Ziberi: Nuk mund të hesht për ndryshimet në Kodin Penal

    Për platformën #Depolarizohu, pjesë e projektit “Përmes depolarizimit deri në institucione demokratike, stabile, inkluzive: kontribut i shoqërisë civile”, Instituti për Media dhe Analitikë IMA bisedoi  me Avokatin e Popullit, z. Naser Ziberi.

    Në fokus të pjesës së parë të intervistës janë aktivitetet që zbatojnë institucionet në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, më konkretisht – çështjet që janë pjesë e skriningut dhe klasterit të parë të negociatave, i cili ka të bëjë me vlerat themelore, funksionimin e institucioneve demokratike, sundimin e së drejtës dhe drejtësisë administrative dhe bashkëpunimin ndërsektorial.

    Ziberi: Është fundamental zbatimi i rekomandimeve të Avokatit të Popullit për shkeljet e lirive dhe të drejtave të njeriut nga institucionet

    IMA: Institucioni i Avokatit të Popullit mori pjesë në procesin e skriningut, me të cilin vendi hapi negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. A mund të ndani përvojat tuaja dhe në cilën pjesë të negociatave me BE-në Avokati i Popullit mund të japë kontributin e tij, përveç klasterit “të drejtat themelore”?

    Ziberi: Ky klaster në kuadër të kapitullit 23 që ka të bëjë me gjyqësorin, respektivisht, me sistemin e jurisprudencës dhe të drejtat fundamentale, ka të bëjë edhe me vlerat themelore, të drejtat e njeriut dhe, në këtë kuptim, institucioni i Avokatit të Popullit, Komisioni për parandalimin e diskriminimit, Komisioni për pengimin e korrupsionit e tjera, janë institucione të cilat janë drejtpërdrejtë të thirrura për ndërtimin e vlerave demokratike dhe pengimin e fenomeneve devijante në shoqëri.

    Në këtë kuptim, ne kishim tre takime me përfaqësues të Komisionit Evropian në kuadër të procesit të skriningut, për çka biseduam së pari për infrastrukturën ligjore që mbulon këtë lëmi, sidomos institucioni i Avokatit të Popullit, i cili paraqet institucionin themelor nacional për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, pastaj për organizimin e institucionit, shtrirjen e tij dhe mënyrën e funksionimit, kapacitetet kadrovike.

    Dhe, pjesa që mendoj se është më fundamentale është zbatimi i rekomandimeve që institucioni i Avokatit i Popullit i jep në rastet kur konstatohen shkeljet e lirive dhe të drejtave të njeriut nga organet e administratës publike, dhe institucionet tjera që ushtrojnë funksione publike.

    Sigurisht, në biseda kemi theksuar edhe dobësitë tona, të cilat na përcjellin, siç janë mungesat e kapaciteteve kadrovike, përvojat profesionale të cilat duhet të ngriten në një nivel më të lartë dhe për çka Komisioni Evropian, në kuadër të IPA programeve, ka ndarë një ekspertizë e cila zhvillohet në kuadër të institucionit.

    Dhe, shpresoj që do të jetë me interes të ngritjes së këtyre kapaciteteve dhe vlerave të institucionit Avokati i Popullit, dhe pengesave praktike, të cilat janë si pasojë e mosveprimit të institucioneve tjera – mungesa e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit, të cilët gati dy vite nuk zgjidhen. Parlamenti nuk po gjen konsensus për ta vënë në rend dite pikën; Mosekipimin e një timi që ka të bëjë me mbikëqyrjen e punës së policisë dhe sidomos personave me autorizime të posaçme dhe policinë e burgjeve, dhe probleme tjera. Shpresoj që Komisioni Evropian në raportin e vet, pas përfundimit të këtij procesi të skriningut, do t’i ketë evidentuar saktësisht dhe do t’i adresojë në vendin e duhur.

    IMA: Si mbrojtës i të drejtave të qytetarëve dhe mekanizëm kontrollues i punës së administratës, çfarë masash merr Avokati i Popullit për të realizuar parimin e sundimit të së drejtës për një sistem më efikas dhe drejtësi administrative? Së fundi komentuat edhe ndryshimet e fundit në Kodin Penal…

    Ziberi: Sundimi i së drejtës dhe respektimi i rendit juridik paraqet vlerë themelore të rendit kushtetues të vendit, që do të thotë është vlerë kryesore e organizimit të shtetit. Edhe, detyrimisht që Avokati i Popullit është i interesuar që ky parim të funksionojë në mënyrë që drejtpërdrejtë, në mënyrë preventive, të mos vjen deri te shkelja e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe çdo qytetari, për çka, ne në kuadër të kompetencave tona veprojmë në dy drejtime:

    Së pari, në planin preventiv dhe afirmativ – duke e afirmuar përmes mediave, përmes takimeve, përmes konferencave, përmes takimeve të ndryshme, duke përfshirë në kuadër të aktivitetit tonë edhe ekspertë dhe persona nga bota akademike. Dhe në planin e dytë – veprimi i jonë pas parashtresave që qytetarët i parashtrojnë institucionit të Avokatit të Popullit.

    Dhe, kur jemi këtu, të them se është bërë një praktikë që tre-katër vitet e fundit institucionit tonë i parashtrohen mbi 3000 parashtresa dhe ankesa dhe ato paraqesin, pra, kapsulën iniciale për fillimin e veprimit të institucionit Avokati i Popullit.

    Kuptohet, instrumentet tona janë ligjore dhe janë të konsiderueshme, në kuptimin që çdo organ, konform ligjit për Avokatin e Popullit, është i detyruar t’i përgjigjet parashtresës që ne ja drejtojmë. Kemi të drejtë që të bëjmë ndërhyrje dhe mbikëqyrje mbi punën e çdo institucioni, se si kanë vepruar në rastin konkret, në rast të parashtresës që na është drejtuar neve, t’i kërkojmë materialet në ekspertizë tonë, dhe pas përfundimit të asaj të japim rekomandimin për tejkalimin e shkeljes eventuale, e cila mund të konstatohet nga ana jonë. Në qoftë se organi nuk përgjigjet pozitivisht, në kuptimin e zbatimit të rekomandimit të Avokatit të Popullit – Avokati i popullit i drejtohet institucionit më të lartë në kuadër të cilit është bërë shkelja, dhe në qoftë se edhe ai nuk ndërmerr masa, atëherë i drejtohemi Qeverisë, dhe në fund Parlamentit, si institucion para të cilit japim llogaridhënie të gjitha institucionet.

    Kuptohet, për sferën që e përmendët edhe pak më parë, te autorizimet, personat me autorizime të veçanta, në kuadër të Ministrisë së Brendshme dhe institucionit të Policisë së burgjeve, kemi edhe autorizime plotësuese për të ngritë procedurë penale para prokurorisë kompetente, që do të thotë prokurorinë themelore, ose të shqiptojmë edhe masa kundërvajtëse, të cilat ne ia propozojmë gjykatës, dhe gjykata i shqipton të njëjtat.

    Pra, këto janë kapacitetet tona, të cilat në sfera të caktuar jemi të kënaqur se si veprojmë, në sfera të caktuara jo, sepse, për hir të së vërtetës, dua të them që vitin e fundit institucionet nën presion të Sekretariatit Gjeneral të Qeverisë janë më vigjilentë në kuptimin e kooperimit dhe bashkëpunimit me institucionin e Avokatit të Popullit, por nuk jemi të kënaqur në kuptimin e kualitetit të përgjigjeve që i marrim. Dhe, sa për ta ilustruar këtë, t’ju them se nga të gjitha parashtresat që na janë drejtuar, 30 për qind e konstatimeve të shkeljeve të lirive dhe të drejtave të njeriut kanë rezultuar me korrigjim të veprimeve të institucioneve të administratës shtetërore. Dhe, këtë kur ta krahasoni, ta zëmë, me raportin e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit që është vetëm 10 për qind, mund të duket i volitshëm.

    Por, ne nuk jemi të kënaqur as me këtë, sepse besojmë që institucionet duhet të jenë më vigjilente, dhe në rastet kur shkeljet janë evidente të dokumentuara nga ana  jonë, detyrimisht institucionet duhet t’u përmbahen rekomandimeve.

    Ziberi: Nuk mund të hesht për ndryshimet në Kodin Penal

    IMA: Për Kodin Penal – dhatë komente në opinion për ndryshimet e Kodit Penal, të cilat u sollën me flamurin e Bashkimit Evropian. Cili është vlerësimi juaj?

    Ziberi: Tri janë vërejtjet e mia në lidhje me ndryshimet në Kodin Penal. Së pari, duhet të them që në start që politikat ndëshkimore, politikat penale, janë kompetencë e Parlamentit dhe e Qeverisë, nuk janë në dorën e Avokatit të Popullit. Por, shikuar nga prizmi i mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut, sigurisht që nuk mund të hesht në një ndryshim të kësaj natyre.

    Së pari, mendoj se përdorimi i flamurit evropian si mënyrë për ta eliminuar dhe evituar procedurën e rregullt në sjelljen e ndryshimeve ligjore mendoj se është tejkaluar, dhe jo rastësisht Komisioni Evropian disa herë ka reaguar se keqpërdoret ky instrument, dhe kam frikë se Komisioni Evropian mund të ndërmarrë ndonjë masë në këtë drejtim që ta ndalojë përdorimin e mëtutjeshëm të këtij instrumenti dhe ligjeve të ndryshme të cilat drejtpërdrejtë nuk kanë të bëjnë me procesin harmonizimit të legjislaturës së vendit në atë të Bashkimit Evropian.

    E dyta – mendoj se si pasojë e përdorimit të simbolit të Unionit Evropian u pamundësua hapja e një debati më produktiv, në  të cilin do të përfshiheshin, përveç politikës, pra deputetëve, ministrave, qeverisë – edhe bota akademike, që sigurisht që për këto çështje ka shumë çka të thotë, dhe të përfshihet edhe bota profesionale – pra, gjykatësit, avokatët, e kështu me radhë.

    Fatkeqësisht, Kuvendi e anashkaloi mundësinë e hapjes së një diskutimi më themelor, sepse këto vepra penale të cilat ishin temë e ndryshimit të Kodit Penal janë themelore për sundimin e ligjit dhe të drejtës, janë themelore për pengimin e një plage e cila, mos të them se po shndërrohet në kancer, por tendencat janë se po shndërrohet vërtet në një plagë të pashërueshme, ajo është pengimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit.

    Ne nuk jemi në situatë dhe pozitë të Gjermanisë, të Francës, në vendet në të cilat thirret ligjdhënësi jonë, për ta arsyetuar vendimin për ndryshimin e Kodit Penal në këtë domen. Dhe prandaj, parashikimi i këtyre masave, sanksioneve që kanë qenë deri më tani, sigurisht që kanë pasur arsyen e vetë sepse kanë qenë të tij, duke pasur parasysh intensitetin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe gjendjen në lëminë e korrupsionit.

    Ziberi kryesisht i kënaqur me bashkëpunimin me institucionet tjera për ndryshimin e ligjeve financiare në të mirë të qytetarëve 

    IMA: Folët për bashkëpunimin që keni me institucionet shtetërore, të cilëve u dërgoni rekomandime, dhe a mund të përmendni shembuj të suksesshëm të bashkëpunimit ndërsektorial në funksion të realizimit të të drejtave dhe lirive të njeriut?

    Ziberi: Fatmirësisht po. Unë vetëm do të ku them vetëm disa nga çështjet kryesore, sepse në baza ditore, ne për çdo ditë me institucionet ballafaqohemi dhe mundohemi që t’i zgjidhim problemet. Por ato që janë më kryesore, unë jam i kënaqur me disa iniciativa që ka ndërmarrë Avokati i Popullit.

    Iniciativa e parë që ishte, ishte ndryshimi i rregullativës për energji që solli deri te ndryshimet për mënyrën e leximit të orëmatësve të energjisë elektrike, sepse u ballafaquam me një realitet që në periudhën e kaluar jepeshin fatura paushalle, pa u lexuar orëmatësit, me vite të tëra, sepse në bazë të ligjit ekzistues dhe rregullativës ekzistuese, operatori kishte obligim vetëm një herë në vit ta lexonte një orë elektrike, dhe qytetarët zhyteshin në borxhe të thella, pa mundësi për t’u paguar faturat e tilla, ndërsa operatori pas një viti e kthente në qoftë se kishin paguar më tepër. Këtë çështje, me iniciativën tonë, Komisioni Rregullator e korrigjoi dhe veprimet janë pozitive. Në këtë drejtim, numri i ankesave në atë plan në të drejtat e konsumatorëve, është ulur në mënyrë drastike.

    Jam po ashtu i kënaqur me iniciativën për ndryshimet ligjore në Ligjin për Marrëdhënie Obligative, Ligjin për Përmbarim dhe Ligjin për Punë Financiare. Ne gjatë punës tonë konstatuam se qytetarët vihen në pozitë jashtëzakonisht të rëndë financiare si rezultat i kamatave të palimituara në procesin e përmbarimit para përmbaruesve. Dhe, ne e kërkuam raportin vjetor të vitit kaluar, paralajmërova dhe e ngrita iniciativën për ndryshimet e këtyre ligjeve.

    Dhe, për hir të së vërtetës, duhet të them që Qeveria nuk shfaqi ndonjë gatishmëri, na informoi se iniciativën do t’ia përcjellë komisionit pranë Ministrisë së Drejtësisë, i cili punon në ndryshimin e kodit civil – Kod i cili nuk po sillet që pesëmbëdhjetë vite, që është në përpunim e sipër dhe assesi të sheh dritë.

    Por, në bashkëpunim me deputetët, iniciativën e pranuan deputetët dhe, me procedurë të shkurtuar, deputetët ngritën iniciativë për ndryshimin e të tre ligjeve dhe arritën që në Ligjin për Marrëdhënie Obligative, kamatën ndëshkuese ta limitojnë deri në lartësinë e borxhit kryesor, sepse kishim situata absurde, që kamata paraqitej tri herë më e lartë sesa borxhi kryesor, dhe shpeshherë kishim raste të një absurdi unikal, që borxhi madje bartej në trashëgimtarët e personit, i cili ndërkohë ndërronte jetë.

    Ligji pra vë një plafon, që shpresoj që nuk është në dëm të kreditorëve, por nuk i dëmton edhe debitorët. Po ashtu, në procedurën e përmbarimit, bëmë dy propozime të cilat po ashtu Parlamenti i pranoi – që të kufizohet edhe afati i tjetërsimit të lëndëve, apo vjetërsimit. Sepse, kishim situatë ku kreditorë të caktuar i mbanin urdhëresat për pagesa dhjetë vite. Ndërkohë, për dhjetë vite të tubohet kamatë e cila, pra, nuk ishte e limituar, dhe një muaj para skadimit të afatit të paraqet në përmbarim, dhe qytetarët futeshin në borxhe deri në fyt. Ligji e kufizon afatin e tjetërsimit të këtyre lëndëve deri në pesë vite. Dhe, në qoftë se një akt i plotfuqishëm dhe përmbarues brenda pesë viteve nuk ushtrohet për t’u përmbaruar, ai tjetërsohet. Dhe, nga ana tjetër, ai le ta mbajë pesë vite aktin dhe mos ta aktivizojë, por kamatën nuk do ta ketë të palimituar dhe ajo do të limitohet deri në shumën e borxhit kryesor.

    Te sfera e punëve financiare, po ashtu jam i kënaqur, sepse arritëm që këto shoqëritë financiare, të cilat japin të ashtuquajtura kredi pa kamata por të shpejta, shpeshherë në administrimin e këtyre kredive paguanin shpenzime të shumëfishta më të larta sesa kredia që merrej nga qytetarët. Duke pasur parasysh faktin se shfrytëzuesit e këtyre kredive janë zakonisht raste sociale të cilat në momente të caktuara nuk kanë as 50.000 denarë ose 30.000 denarë dhe u drejtohen këtyre shoqërive, ata viheshin në pozitë falimentuese. Edhe këtu arritëm që tëra çështjet t’i definojmë.

    Së pari, të mos mundet në të njëjtën shoqëri financiare të jepen dy kredi për të njëjtin preson. Dhe sidomos jo kredi të dytë për të mbuluar kredinë e parë, sepse në këtë mënyrë qytetarët gjithnjë e më tepër fundoseshin. Arritëm që ta shtojmë transparencën e punës së këtyre shoqërive dhe asnjë shoqëri nuk mundet të jep kredi pa e njoftuar në mënyrë me shkrim ose formë elektronike qytetarin për obligimet që i merr me rastin e lidhjes së marrëdhënies kontraktuale me këtë shoqëri. Dhe, e treta, arritëm që mbikëqyrja e këtyre shoqërive të jetë në kompetencë, përveç Ministrisë së Financave, edhe të Bankës Popullore, sepse, nga informacionet që i kemi marrë me ushtrimin e funksionit tonë, erdhëm deri te një konstatim frapant se nga gjitha mbikëqyrjet që ka bërë Ministria e Financave, në 90 për qind të rasteve janë konstatuar shkelje të rregullativës.

    Kuptohet që ka edhe iniciativa tjera, të cilat shkojnë në funksion të përmirësimit të aktiviteteve. E fundit është që para tre ditëve i jam drejtuar qeverisë me një iniciativë për ndryshimin e akteve nënligjore të Ligjit për Përmbarim, në të cilin propozoj të ndryshohet një akt nënligjor, i cili rregullon formën e formularëve të punëve të përmbaruesve, i cili sipas mendimit tim shkel rëndë të drejtat dhe liritë e njeriut. E bëhet fjalë për këtë – në vendimin për përmbarim të përmbaruesit, në fund duhet të ketë edhe një udhëzim juridik që pala e pakënaqur në afatin e caktuar mund të ushtrojë prapësinë, respektivisht ankesë te gjykata përkatëse.

    Fatkeqësisht, në formularët ekzistues, Ministria e Drejtësisë në vitin 2019 i ka përpiluar – nuk shkruan afati brenda të cilit qytetari ka të drejtë të ankohet, por e udhëzon që ushtrimin e prapësimit ta bëjë konform Ligjit për Përmbarim, nenit 86. Ne kur e dimë se pjesa dërrmuese, mos të them 99 për qind e qytetarëve juridikisht janë të paedukuar dhe nuk kanë obligim që ta njohin rregullativën, ata detyrohen që të telefonojnë te përmbaruesi, te Ministria e Drejtësisë, te ndonjë avokat, në vend që thjeshtë të thuhet se pala e pakënaqur në afat treditor, ashtu siç e parasheh ligji, ka të drejtën e ushtrimit të ankesës. Dhe, shpresoj se Qeveria do ta pranojë këtë propozim, sepse, fatkeqësisht, Ministria e Drejtësisë na u përgjigj negativisht, me pretekstin se qytetarët kanë edukatë të mjaftueshme juridike, që absolutisht nuk mban.

    Tek e fundit, po të ndiqej ajo logjikë, asnjë aktgjykim, asnjë vendim administrativ, në udhëzimin juridik nuk do ta shkruante afatin brenda të cilit mund të ushtrohet ankesa. Mund ta supozoni situatën kur një dënim me burg, përfundon aktgjykimi, dhe ti i thua se ke të drejtë ankese konform Ligjit për Procedurë penale. Absurd i llojit të vet. Dhe, mendoj se kjo nuk është e rastësishme, dyshoj personalisht, argumente nuk kam, se kjo është bërë me qëllim, në mënyrë që vendimet për përmbarim të bëhen të plotfuqishme në mënyrë që qytetarët të mos kenë mundësi për t’i ankimuar pranë gjykatave. Në këtë mënyrë, të rritet efikasiteti i përmbarimit, respektivisht, kreditorët dhe përmbaruesit të jenë më efikas. Por nuk ruhet në këtë rast edhe interesi i debitorit, i cili vendoset në situatë që të mos mund në afatin e paraparë ta bëjë ankimin. /IMA/

    Lajmi Paraprak

    Ligji për amnisti i propozuar nga Lloga, liron Haki e Fejzi Azirin, të dy të akuzuar në rastin “Monstra”

    Lajmi i rradhës

    “Dënimet për pedofilët u ulën kur Besa, Alternativa dhe Mexhiti ishin në Qeveri”, kështu Lloga i demanton akuzat e opozitës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë