Te Avokati i Popullit kanë arritur informacione se pothuajse në të gjitha organet e administratës shtetërore, duke filluar nga ministritë, drejtoritë dhe ente të ndryshme, po shkelet e drejta e përfaqësuesve të bashkësive jo shumice gjatë punësimeve. Naser Ziberi tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e balancuesit e krijoi këtë zbrazëtirë juridike, pas çka u kërkoi Qeverisë dhe Kuvendit, të miratojnë sa më shpejtë ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.
“Informacionet tona flasin se veç më ka devijime nga ky përcaktim, ku nuk respektohet kjo e drejtë dhe prandaj apeloj deri te Qeveria dhe deri te Parlamenti që sa më shpejtë të tejkalohet kjo zbrazëtirë juridike, të sillet ligji aq i proklamuar për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat dhe me këtë të pamundësohet procesi i deformimit të implementimit të përcaktimit kushtetues për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Informacionet vijnë nga gati të gjitha organet e administratës shtetërore, duke filluar nga ministritë, drejtoritë, dhe entet e ndryshme”, deklaroi Naser Ziberi, Avokat i Popullit.
Sa u përket paralajmërimeve për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit të gjuhëve, Ziberi i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese që të rrijë larg nga politika.
“Apeli im është që gjykata Kushtetuese mos të merret me politikë por të mbrojë kushtetutën, që domethënë, gjykata kushtetuese duhet të jetë në nivelin e detyrës që ja përcakton vetë kushtetuta”, tha Naser Ziberi, Avokat i Popullit.
Avokati i Popullit gjatë prezantimit të raportit vjetor, theksoi se edhe përskaj ndryshimeve ligjore, problemet me regjistrimet në evidencën amë, vazhdojnë të mbeten aktuale. Në këtë rast, Naser Ziberi theksoi se edhe nëpër burgje ka persona që janë të padukshëm për shtetin. Ai nënvizoi se te Avokati i Popullit ka arritur një parashtresë nga një i burgosur në Idrizovë, i cili është duke vuajtur dënimin, ndërsa nuk posedon certifikatë, e rrjedhimisht as certifikatë të lindjes. Personi është pranuar për vuajtjen e dënimit, duke i marrë vetëm shenjat e gishtërinjve. /Alsat/