojnë më shumë se 3000 banesa duhej të detyroheshin t’ia shisnin ato landit të Berlinit. Por kjo nuk ndodhi. Ndërkohë, që nga ajo kohë, çmimet mesatare të qirave për kontratat e reja janë rritur edhe me rreth 50 për qind.
Në zgjedhjet për Parlamentin e Berlinit më 20 shtator, partia E Majta (Die Linke) doli forca më e madhe politike. Gjatë fushatës elektorale, E Majta premtoi se do ta zbatonte me vendosmëri rezultatin e referendumit dhe do t’i vinte banesat e korporatave të mëdha të pasurive të paluajtshme nën pronësi publike. Në fushatë përdorej shpesh edhe termi “shpronësim”. Nëse Berlini do të hyjë vërtet në këtë territor të ri juridik, varet aktualisht nga negociatat për formimin e koalicionit qeverisës. Megjithatë, vetë rezultati i zgjedhjeve ka rikthyer në mbarë Evropën vëmendjen ndaj faktit se sa e rëndë është kriza e banesave në shumë zona metropolitane.
DW paraqet disa nga konceptet dhe zgjidhjet që metropole të tjera evropiane i kanë vënë tashmë në zbatim.
Vjena: Bashkia si qiradhënëse
Modeli i Vjenës konsiderohet një nga zgjidhjet shembullore evropiane kundër shpërthimit të çmimeve të qirave. Kryeqyteti austriak u përball me një krizë të rëndë banesash që pas Luftës së Parë Botërore. Krevatet ishin aq të pakta, saqë punëtorët flinin me turne dhe, në kushtet e mbipopullimit, përhapeshin sëmundje si tuberkulozi.
Zgjidhja e ndërmarrë në atë kohë vazhdon ta stabilizojë tregun e banesave edhe sot. Sipas të dhënave të qytetit, Vjena jep me qira rreth 220.000 banesa në pronësi publike dhe administron edhe 200.000 njësi të tjera si strehim të subvencionuar. Kështu, rreth 60 për qind e banorëve të Vjenës jetojnë në këto banesa. Kjo politikë ka ndikim stabilizues edhe mbi tregun e lirë të qirave, duke ndihmuar në mbajtjen nën kontroll të çmimeve.
Basel: Tokë publike, ndërtesa private
Fakti që banimi po bëhet gjithnjë e më i shtrenjtë në shumë qytete lidhet edhe me rritjen e vlerës së tokës, si pasojë e atraktivitetit të zonave urbane. Për këtë arsye, në shumë vende po shqyrtohen mënyra për t’i shkëputur çmimet e qirave nga çmimet e larta të truallit. Një zgjidhje është që tokat në pronësi të komunave të mos shiten, por të jepen me qira afatgjatë, për shembull kooperative të banimit ose investitorëve me orientim social. Komunat përfitojnë sepse nuk duhet të mbulojnë kostot e ndërtimit, ndërsa investitorët nuk detyrohen të llogarisin çmime të larta të tokës, të cilat më pas do t’ua transferonin qiramarrësve.
Një nga pionierët e këtij modeli në Evropë është Bazeli. Në qytetin zviceran, rreth 40 për qind e të gjitha banesave të kooperativave janë ndërtuar në toka publike. Edhe qytete si Barcelona dhe Lisbona kanë vite që po bëjnë përpjekje të shtuara për ta vendosur dhe zgjeruar këtë model.
Parisi: Rikthimi në pronësi publike dhe shndërrimi i ndërtesave
Situata bëhet më e ndërlikuar kur toka dhe ndërtesat janë tashmë në pronësi private afatgjatë. Për këtë arsye, që nga viti 2014, komuna e Parisit gëzon të drejtën e parablerjes, të cilën e përdor veçanërisht në lagjet ku presioni i zhvendosjes së banorëve është i lartë, me synimin për të rritur përqindjen e banesave sociale.
Objektivi është që deri në vitin 2035, 30 për qind e fondit të banesave të jenë banesa sociale. Megjithatë, por rritja e deritanishme i atribuohet kryesisht projekteve të reja të ndërtimit të realizuara nga vetë qyteti. Ndërkohë, kryeqyteti francez dhe komunat përreth po blejnë gjithnjë e më shumë ndërtesa biznesi për t’i kthyer ato në banesa. Në rajonin përreth, Île-de-France, janë identifikuar 61 projekte që mund të krijojnë deri në 8.200 banesa të reja.
Praga: Banesa për profesionet kyçe
Kryeqyteti i Çekisë, Praga, ka gjetur një mënyrë tjetër për të mbajtur në qytet ata punonjës pa të cilët shumë shërbime nuk do të funksiononin: infermierët, policët, mësuesit apo punonjësit e pastrimit, të cilët shpesh kanë më pak mundësi financiare për të përballuar qiratë sesa bankierët apo avokatët. Në Pragë janë ndërtuar rreth 660 banesa të rezervuara posaçërisht për punonjësit e sektorit publik.
Shoqëria që i administron këto banesa është një filial i një banke çeke. Falë financimeve evropiane dhe një planifikimi ekonomik afatgjatë prej 40 vitesh, qiratë synohet të mbahen rreth 20 për qind nën nivelin e zakonshëm të tregut. Përzgjedhjen e banorëve nuk e bën banka, por institucione si spitalet dhe zyrat publike. Ato lidhin marrëveshje bashkëpunimi dhe mund t’u ofrojnë punonjësve të rinj mundësinë e strehimit me qira të favorshme. Projekte të tjera të ngjashme tashmë janë në fazën e planifikimit.
Dublini: Qira me kosto, jo për fitim
Edhe kryeqyteti irlandez, Dublini, e ka të vështirë të mbajë në qytet njerëzit me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Pas krizës financiare të fundviteve 2000, shumë prona u blenë nga investitorë të huaj. Në të njëjtën kohë, gjigantët e teknologjisë, të tërhequr nga normat e ulëta tatimore, zgjodhën Dublinin si seli evropiane, duke rritur ndjeshëm kërkesën për banesa. Si rezultat, qiratë u rritën në mënyrë të vrullshme. Në Dublin ekzistojnë lista të gjata pritjeje, pasi oferta e banesave sociale është shumë më e vogël se kërkesa.
Programi Cost Rental Housing, i nisur në vitin 2021, synon një grup që shpesh mbetet jashtë skemave të ndihmës: personat me të ardhura nën 66.000 euro në vit, të cilët fitojnë tepër për të përfituar banesa sociale, por shumë pak për të përballuar çmimet e tregut të lirë. Në kuadër të këtij programi, organizata jofitimprurëse dhe institucione publike ofrojnë banesa pa synim përfitimi. Si pasojë, qiratë fillestare janë dukshëm më të ulëta se në treg. Sipas një studimi të Institutit të Kërkimeve Sociale ESRI, ato janë mesatarisht gati 30 për qind më të ulëta.
Qeveria irlandeze synon të vërë në dispozicion 18.000 banesa të tilla deri në fund të dekadës. Sa e madhe është kërkesa u pa vitin e kaluar në zonën Coolevally, në juglindje të Dublinit: për 104 banesa u paraqitën mbi 4.200 aplikime. Megjithatë, do të nevojiten ende shumë banesa të reja që oferta dhe kërkesa të arrijnë ekuilibrin në qytetet më të kërkuara të Evrops. DW




