Afër apo larg një gjuhe të përbashkët

    LEONIDHA MËRTIRI

    Raportuesi për Parlamentin Europian, Vladimir Bilçik, e shikon stërvitjen e përbashkët ushtarake të Serbisë me Rusinë dhe Bjellorusinë si të tillë që nuk i shërben përparimit në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian, kur marrëdhëniet e BE-së me Moskën janë të ftohta, kurse ato me Bjellorusinë të ngrira aktualisht…

    Kundërpërgjigjja e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ishte e menjëhershme, sipas “Tanjugut”, se raportuesi europian nuk mund t’i sugjerojë Serbisë se me kë ajo do të marrë pjesë në stërvitjet ushtarake. Replika më tej e Bilçik sqaron se ai me këtë nuk pengon zgjedhjet sovrane dhe të lira të Serbisë, por se gjetkë është problemi. Sepse probleme të politikës së jashtme, harmonizimi i kësaj politike me BE-në duhet të merret parasysh, sikurse veprojnë të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian.

    Ky harmonizim shprehet qartë, pa ekuivokë në Kapitullin e 31-të të negociatave me këtë të fundit. Pra, edhe pse kërkohet konvergjenca e qëndrimeve me politikën e jashtme të BE-së, këto detyrime ndaj Brukselit shpërfillen, edhe pse, siç thamë, nënvizohet në dokumentet me shtetet kandidate për në Bashkimin Europian. Lobet ruse në këto vende nuk i devijojnë devotshmërisë, rolit të tyre minues, joshur këto dhe me planet ekonomike, të ushqyera nga interesat e Moskës.

    Duke ndjekur oscilacionet e Serbisë, jo të rastësishme, ajo përpiqet të mbulojë me gjestikulacione të zvetënuara obligimet ndaj BE-së. Mbështetja e BE-së për zgjedhjet në Bjellorusi, të manipuluara nga Presidenti i vendit, u nguros në deklarata, sepse nuk u shoqëruan me sanksione nga Beogradi, gjë që, siç thotë eksperti serb i marrëdhënieve ndërkombëtare, Zoran Milivojeviç, nuk do të ndodhë as këtë radhë për mbylljen e hapësirës ajrore për avionët bjellorusë.

    Duket që për serbët balanca anon më shumë nga Rusia. Me retorikën e njohur të tij, kreu i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, dy javë më parë përsëriti mesazhin, sipas të cilit, shpreson se sensi i mirëkuptimit do të dominojë për të zhvilluar një marrëdhënie të re të balancuar dhe të bazuar në parimet ligjore ndërkombëtare me BE-në.

    Kështu, pavarësisht ulje-ngritjeve, megjithatë bëhen përpjekje për ruajtjen e dialogut midis tyre. Por ajo çka është evidente, sipas Presidentit të Këshillit të Europës, Charles Michel, marrëdhëniet me Rusinë janë në nivel të ulët dhe se përkeqësimi i kësaj situate nuk është në interesin e asnjërës palë. Retorizmi për çështje të rëndësishme është bërë më se i zakonshëm. Kështu vazhdon të ndodhë me pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ndërsa BE mbështet fuqishëm këtë, rusët konfliktin në këtë vend e shohin si krizë të brendshme.

    Edhe më tej. Vetëm pak orë pas takimit në Gjenevë të presidentëve Biden-Putin, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e konsideron vijë të kuqe për Moskën anëtarësimin e Ukrainës në NATO, teksa Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kërkon që vendi i tij të ketë një plan për anëtarësim në këtë Aleancë Veri-Atlantike.

    Rusia, sikurse folëm për Serbinë, tërë rajonin e Ballkanit, në kuadrin e zgjerimit të sferave të influencës në Europë, e sheh brenda ndikimit të vet, ndaj dhe përkrahja e forcave filoruse në vendet e rajonit tonë është objektiv joshës i politikës, diplomacisë së Moskës.

    Javën e kaluar ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandër Bocan Kharchenko, në një intervistë për median serbe, duke përgëzuar Presidentin Vuçiç për qëndrimet e tij ndaj Kosovës, që të mos ndryshojë pozicionin e tij, pohon më tutje se Rusia, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKBsë, “është plotësisht e përfshirë në çështjen e Kosovës dhe Metohisë”.

    Jo vetëm për këtë problem, por dhe në tërë problematikën rajonale, që lidhet si në rastin konkret me interesat nacionale të Serbisë, Rusia i qëndron pranë asaj.

    Edhe Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç, arritjen e një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë e shikon me praninë e domosdoshme të Rusisë dhe Kinës. Natyrisht, flirti në plan politik me këto vende nuk mund të pritet mirë nga BEja. Edhe në BE, edhe të flirtosh me to (?!) Rusisë i intereson një paqëndrueshmëri në zbatimin e vendimeve të BE-së nga vendet anëtare apo kandidate të saj. Prandaj dhe një strategji e qartë e Bashkimit Europian, sidomos për vendet e Ballkanit Perëndimor, do të ndihmonte në afrimin më tepër të tyre, por dhe për t’i mbajtur larg klimës së acartë.

    Nga ana tjetër, në kërkim të një gjuhe të përbashkët midis BE-së dhe Rusisë, përpjekjet për një menaxhim më të kujdesshëm të marrëdhënieve të tyre ekonomike do të krijonin më tepër pika afrimi. Në këtë kuadër ishte dhe takimi në Gjenevë i presidentëve Biden dhe Putin për të biseduar për çështje të stabilitetit strategjik, gjendjen në Ukrainë, për ecurinë e bashkëpunimit ekonomik dhe probleme të tjera që lidhen me ndryshimin e klimës, luftën kundër krimit kibernetik etj.

    Pavarësisht vështirësive për përmirësimin e marrëdhënieve BE-Rusi, mungesës së lëshimeve sado të vogla nga secila palë, më mirë është të bisedohet sesa me kokën mënjanë ndaj njëri-tjetrit./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Liqeni më i madh në Tokë ishte në zemër të Europës

    Lajmi i rradhës

    Shkëmbinj të hedhur në lum, shtylla elektrike që paraqesin rrezik për qytetarët, rrugë të dëmtuara në Banjën e Tetovës! (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë