ZYRTARE / Talat Xhaferi zgjidhet kryeministër i qeverisë teknike

    Sot në seancën e 141-të në Kuvendin e RMV, Talat Xhaferi me 65 vota Për dhe 3 Kundër dhe të 0 të Përmbajtur është zgjedhur kryeministër i qeverisë tenike, e cila do të zgjatë tre muaj. Ky mandat i Xhaferit do të shërbejë edhe për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme, shkruan Nistori.

    Kujtojmë se Xhaferi braktis postin e kryeparlamentarit, i cili u zgjodh në gusht të vitit 2020. Ndryshe, për herë të parë një shqiptar kryeson me këtë post, marrëveshje e bërë ndërmjet ish-kryeministrit Zoran Zaev dhe Ali Ahmetit.

    Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 8 maj, së bashku me zgjedhjet presidenciale.

    Kush është Talat Xhaferi?

    Talat Xhaferi u lind më 15 prill 1962 në fshatin Forinë të Gostivarit.

    Ka përfunduar akademinë ushtarake në Beograd dhe Sarajevë. Nga viti 1985 deri në vitin 1991 ka shërbyer si epror i lartë në Armatën Popullore të ish-Jugosllavisë. Ndërkaq, nga viti 1992 deri më 2001 ka qenë oficer i Armatës së Maqedonisë së Veriut.

    Gjatë konfliktit të armatosur në vitin 2001 në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi i ishte bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, që luftoi për të drejtat kombëtare të shqiptarëve në këtë shtet.

    Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2002, Talat Xhaferi u zgjodh për herë të parë deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI). Nga viti 2004 deri më 2006, ai shërbeu në postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes.

    Në zgjedhjet parlamentare në vitin 2008, Xhaferi sërish u zgjodh deputet, ndërkaq në vitin 2013 u emërua ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Nikolla Gruevskit.

    Nga viti 2014 deri në vitin 2016 sërish ushtroi postin e deputetit në Kuvendin maqedonas, ndërsa më 27 prill 2017 u zgjodh kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Këtë post Xhaferi e mbajti deri në caktimin si mandatar për formimin e Qeverisë teknike.

    Lajmi Paraprak

    Aziri: Jam i lumtur që do të votojë Talat Xhaferin si kryeministër

    Lajmi i rradhës

    BREZI IM, BOTA IME

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë