A e deshën shqiptarët lirinë?

    Hasan Hoxha

    • Jo, ne nuk e deshëm lirinë, por robërinë.
      Neve na trokiti lufta në derë dhe nuk iu përgjigjëm. Ne, në shumicë, iu përgjigjëm statusit të refugjatit. Nga sa miliona shqiptarë nga e gjithë bota ku gjendemi, luftuam nga 12 mijë deri në 15 mijë shqiptarë maksimalisht.
      Ata që e lexojnë këtë autokritikë do të justifikohen kësisoj: ‘ku ke pasur forcë për të luftuar me Serbinë?’, ‘nuk kemi pasur armatim’ – gjoja do të kishin bërë kërdi sikur të kishte. Por, kjo nuk pi ujë, sepse në çdo rrethanë historike ne kemi vepruar njëjtë. Për rrjedhojë, nuk mund të mbroni diçka që nuk mbrohet. Derisa parashtrohen pyetjet e lartëcekura, pasojat janë: mijëra gra e vajza të përdhunuara e masakruara, mijëra fëmijë e pleq të vrarë, mijëra të tjerë të zhdukur, mijëra gra shtatëzëna me foshnje të nxjerra jashtë barkut nga thikat e paramilitarëve serbë. Këto sigurisht i kanë kryer çetnikët serbë, por me ndihmën tonë, me neutralitetin tonë, me indiferencën tonë, me ikjen tonë.
      “Pse sikur të luftonim, nuk do të kishte raste të tilla?” – do të thoshin ata. Po, do të kishte raste të tilla, por shumë më pak në numër, sepse kur nuk e ndalojmë një gjë në tërësi, së paku e parandalojmë në masë të madhe. Ne nuk e kemi mbrojtur pragun e shtëpisë, familjen dhe fqinjët, që përkthehet në ‘nuk e kemi mbrojtur atdheun tonë’. Ndaç me Kuran, ndaç me Bibël e ndaç me Kanun, mbrojtja e atdheut është obligim, është kushtrim, gjë që ne iu përgjigjëm me dezertim. Në luftë nuk iu takon të marrin pjesë gratë dhe vajzat, pleqtë dhe fëmijët (edhe pse morën pjesë). Vetëm kjo shtresë duhet të merr rrugën e refugjatit, por jo djem dhe burra të fortë, të shëndosh dhe pa asnjë të metë fizike e psiqike. Fatkeqësisht, njëjtë kemi vepruar edhe më 1843, 1878, 1899, 1910, 1911, 1912, 1913, 1914, 1915, 1918, 1939, 1945, 1997, edhe më 2001. Prit pak, se nuk e kam vendosur theksin te lufta, por te fenomeni. Kësisoj, po e vajtoj filozofinë e robërisë. Sa i përket dinjitetit, ne e rrahim gjoksin tonë me sakrificën e të tjerëve dhe i shfrytëzojmë dobitë e idealistëve, por nuk i duam dhe nuk punojmë me qëllimet e tyre.
    • Jo, ne nuk e deshëm lirinë, por anarkinë.
      Sot në paqe ne nuk e kemi ndjenjën e kolektivitetit. Rrugicat tona i bëmë vende plehrash, parqet publike i rrethuam me gardhe duke i bërë oborre private ose biznese, e ruajmë pronën private dhe abuzojmë me pronën publike, ose e okupojmë pronën publike për ta shndërruar në pronë private, dhe arsimin e shëndoshë e bëmë arsim në dializë. Shkurt thënë, ne u getoizuam vullnetarisht. Pra, sikurse kur dezertuam në luftë dhe ndodhën rastet e lartëcekura, sërish po dezertojmë në paqe duke rimëkatuar njëlloj. Ne jemi shembull model se si nuk duhet të jetë një popull. Veç kësaj, kjo nuk është ndonjë befasi, sepse ata që nuk ditën të luftojnë (jo vetëm me armë mbi shpatull), natyrisht nuk do të dinë as të jetojnë. Të jetosh është më e vështirë se të vdesësh dhe ne as nuk kemi vdekur e as nuk kemi jetuar ndonjëherë. Si besimtarë të pabesë që jemi, si do t’i përgjigjemi Zotit nesër për këtë moral të rremë dhe masakër kombëtare?
      Aty ku jemi katandisur sot është pasojë e të kaluarës tonë që nuk kalon, sepse historia është shumë hakmarrëse ndaj popujve që nuk kanë kujtesë kolektive. Për këto arsye, nuk e kuptojmë të tashmen dhe nuk e ndërtojmë të ardhmen, sepse nuk e mësojmë dot të kaluarën. Prandaj, nga dy vatrat e edukimit: familja dhe arsimi, duhet të prodhohet shqiptari i mirë, i ditur dhe atdhetar. Për këtë, çdo prind dhe mësimdhënës duhet* të jetë misionar.
    • Lexo me vëmendje, jemi te ‘duhet’ dhe jo te ‘është’. Pse kemi mosdurim nga e vërteta? Sepse ne mbijetojmë në anarki.
    • Jo, ne nuk e deshëm lirinë, por mazohizmin.
      Faik Konica, sikur të kishte udhëtuar në kohën tonë, me aq precizitet, para më shumë se një shekulli, shkruante: “Mbani mirë këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot.”
      Ne jemi fasadë e bukur nga jashtë që brenda kundërmon erë. Pse i kërkojmë gjurmët kur e kemi elefantin në dhomë? Pse e kërkojmë macën e zezë në dhomën e errët? Sepse ne nuk jemi në kërkim të zgjidhjes, por në ndërtim të kurtheve për zgjidhjen që gjendet para nesh. Sikur të përdorja gjuhën e romantizmit, e gjithë turma do të pajtohej me mua, por ja që kjo është gjuha e realizmit që të përjashton nga turma e akomoduar në Shpellën e Platonit.
      Në lidhje me këtë që u tha më sipër, Konica shkruante: “Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen.”
    • Jo, ne nuk e deshëm lirinë, por lirinë e shfrenuar.
      Njerëzit nuk i respektojnë rregullat, por i frikësohen ndëshkimit. Rregulli në botë është vendosur nën tytën e forcës. Një rregull pa ndëshkim krijon anarki. Nëse nuk do të ishte kështu, pse do të duhej të ekzistonte një mekanizëm shtetëror si policia?
      Pse lind nevoja të flasim për siguri? Kush e rrezikon atë, përveç faktorit njeri? Kush e ndalon atë? Pra, frika që nuk vjen nga rregulli, por nga ndëshkimi. Sa për rregull, bota njerëzore do të jetonte si bota shtazore, me ligjin e xhunglës.
      Frika nga ndëshkimi e pushon së ekzistuari parregullsinë. Kështu, frika e ruan malin, jo rojtari. Pa një frikë paraprake, edukimi është veç një përrallë e bukur.
      Makiaveli në veprën e tij thotë:
      “Njerëzit zakonisht druhen më pak që të godasin dikë që e ka bërë veten të dashur për të tjerët, sesa dikë të cilit gjindja i tremben. Droja mbështetet te frika e të qenit i ndëshkuar, e cila s’të braktis kurrën e kurrës.”
      Bota e civilizuar mbanë në duar dy simbole: në njërën dorë mbanë karrotën dhe në tjetrën dorë mbanë çekanin. Si rrjedhojë, cilën e kërkon, atë dhe të japin. Në rastin e botës tonë, duart mbajnë dy karrota, ndërsa çekani përdoret veç për të ngulur gozhda.
    • Jo, ne nuk e deshëm lirinë, por rehatinë me parehatinë.
      Tërheqja dhe heshtja individuale shndërrohet në tërheqje dhe heshtje kolektive. Këtë jemi mësuar ta shohim dhe dëgjojmë. Ajo që neve na mungon është këmbëngulja dhe rebelimi individual i cili shndërrohet në këmbëngulje dhe rebelim kolektiv.
      Po kështu, me “po-të” jemi mësuar, nuk janë asgjë interesante, i dëgjojmë për çdo ditë. Neve po na mungojnë “jo-të” që i kemi hequr totalisht nga fjalori. I vetmi “rebelim” dhe e vetmja “jo” që futet në përdorim është kur neve na preket interesi personal. Sa i përket interesit kolektiv: “secili qetësi në shtëpinë e tij.”
      Nëse do t’i pyesnim të gjithë njëpërnjë se kush i ka fajet, të gjithë individualisht do të thonin se janë të pafajshëm, lexo: pafajësi kolektive. Atëherë, nga po na vjen e keqja? Pra, ata gënjejnë, lexo: gënjeshtër kolektive. E vërteta është se të gjithë tok së bashku kemi faj, lexo: fajësi kolektive.
      Pyetje njëmilionësh: pse nuk e bëjmë të kundërtën? Sepse jemi shoqëri frikacake, shoqëri e grupeve të interesit, shoqëri e heshtjes dhe e konformizmit, pa taban dhe pakurrizor.
      Ja pra, fajin këtë herë nuk po e lë jetim, po e kap për dore dhe po e njoftoj me nënën e tij duke i hapur sytë me pincetë dhe t’i them se “kur individët shkrihen në një bashkësi, ato janë e gjithë shoqëria”.
    Lajmi Paraprak

    Studentja e UT-së u shpërblye me çmimin e parë në Garat ndërkombëtare të muzicientëve të rinj

    Lajmi i rradhës

    Pse nuk duhet të përdorni letrën e aluminit për ruajtjen e ushqimeve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë