ZRRE: bizneset e mëdha kalojnë në tregun e hapur të energjisë

    Zyra e Rregullatorit për Energji bëri të ditur se më 1 qershor bizneset e mëdha kanë kaluar në tregun e hapur të energjisë.

    “Me sukses, të gjitha që kanë lidhur kontrata me furnizuesit kanë dalë në tregun e hapur. Ato që nuk kanë lidhur kontratë, kanë kaluar automatikisht te Furnizuesi i Mundësisë së Fundit”, tha për Radion Evropa e Lirë, kryesuesi i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.

    Megjithatë, Fejzullahu nuk dha shifra se sa kompani, nga rreth 1.300 që preken nga vendimi i liberalizimit të tregut, kanë lidhur kontrata dhe sa të tjera do të furnizohen me rrymë nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit.

    Ndërkaq, më vonë gjatë të dielës, ZRRE-ja tha se për të gjithë konsumatorët që janë duke u furnizuar nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, energjia është siguruar përmes bursës Shqiptare (APLEX).

    Kjo zyrë tha po ashtu se liberalizimi i tregut është hap thelbësor “drejt përmbushjes së standardeve evropiane dhe integrimit të plotë të tregut të energjisë së Kosovës në tregun rajonal dhe atë evropian”.

    Kalimi në tregun e hapur, përkatësisht në tregun me çmime të parregulluara për furnizim me energji, po bëhet pavarësisht kundërshtimeve të shumta nga ana e bizneseve.

    Pas hyrjes në fuqi të vendimit, Aleanca Kosovare e Bizneseve, tha se ZRRE-ja ka vepruar në mënyrë të njëanshme, pa transparencë “dhe duke shpërfillur realitetin ekonomik të vendit”.

    “Ky vendim është goditje direkte ndaj sektorit privat, që është shtylla kryesore e ekonomisë së Kosovës, dhe rrezikon qindra vende pune, ul konkurrencën, dhe nxit rritjen e çmimeve për konsumatorët”, u tha në reagim.

    Kjo aleancë kërkoi shtyrjen e vendimit për një vit, duke paralajmëruar se bizneset do të vazhdojnë kundërshtimet edhe përmes protestave.

    Po ashtu, një ditë më parë, kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se bizneset nuk janë kundër tregut të hapur, por kërkoi që vendimi të shtyhej për një kohë, në mënyrë që ky kalim në tregun e liberalizuar të përgatitej më mirë.

    Ai paralajmëroi se pa përgatitje të duhura, vendimi i ZRRE-së do të ketë efekte negative për bizneset, ekonominë dhe qytetarët e Kosovës.

    Vendimi i ZRRE-së

    Sipas këtij vendimi të ZRRE-së të gjitha bizneset e mëdha, me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, është dashur të zgjedhin vetë një kompani të licencuar për furnizim me energji elektrike.

    Nëse nuk kanë arritur të përzgjedhin, këto biznese nga 1 qershori kanë kaluar automatikisht në tregun e hapur, ku furnizimi bëhet nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), në cilësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit,(FMF) por me çmime të përcaktuara nga tregu.

    FMF-ja mund të furnizojë vetëm dy muaj më energji kompanitë dhe nëse pas kësaj periudhe ato që nuk gjejnë furnizues, rrezikojnë të shkëputen nga rrjeti energjetik.

    Aktualisht në Kosovë janë të licencuara 21 kompani tregtare për furnizim me energji, ndërsa një kompani tjetër është në proces licencimi.

    Megjithatë, sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vetëm pesë prej tyre kanë paraqitur deri tani oferta konkrete për sektorin e bizneseve.

    Pjesë e këtyre kompanive është edhe Operatori për Furnizim me Energji, KESCO, që aktualisht furnizon shumicën e konsumatorëve familjarë dhe industrialë në vend.

    Radio Evropa e Lirë ka biseduar me disa biznese gjatë kësaj jave dhe asnjëra prej tyre nuk ka nënshkruar marrëveshje me kompanitë e licencuara.

    Sipas tyre, vetëm KESCO ka dhënë një ofertë me çmim deri në 260 euro për megavat – çmim që ata e konsiderojnë të papërballueshëm.

    KESCO nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë çmim.

    Për shkak të çmimit të lartë të energjisë dhe mungesës së ofertave nga kompanitë furnizuese, më 29 maj, qindra biznese protestuan duke bllokuar për dy orë tri hyrjet kryesore të Prishtinës me mauna dhe automjete.

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, deklaroi se bizneset po kërkojnë që zbatimi i vendimit të shtyhet për një vit, meqë “nuk janë bërë përgatitjet e nevojshme për këtë ndryshim të madh”.

    Nga ana tjetër, Njazi Musliu, pronar i kompanisë Eurometal në Ferizaj, që ka afër 90 punëtorë, e ka cilësuar vendimin si shkatërrues për biznesin e tij.

    Në protestën e së enjtes, ai theksoi se ky zhvillim e bën të pamundur konkurrencën në tregjet e rajonit dhe Evropës, ku kompania e tij është e pranishme me produkte të përpunimit të metalit.

    “Do të detyrohemi të ulim numrin e punëtorëve nën 50, vetëm që të mos hyjmë në tregun e hapur në mënyrë që të ruajmë klientët me çmimet aktuale”, deklaroi ai për Radion Evropa e Lirë.

    Por, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti e kritikoi Odën Ekonomike duke thënë se “nuk ka bërë asgjë” për t’i përgatitur bizneset për këtë proces.

    Nga ana tjetër, ZRRE-ja ka thënë të premten për Radion Evropa e Lirë, se disa biznese private dhe ndërmarrje publike tashmë kanë nënshkruar kontrata me kompani të licencuara për furnizim me energji elektrike.

    Në Kosovë, liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Pse Vatikani nuk e njeh shtetin e Kosovës?

    Lajmi i rradhës

    Sëmundjet e trashëguara dhe gjenetika

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë