A ka burra ky vatan?

    EKREM SPAHIU 

    Shqiptarët nuk janë një komb që tremben nga të tjerët, apo të ndjehen inferiorë ndaj të tjerëve. Por, koha është të kërkojnë dhe të gjejnë fuqi nga vetja, fuqinë e burrave të kombit; që motivohen për brezat e ardhshëm, jo për votat e ardhshme; që interesin kombëtar e vënë përpara çdo interesi tjetër; që dinë të orientohen pikërisht në situata kritike sikurse gjendet sot Kosova; që dinë të ndërtojnë komunikim, jo të bëjnë karshillëk mes vetit. Për më tepër, të pyeten nga burrështetasit e aleatëve natyralë të shqiptarëve, jo të mënjanohen prej tyre. Vatani i përbashkët shqiptar kërkon pikërisht të tillë burra.

    Pas 15 vjetësh shtet i pavarur, Kosova gjendet përsëri në një moment kritik. Një çerek shekulli më parë, ajo u gjend në pikë kritike, por për jetë a vdekje përfundimtare. Atëherë, SHBA-ja dhe Evropa, e shqiptarët natyrshëm bashkë me ta, ia arritën të bëjnë detyrën historike: bënë luftën ndoshta më të madhe për arsye vlerash perëndimore: çlirimin e Kosovës nga sundimi barbar njëshekullor serb dhe ndëshkimin e spastrimit më të egër etnik të kohëve moderne që kryente regjimi i Millosheviçit.

    Shqiptarët e patën bërë këtë detyrë historike në një çast tjetër kritik në atë vit të largët 1878 kur, në Kuvendin Mbarëkombëtar, në Prizren, lidhën besën, vullnetet dhe armët për bashkim kombëtar në vatanin e përbashkët shqiptar. Ashtu, sikurse i dhanë një mesazh të vendosur Evropës se ishin bashkë dhe se Evropa nuk duhet të harronte që pikërisht shqiptarët e bashkuar, pesë shekuj më parë, ishin bërë muri mbrojtës i saj.

    Shqiptarët e patën bërë këtë detyrë historike edhe në vitin 1912, kur trojet shqiptare u tentuan të copëtoheshin përfundimisht nga fqinjët ballkanikë. Dhe këtë herë, të gjithë shqiptarët, nga Mitrovica në Çamëri, e bënë detyrën në Vlorë ku e shpallën vatanin e përbashkët shqiptar të lirë e të mosvarur. Këtë herë, në aleancë të paktën me gjysmën e Evropës. Nuk ishte më pak kritike periudha midis dy luftërave botërore, ku Shqipëria u rrezikua përsëri të copëtohej. Ishte një burrështetas amerikan, Uodrou Uillson që e shpëtoi për të mos e fshirë nga hartat.

    Por ishte edhe një burrështetas shqiptar si Mbreti Zog, që bëri zgjidhjen më të mençur pas atij destabiliteti të gjatë gati 15 vjeçar: që i dha Shqipërisë shtetin, instrumentin themelor për t’u ndjerë i barabartë midis kombeve e për të zgjidhur, pas këtij hapi, çfarëdo obligim tjetër kombëtar, sikurse ishte bashkimi kombëtar, të cilin e kodifikoi në Statutin Themeltar të Mbretërisë. Sikurse bëri edhe zgjidhjen tjetër të mençur: sigurimin e mbështetjes së SHBA, qeveria e së cilës e njohu nga të parat nën titullin “Mbret të Shqiptarëve” dhe që Ahmet Zogu i siguroi “… mirënjohjen më të thellë për këtë akt të miqësisë së përzemërt ndaj meje personalisht dhe për popullin shqiptar …”, që e demonstroi deri edhe me përzgjedhjen për krijimin e familjes mbretërore.

    Kosova sot po gjendet në një pikë të ngjashme kritike. Ku aspektet e tjera kombëtare kanë errësuar perspektivën themelore: njohjen ndërkombëtare. Ku nuk gjendet unifikimi apo mirëkuptimi me Shqipërinë, e provuar si aleat strategjik i SHBA-së, anëtare e NATO-s dhe kandidate për anëtare e BE-së. Ndërkohë që po kjo Shqipëri, është e lidhur me detyrim kushtetues si shtet amë për çështjen kombëtare, çka shprehet në preambulën e Kushtetutës “… me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar”. Një obligim që e zbatoi në periudhën e terrorit dhe gjenocidit të Serbisë në Kosovë, kur i gjithë spektri politik shqiptar u deklarua publikisht dhe unanimisht nën moton: “Një komb-një qëndrim”.

    Situata aktuale në Kosovë kërkon të evokohet përsëri thirrja “Një komb – një qëndrim”. Shteti shqiptar, krahas qëndrimeve të natyrshme si aleat i NATO-s, e ka të detyrueshme të shfaqet me një qëndrim kombëtar, jo vetëm deklarativ, as vetëm qeveritar, por mbarështetëror. Për interesa të tilla mbipartiake, çfarëdo pozitë dhe çfarëdo opozitë, lënë mënjanë interesat politike partiake, apo “luftën” reciproke, për të përcjellë një mesazh të përbashkët çka mund të ishte një “Rezolutë e Kuvendit të Shqipërisë”.

    Për interesa të tilla strategjike mbarëkombëtare, burrështetasit e Shqipërisë dhe të Kosovës, duhet ta kishin gjetur dhe duhet ta gjejnë atë hapësirë të artë, që shtrihet mbi xhelozirat e ngushta, për të diskutuar mbarëkombëtarisht alternativat më racionale për sigurinë dhe të ardhmen kombëtare. Këto objektiva nuk arrihen kur karroca vihet përpara kalit, kur sovranizmi vihet përpara fuqisë ekonomike dhe ushtarake. As kur sovranizmi vihet përpara njohjes ndërkombëtare. Kur shpërfillen këto raporte madhore, sot pengmerren policë dhe jo që nuk tregohet dinjitet, jo më fuqi. Po nesër, kur mund të futen në lojë projekte edhe më të egra goditëse?

    Shqiptarët nuk janë një komb që tremben nga të tjerët, apo të ndjehen inferiorë ndaj të tjerëve. Por koha është të kërkojnë dhe të gjejnë fuqi nga vetja, fuqinë e burrave të kombit; që motivohen për brezat e ardhshëm, jo për votat e ardhshme; që interesin kombëtar e vënë përpara çdo interesi tjetër; që dinë të orientohen pikërisht në situata kritike sikurse gjendet sot Kosova; që dinë të ndërtojnë komunikim, jo të bëjnë karshillëk mes vetit. Për më tepër, të pyeten nga burrështetasit e aleatëve natyralë të shqiptarëve, jo të mënjanohen prej tyre. Vatani i përbashkët shqiptar kërkon pikërisht të tillë burra. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Leunora Kaliqi kryetare e re e Këshillit Drejtues të KEMM

    Lajmi i rradhës

    Pushteti i gatshëm të zvogëlojë afatin për metodologjinë e rritjes së pagave

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë