Antishqiptarizmi si pasaportë patriotike!

    Urim Hasipi

    Thirrjet antishqiptare në Kumanovë nuk janë thirrje të rastësishme, por janë të organizuara. Janë kundër një kombi që nuk ka probleme me fqinjët, por çdo herë fqinjët kanë pasur probleme me neve.

    Ky është mentalitet që bartet brez pas brezi, sepse nuk janë thirrje që kanë nisur sot. Sepse patriotizmi maqedonas matet sa je antishqiptar.

    Patriotët maqedonasë kurrë nuk guxuan të thonë “gasna komora za Bugarite”, “smrt za Bugarite”, “dobar Bugar mrtov Bugar” ose “smrt za Grcite” etj. etj.

    Nëse ka pasur thirrje antishqiptare “gasna komora za Albancite” në 1992, 1994, 1997, kjo i vjen se nëse një prind maqedonas ka qenë atëherë 30-vjeçar ose 40-vjeçar, sot mund të jetë 60 ose 70-vjeçar.

    Pra, i vjen që sot thirrjet vijnë nga fëmijët e tyre, të cilët janë “mësuar” dhe “edukuar” se armik të përbetuar i kanë shqiptarët. Sikur të ishte ndryshe, sigurt do kishte arrestime, burgosje, por… sikur shqiptarët të thërrisnin “gasna komora za Makedoncite”, kushedi dosje për në Hagë do kishin përgatitur.

    Më e keqja është se thirrjet, nga një publik ku e kanë afër kryeministrin, tregon se ata kanë marrë instruksione për ta bërë këtë.

    Ma e keqja përtej të keqes është se thirrjet vijnë nga fqinji i parë, nga shitësi ose blerësi, nga punonjësi në administratë, në komunë, në spital, në shkollë, në agjencion për punësim – pra, ata punojnë diku, marrin rrogë nga taksat tona dhe në fund na shajnë.

    Sigurt në tribuna ka pasur maqedonasë që fqinj të parë e ka një shqiptar dhe kjo është frustracion i pakuptueshëm, sepse sigurt kur takohet me fqinjin, i thotë se sa mirë jetojnë.

    Pyetja është: kush janë shqiptarët që duhet të vdesin? Cilët shqiptarë duhet të vdesin? Këtë s’e kuptoj.

    Secili shqiptar ka një ose më shumë kolegë maqedonasë në vendin e punës, dhe e kundërta – dhe kur shkojnë në ndeshje sportive, thërrasin kundër kolegëve të tyre.

    Unë s’e kuptoj tash: cili prej neve duhet me vdek, ose me na vra?

    Reagimi i opozitës shqiptare sot është vetëm për pikë politike dhe se nuk u dhimbset fati i shqiptarëve, sepse kanë heshtur kur ka pasur thirrje të këtilla kur ishin në pushtet.

    Mos harroni: antishqiptarizmi i ka rrënjët gati se një shekull. Reagimi i Izetit është sikur të ishte kryetar i organizate joqeveritare dhe jo pjesë e qeverisë. Pra, kur je në pushtet, nuk dëgjon, nuk sheh, nuk merr parasysh asgjë.

    Izet, mos reago publikisht, por në seancën e radhës të qeverisë kërko llogari Mickoskit edhe Stoilkovicit – nëse ta mban. Ose pyete: “Micko, Stojko, kako pominavte koga vikaa vashite ‘smrt za shiptarite’?” Natyrisht, Izet, as mos guxo me i prish raportet, sepse edhe ish-bashkëpartiakët e tuaj në të kaluarën nuk e kanë lëshuar qeverinë për thirrje antishqiptare.

    Por kurrë mos mendoni se me një reagim publik do të zgjidhni problemet me dekada dhe me mentalitet të pakuptueshëm.

    *Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    “Ne jemi të gjithë palestinezë” – mbi 100 mijë njerëz marshojnë në Sidnei

    Lajmi i rradhës

    Vetmia tek adoleshentët – një shqetësim global që ndihet edhe në Kosovë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë