Zjarrfikësit në Dibër me automjete të viteve të ‘70-ta

    Kamionetë e Njësitit zjarrfikës në Tetovë/Fotografia: Nistori

    Edhe pse Njësia antizjarr e Dibrës e cila përveç në qytet, realizon aktivitete për shuarjen e zjarreve edhe në komunat Qendër Zhupë dhe Mavrovë Rostushë, por disa herë edhe në vendbanimet kufitare të Shqipërisë, të gjithë këta aktivitete me angazhim maksimal i realizon me automjetet shumë të vjetra. Falë angazhimit maksimal të pushteti vendor dhe udhëheqësisë të njësisë, intervenimet janë të suksesshme edhe pse pjesa më e madhe e automjeteve- autoboteve janë të viteve të 70-ta. Prandaj me të drejtë njësia antizjarr kërkon që autoritet lokale dhe qendrore të ndërmarrin aktivitete për sigurimin e automjeteve të reja. Një aktivitet i këtillë është tejet i nevojshëm, thonë në njësinë antizjarr.

    Problemi në fjalë është debatuar edhe në seancën e Këshillit të Komunës Dibër. Në raportin vjetor për vitin 2023 të njësisë anizjarr, thuhet se pas sanimit të tërësishëm të objektit me një projekt të komunës Dibër nga rajoni Planor jugperëndim, janë siguruar kushte shumë të mira për punën e zjarrfikësve. Por, problematik mbetet parku vozitës ku disa nga automjetet – cisterna për shuarjen e zjarreve datojnë para më shumë se pesë dekadave.

    Komisari i njësisë antizjarr në Dibër Xhetan Miftaroski, për gazetën Koha thotë se problemi me automjetet është serioz. Prandaj kërkojmë zgjidhje të problemit, thotë ai, dhe shton se shumë herë deri tani janë bërë sanime të automjeteve. “Kemi bërë sqarime dhe kërkesa në adresë të pushtetit vendor por edhe Ministrive përkatëse që të sigurojnë ndonjë automjet të ri. Të punësuarit kanë një angazhim maksimal, por mundësit të automjeteve janë të kufizuara. Në bisedat që kemi me kompetentët thonë se problemi do të tejkalohet”, thotë Miftaroski.

    Edhe kryetari i Dibrës Hekuran Duka ka theksuar se automjetet të njësisë për shuarjen e zjarreve janë të vjetra. Ai potencon se për problemin është biseduar edhe me institucione të tjera kompetente.

    “Tani kur siguruam kushte shumë të mira për punën e njësisë antizjarr duke sanuar objektin i cili poashtu ishte një objekt shumë i vjetër, kemi ndërmarr aktivitete që të sigurojmë edhe automjete-cisterna për shuarjen e zjarrit. Duke marrë parasysh se kjo njësi mbulon tre komunat në këtë rajon, patjetër duhet që edhe parku vozitës i njësisë të jetë në nivel të duhur. Automjetet e vjetra normalisht pengojnë aktivitetin e tyre”, thotë kryetari i Dibrës. Hekuran Duka.

    Viteve të fundit njësia ka pranuar nëpërmjet disa donacioneve ndërkombëtare edhe një automjet për shuarjen e zjarreve në vendbanime rurale. Por ai nuk është i mjaftueshëm për aktivitete më të mëdha.

    Kjo njësi ka dhënë një kontribut shumë të madh edhe gjatë tre viteve të fundit ku për shkak të Kovid 19 u përfshi me planin e Shtabit të krizës të komunës Dibër për të ndihmuar popullatën. Kjo njësi me fuqitë e saj të kufizuara dha një kontribut shumë të madh në larjen e rrugëve por edhe të ndërtesave kolektive në Dibër. Anëtarë të kësaj njësie duke marrë parasysh profesionalizimin e tyre të lartë, shpesh herë janë edhe pjesëmarrës në aktivitete të ndryshme në vend dhe jashtë vendit gjatë aksioneve për shpëtim që janë gjatë tërmeteve. Të potencojmë faktin se anëtarët të këtij ekipi me sukses morën pjesë edhe në shpëtimin e popullatës gjatë tërmetit katastrofal që para disa vitesh ndodhi në Durrës.

    Lajmi Paraprak

    Si ndikon mungesa e gjumit tek emocionet tuaja?

    Lajmi i rradhës

    Pse terapia me kupa rekomandohet nga ekspertët e shëndetit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë