Zgjidhet problemi me urën e këmbësorëve në fshatin Strimnicë (Foto)

    Mungesa e urës për këmbësorët në hyrje të fshatit Strimnicë që përbënte rrezik për banorët është ndërtuar nga Komuna e Zhelinës. Ura për këmbësorët që qëndron paralele me urën tjetër kaluese për veturat është montuar dje dhe sipas banorëve të këtij fshati tash e tutje, kalimi mbi këtë urë do të jetë i sigurt, veçanërisht për fëmijët kur shkojnë në shkollë, sepse më herët janë detyruar të kalojnë nëpërmjet urës tjetër për automjete.

    “Jemi shumë të kënaqur me ndërtimin e urës së këmbësorëve, sepse është zgjidhur një problem i madh i fshatit edhe atë pa koofinancim”, deklaron Besim Jusufi, banor i fshatit.

    Nistori ka pyetur Komunën e Zhelinës nëse kjo urë është ndërtuar me para të banorëve apo bizneseve, por një gjë të tillë e mohon kryetari Blerim Sejdiu, i cili thotë se asnjë denarë nuk u është marrë banorëve të fshatit Strimnicë për ndërtimin e urës së këmbësorëve.

    “Ura e vendosur është e porositur dhe realizuar nga buxheti i Komunës së Zhelinës. Tani, gjatë realizimit është vërtetë se kanë ndihmuar vullnetarisht edhe banorë të fshatit për të cilën gjë, ne publikisht i kemi falenderuar dhe jemi mirënjohës për gjestin. Ura nuk ekzistonte, sot ekziston dhe realizohet për së pari herë, dhe është realizuar me standardet më të sigurta të mundshme”, deklaron Sejdiu për Nistori.

    Sejdiu thotë se nuk është e vërtetë se projekti ka ndryshuar, siç po spekulohet.

    “E vërteta është se projekti i parë ka qenë ide e jona, ndryshe nga kjo që e kemi realizuar sot. Por, edhe atë projekt ideor edhe këtë e kemi përshkruar ne si komunë e Zhelinës. Ajo nuk realizohej si e tillë sipas inxhinierit, për shkaqe teknike dhe situatës së caktuar në terren. Ajo që vlerësojmë është me rëndësi dhe duhet ta dijnë edhe banorët tanë është se, versioni i parë i urës së këmbësorëve kushtonte gjysëm çmimi në krahasim me këtë urë që është e vendosur sot, pra ajo kushtonte diku 15 mijë euro, ndërsa kjo kap vlerën prej 32 mijë eurosh”, shton ndër të tjera Sejdiu.

    Nga ana tjetër edhe kryetari i Bashkësisë lokale të fshatit, Qenan Iseni thotë se ky projekt është financuar nga Komuna e Zhelinës dhe banorët nuk kanë participuar financiarisht, por edhe nëse janë parë duke asistuar ka qenë nga vullneti i lirë dhe jo se komuna i ka detyruar. Ai thotë se projekti ka pësuar ndryshime të vogla dhe për këtë ndryshim është dakorduar edhe vet ai, duke parë se projekti ideor nga ai themelor nuk është se ndryshon dhe hapësira për ndonjë ndryshim ka qenë ashtu si e ka kërkuar nevoja e realizimit. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Nuk ka termine për pasaporta, qytetarët duhet të presin deri në muajin gusht

    Lajmi i rradhës

    Oriz me midhje dhe perime

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë