Një rrugëtim i vështirë që sapo fillon

    LEONIDHA MËRTIRI

    Hapja e negociatave me Bashkimin Europian nuk është pak. Kjo, me të drejtë, është ngjarje e shënuar pas shumë premtimesh, por dhe zhgënjimesh. Një vlerësim real dhe jo për sadaka. Dhe tani, nuk ka të humbur dhe të fituar. Akoma më tej, s’ka pse ta ushqejmë atë, sidomos ndaj kundërshtarëve politik apo dhe jo kundërshtarë. Kjo ngjarje, realisht është fitore që u takon të gjithë shqiptarëve. Pavarësisht qeverisë së sotme, askush nuk mund t’ia japë vetëm asaj kurorën. Sigurisht, ajo ka pjesën e vetë. Por edhe qeveritë e mëparshme janë përballur me sfidat e njohura, duke punuar për këtë ditë, për realizimin e ëndrrës, që ajo të mos vritej, por të rritej pa eufori, me tërë kujdesin – integrimin europian të vendit, rritjen e dinjitetit të tij.

    Qindra punonjës të angazhuar për realizimin e kërkesave të Bashkimit Europian, me besimin e bukur tek Europa, madje, herë-herë duke e idealizuar atë, pa çka se qeveritë që kanë shkuar e kanë ardhur, disave prej tyre ua kanë lënë përkushtimin në udhë, për t’i zëvendësuar me militantë të vetë ndën kupolën e nëpërkëmbur të administratës ideologjike. Pra, jo për sy e faqe, por ky është kontributi i të tërëve, pavarësisht të qënurit në vijën e parë apo pasardhësen e saj. E rëndësishme, që ëndrra jonë merrte krahë.

    Në këto çaste nuk mund të mos mendoj kolegët e mi diplomatë, ambasadorë, drejtues drejtorishë, specialistë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në përfaqësitë tona diplomatike në vende të ndryshme, që tërë puna e tyre në vend dhe sidomos në kontaktet e shumta me ndërkombëtarët të ndërtohej e tillë, për t’i shërbyer rrugëtimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, që me punën e të gjithëve e ardhmja e vendit të bëhej dhe më e sigurt. Kështu, edhe në sektorët e tjerë, pavarësisht luhatjeve. Dhe kemi të drejtë të krenohemi.

    Por, përse në Bruksel nuk i pamë përfaqësuesit e opozitës apo, mendoj, dhe ish ministra të jashtëm, si Paskal Milo, Besnik Mustafaj, Arta Dade, Ditmir Bushati? Për këta të fundit, nuk është fjala për garniturë, por për rolin tepër aktiv e të njohur që vazhdojnë të luajnë me punën konkrete të tyre në fushën e integrimit europian të vendit. Ata kanë ç’të japin. Kur flasim ndërkohë për opozitën, nuk do të mjaftonte ajo që “nuk e dimë kush është ajo”(?!). Përfaqësues të saj i ke dhe në Komisionin e Jashtëm dhe të Integrimit në parlament e gjetkë. Rrugëtimi në Bashkimin Europian nuk mund të të pranojë me kokën mënjanë ndaj njëri-tjetrit, ndaj njerëzve të tu, që s’mund t’u hashë hakun kurrsesi, meritat që u takojnë në vite, pavarësisht oshilacioneve të politikës. Edhe ata me punë nuk i janë ndarë ëndrrës së të gjithëve. Do të ishte një reflektim serioz për të dy palët, zhveshur nga egot e bezdisëshme, sidomos nga ata që janë në pushtet. Dhe çdo spekullim ndaj njërit apo tjetrit do të binte poshtë, sidomos në këto ditë të shumëpritura. Nga ana tjetër, mesazhi i përcjellë nuk do të binte në vesh të shurdhër. Për mesazhe të tilla ka më shumë nevojë vendi, vetë e ardhmja e njerëzve tanë. Ato bëjnë që që të zvogëlohet e t’i ngushtohet hapësira rrethit vicioz të atyre komplekseve që shfaqen apo “flenë” për t’u rizgjuar. Mjedisi europian, aq i dëshiruar për ne, nuk mund të pajtohet pa një marrëdhënie të qëndrueshme pozitë-opozitë, duke mos nëpërkëmbur njëra-tjetrën. Interesi, në fund të fundit është i njëjtë.

    Pa eufori, rruga për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Europian sapo fillon. Për të qënë objektiv, sa më realist, rruga është e gjatë. Por dhe tepër e vështirë. Cic-micet nuk e ndihmojnë aspak këtë. Kriteret e anëtarësimit presin më shumë punë. Përshpejtimi i reformave, përballja me sfidat e njohura tashmë kërkojnë një mentalitet dhe veprim të ri. Përmbushja e tërë kapitujve në këtë rrugëtim do edhe një përkushtim më të madh. Kështu, demokracia, duke mbushur dhe ato të çara që vërehen, do të ndihet më mirë. Vetë rregullat e Bashkimit Europian nuk mund t’i lënë asnjë lloj livadhisjeje informalitetit të padëshirueshëm në fusha më rëndësi jetike; në ekonomi, në drejtësi, kudo…Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, konsolidimi i shtetit ligjor, me një funksion të plotë të drejtësisë së re, etj, e bëjnë më të dukshme rrugën për në Bashkimin Europian. Të gjitha këto nuk mund të arrihen, siç thuhet te ne, duke u thekur në diell apo duke pritur nga të tjerët. Anëtarësimi në BE kërkon më shumë punë, si alternativë absolute për të gjithë shqiptarët. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Hapja e negociatave, shans për opozitën

    Lajmi i rradhës

    LSDM: Të gjithë gënjeshtrat e Mickoskit dhe Apasievit janë demaskuar

    Lajme tjera

    Më fal jetë…

    Venhar Kadria | Student Më fal jetë, por duhet të jetoj, duhet të jetoj në një vend ku…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë