Një botë e mbytur në borxhe, në horizont afrohet një krizë e re

    Anne O. Krueger
    “Project Syndicate”

    Lajmet e fundit në media duket se parashikojnë një krizë të re globale të borxhit. Shtetet e Bashkuara po zhyten në greminën e një falimentimit të vetë-shkaktuar. Egjipti, Gana, Pakistani dhe shumë vende të tjera gjenden në vështirësi të mëdha financiare.

    Barra e borxhit të Italisë dhe Japonisë është bërë akoma më e rëndë. Ndërkohë kinezët po vonojnë ose pengojnë përpjekjet shumëpalëshe për të ristrukturuar borxhin e vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Fondi Monetar Ndërkombëtar, numëron 41 vende si vende me borxhe të mëdha, dhe kjo nuk përfshin vendet me të ardhura mesatare si Argjentina, Pakistani dhe Sri Lanka.

    Shqetësimet që kanë nxitur këto zhvillime janë reale, por midis tyre ka edhe dallime thelbësore. Kështu SHBA-ja zotëron kapacitetin për të shlyer borxhet e saj, dhe ka qenë një huamarrëse e besueshme për shumë vite. Problemi i saj është politik. Ndërkohë, çështja për vendet më të varfra është nëse apo sa mund të paguajnë.

    Shumë vende me borxhe të mëdha por me të ardhura të ulëta, kanë nivele borxhi që janë tashmë të paqëndrueshme ose do të jenë së shpejti të tilla. Disa kanë pezulluar pagimin e kësteve ose kanë njoftuar se do të duhet ta bëjnë këtë shumë shpejt. Huadhënësit privatë kanë reaguar duke refuzuar të japin më shumë hua.

    Por ky grup vendesh të zhytura në borxhe, mund të ndahet më tej në dy grupe. Disa vende ishin në pozita relativisht të kënaqshme derisa Covid-19, i detyroi të merrnin më shumë hua për të financuar shpenzimet e lidhura me pandeminë.

    Institucionet financiare ndërkombëtare, kanë krijuar lehtësira të posaçme për t’i ndihmuar këto vende të sigurojnë financim shtesë të shpejtë dhe për të mbështetur financimin normal ndërsa po rimëkëmben ekonomitë e tyre. Grupi tjetër, kishte një nivel borxhi të lartë dhe në rritje që përpara COVID-19, shpeshherë për shkak se kishin shpenzuar në projekte me një produktivitet të ulët dhe negativ.

    Një rast i tillë është Sri Lanka. Një qeveri e re mori pushtetin atje në vitin 2019 dhe uli ndjeshëm taksat, duke rritur deficitin fiskal tashmë të madh dhe duke marrë akoma më shumë hua. Ndërsa politikat e brendshme të keq-këshilluara – sidomos ndalim i inputeve bujqësore të importuara – e reduktuan ndjeshëm prodhimin bujqësor të vendit, qeveria i shpenzoi të gjitha rezervat në valutë të huaj, dhe më pas mori hua me norma më të larta interesi (veçanërisht nga Kina) derisa nuk mund ta bënte më këtë.

    Për shkak se shumë vende me borxhe të mëdha mbështeten tek importet për ushqimet bazë, ilaçe dhe mallrat gjysmë të gatshme, paaftësia për të financuar importet gjatë një krize mund të shkaktojë mbylljen e fabrikave dhe një rënie të madhe të aktivitetit ekonomik, siç ndodhi në Sri Lanka.

    Derisa vendi i prekur të fitojë sasinë e nevojshme të valutës së huaj për të financuar flukset e rinovuara të importeve, produktet thelbësore do të mbeten të pakta. Në këto raste, FMN-ja punon me qeverinë për të formuluar politika, të cilat i japin mundësi vendit të rivendosë rritjen ekonomike dhe aftësinë kreditore.

    Në rast se FMN-ja nuk do të këmbëngulte në reforma të tilla, ajo vetëm sa do të rriste borxhin e vendit në fjalë dhe do të shtynte një ballafaqim të pashmangshëm me realitetin.

    Prandaj, për të siguruar që vendi të ndjekë politika të tilla, FMN-ja i disburson përgjithësisht fondet në disa këste ndërkohë që kryhen reformat, me disbursimi fillestar që mundëson rifillimin e flukseve të importeve dhe shërbimin e borxhit. Duke njohur ndikimin e krizave të tilla tek të varfërit, disa ekspertë kanë kërkuar uljen e borxhit dhe ofrimin e fondeve të reja pa asnjë kusht, në mënyrë që vendi debitor të korrigjojë dështimet e politikave që çuan në zhytjen e tij në borxhe ekstreme.

    Por duke supozuar se huadhënia e re do të ndihmojë të varfërit, ata nuk arrijnë të kuptojnë se ky është shpesh një rast i “hedhjes së parave të mira pas të këqijave”. Në shumë raste, një arsye pse vendi është i varfër, është se borxhi i tij i dikurshëm shkonte drejt investimeve me një produktivitet të ulët.

    Pavarësisht nga procesi i gjatë që ndjek FMN-ja përpara se të bjerë dakord për një program investimi, mund të ketë probleme shtesë që shfaqen pas nisjes së tij. Kur FMN-ja e konsideron barrën e borxhit të një vendi shumë të rëndë për të përballuar kërkesat e saj për shërbimin e borxhit, ristrukturimi i borxhit sovran duhet të jetë pjesë e programit të dakordësuar midis palëve dhe të negociohet me kreditorët privatë dhe ata publikë.

    Ndonjëherë, reformat dhe paratë e FMN-së, mund ta ndihmojnë një vend të arrijë një rritje ekonomike të mirë si dhe të financojë shlyerjen e borxhit. Por në raste të tjera, borxhi është bërë aq i madh, saqë është e paarsyeshme të pritet që vendi të rifillojë plotësisht pagimin gradual të tij.

    Për ta adresuar këtë çështje, zyrtarët nga qeveritë e vendeve kreditore do të takohen dhe bien dakord për kushtet e ristrukturimit të borxhit, të cilat mund të përfshijnë një reduktim të vlerës nominale të borxhit, një ri-planifikim të pagesave të principalit (shumën fillestare të marrë hua) apo edhe për një periudhë mospagimi.

    Tradicionalisht, në këto bisedime marrin pjesë edhe kreditorët privatë, dhe ata do të bien dakord për një reduktim të shumës së borxhit të papaguar. Por shndërrimi i Kinës në kreditoren më të madhe të ekonomive në zhvillim por edhe të zhvilluara i ka përkeqësuar gjërat. Kinezët kanë nguruar të ristrukturojnë borxhet e tyre, duke këmbëngulur që vendet debitore t’u japin çdo gjë që u nevojitet për të shlyer detyrimet e tyre.

    Në rast se FMN-ja do të disbursonte fondet në këto kushte, një pjesë e tyre do të shkonte për të shlyer Kinën, e cila më pas do të trajtohej në mënyrë më të favorshme se kreditorët e tjerë. Prandaj, programet e FMN-së nuk mund të zbatohen, derisa të gjithë kreditorët të kenë arritur një marrëveshje për ristrukturimin e borxheve.

    Sri Lanka nuk mundi të merrte për muaj të tërë fonde nga FMN-ja, vetëm sepse kinezët refuzuan të reduktonin normat e interesit për kreditë që kishin dhënë. Në vend të kësaj, ata donin t’i jepnin hua edhe më shumë para Sri Lankës në mënyrë që ajo të mund të ripaguante borxhin e saj (dhe të rriste borxhin e saj të përgjithshëm ndaj Kinës).

    Po kështu, ristrukturimi i burxheve të Zambias është shtyrë vazhdimisht që nga nëntori 2020.

    Është e vërtetë, që Kina ka nënshkruar më në fund disa marrëveshje me disa vende që do t’i jepnin mundësi FMN-së të disbursonte fondet.

    Por shumë vende të tjera të zhytura në borxhe, janë të detyruar të ndërmarrin reforma politikash në përputhje me një program mbi të cilin është rënë dakord me FMN-në, gjë që do të thotë se mund të priten akoma më shumë vonesa. Shpresohet se Kina ta kuptojë se është në interesin e saj të krijojë një proces më të qetë dhe më të shpejtë për reformat e politikave dhe ristrukturimin e borxhit.

    Shënim: Anne O.Krueger, ish-kryekonomiste e Bankës Botërore. Aktualisht është profesore e ekonomisë ndërkombëtare në Universitetin Xhon Hopkins.

    Lajmi Paraprak

    Taravari në Kumanovë: Ka sinjale të qarta se VMRO-DPMNE është e gatshme për ndryshimet kushtetuese

    Lajmi i rradhës

    Emmanuel Macron | Ja si taktikat populiste po ia rrënojnë karrierën presidentit francez

    Lajme tjera

    Shqiptaria myslimane

    Justinian Topulli Në Kosovë, dhe jo vetëm, hapet e rihapet vazhdimisht debati absurd i mohimit të shqiptarisë së…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë