Annegret Kramp-Karrenbauer
“Atlantic Council”
Pas ripushtimit të Afganistanit nga talebanët, është absolutisht vendimtare që ne evropianët të pranojmë një të vërtetë të rëndësishme në lidhje me përfundimin e misionit tonë në Hindu Kush:Ne nuk ishim në gjendje që t’i kundërviheshim vendimit të SHBA-së për t’u tërhequr nga ky vend, për shkak se nuk kishim aftësitë ushtarake, që do të na jepnin mundësinë të qëndronim atje edhe pa praninë ushtarake amerikane.
Për pasojë, ndikimi ynë politik ishte i kufizuar. Është e vërtetë se Perëndimi ka pësuar një goditje të rëndësishme në Afganistan. Por nëse kjo do të përkthehet në një humbje të përhershme, kjo gjë do të varet tërësisht nga përfundimet që ne do të nxjerrim nga kjo përvojë.
Nëse këto leksione do të çojnë në një përçarje midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ose midis evropianëve dhe amerikanëve, kjo do të ishte një humbje e vërtetë. Dhe nëse për pasojë, ne do të tërhiqemi nga angazhimet ndërkombëtare dhe përgjegjësitë tona globale, atëherë Perëndimi do të ketë humbur vërtet.
Por nëse ne evropianët do të merremi seriozisht tani me çështjen e mbrojtjes, dhe nëse do të arrijmë ta mbështesim diplomacinë tonë me “muskuj” të mirëfilltë ushtarakë, dhe ta forcojmë Perëndimin si një partner i lidershipit global të Amerikës, atëherë në tërësi Perëndimi do të jetë fituesi.
Atëherë, çfarë duhet bërë? Së pari, ne nuk duhet të përfshihemi në debate nëse duhet apo jo të krijojmë një forcë të re të Bashkimi Evropian për një reagim të shpejtë, si një njësi ushtarake shtesë në dispozicion të përhershëm të BE-së. Problemi nuk është krijimi i një force të veçantë; kjo pasi tashmë ekzistojnë shumë burime ushtarake.
Është e vërtetë:ne gjithmonë mund të përdorim më shumë pajisje shtesë. Por në fakt faktori kufizues nuk është mungesa e aftësive teknike apo edhe institucioneve. Përkundrazi, e mungesës së vullnetit politik për të vepruar së bashku.
E ardhmja e sigurisë dhe mbrojtjes së Bashkimit Evropian, sillet rreth një sërë pyetjesh kryesore:Si mund t’i përdorim si duhet aftësitë tona ekzistuese? A ka një vullnet të mjaftueshëm politik për të vepruar së bashku? Dhe nëse jo, si mund ta krijojmë këtë vullnet politik?
Pastaj janë pyetjet e tjera:Si mund të marrim më shpejt vendime si një grupim prej 27 vendesh anëtare, në mënyrë që larmishmëria jonë të mos e kufizojë më aftësinë tonë? Cili është niveli ynë i ambicies? Në çfarë lloj misionesh duam të ndërmarrim në të vërtetë?
Dhe nga perspektiva e një praktikuesi ushtarak, kur mund të fillojmë stërvitjen për këtë qëllim?
Pasi të sqarojmë ambicien tonë në një situatë specifike, ne mund t’i referohemi shpejt nenit 44 të Traktatit të BE-së, për të mundësuar ndërtimin e një ”koalicion të vullnetit në BE” që është i gatshëm për të vepruar, bazuar tek një vendim kolektiv i të gjitha shteteve anëtare.
Sapo ta kemi kthyer debatin e mbrojtjes të BE-së në një diskutim rreth vullnetit politik – jo rreth institucioneve – mund të pasojnë disa hapa strategjikë shtesë.
Për shembull, për sigurinë rajonale në zonën e afërt dhe atë më tej Evropës, ne mund të caktojmë disa zona të përcaktuara qartë të përgjegjësisë për grupet e shteteve anëtare që veprojnë në këto rajone, në emër të gjithë Bashkimit Evropian.
Po ashtu me mund ta përdorim më mirë dhe në një mënyrë më të integruar bashkëpunimin tonë ekzistues në transportin ajror strategjik. E njëjta gjë vlen edhe për bashkëpunimin në hapësirë, që përfshin komunikimet satelitore dhe asetet e eksplorimeve hapësinore.
Së fundmi, për t’u përgatitur për operacione të tilla, si përpjekjet për evakuim në Kabul, forcat tona speciale mund të fillojnë stërvitjen së bashku mbi skenarë dhe raste të planifikuara me saktësi. Forca e vërtetë në sigurinë dhe mbrojtjen e BE-së, mund të vijë vetëm nga shtetet anëtare dhe kryeqytetet e tyre.
Aty ndodhen burimet dhe po aty mund të merren vendime për përdorimin e forcës. Sigurisht, institucionet aktuale në Bruksel mund të ndihmojnë. Por është përgjegjësi e shteteve anëtare që të mblidhen së bashku, dhe t’i japin fund performancës së dobët të Evropës në fushën e mbrojtjes.
Diskutimet midis shteteve anëtare për disa nga këto ide kanë filluar tashmë. Por tani është koha që këto diskutime të zgjerohen dhe intensifikohen, me synim shndërrimin e Bashkimit Evropian në një lojtar strategjik, që duhet të merret parasysh nga fuqitë e tjera në arenën ndërkombëtare.
Shënim: Annegret Kramp-Karrenbauer, është Ministre e Mbrojtjes e Gjermanisë. / Atlantic Council/