Ballkani i hapur dhe task forcat policore me Maqedoninë e Veriut

    PËLLUMB NAKO

    Duket se dalëngadalë nisma e “Ballkanit të Hapur” po zbehet nën një rregullsi të qëndrueshme. Edhe kur përmendet nga lidershipi ynë politik, të krijohet më shumë ideja e inatit që nuk ka dalë për shkak të mossuksesit, sesa këmbëngulje për të ecur para. E nisur me idenë e “një minishengeni”, nisma, apo më saktë nisma e korrigjuar rrugës, ngjalli shumë debate e kundërshti.

    Një gjë e tillë i ka motivet e veta, por fakti është se ajo ngeli e shprehur brenda një vizioni politik të shoqëruar me propagandë dhe jo si një projekt i qëndrueshëm e i parakonsultuar për ndërtim institucionesh shumëpalëshe të integruara në nivel rajonal, të mbështetura sigurisht edhe nga ana politike.

    Europën e Bashkuar e mbështeti dhe e realizoi si filozofi politike i shquari Robert Shuman, por projektin e ndërtimit të kontureve të saj institucionale e kishte përfunduar tashmë intelektuali Zhan Mone. Kjo do të thotë se sado i shkëlqyer të ishte Shumani në arenën politike, sado të ishte në qendër të projektorëve, ai e kishte më shumë se të nevojshëm mendimin gjenial të Monesë, larg projektorëve të vëmendjes publike. Kurse Kryeministri ynë, me dëshirën e tij të pandalshme për protagonizëm rajonal e më gjerë, mendonte se mund të ishte vetë edhe Shumani edhe Moneja i Ballkanit.

    Është pikërisht ky lloj raporti, tashmë i mirënjohur, ndërmjet një lideri vizionar dhe individëve të spikatur në nivelit të lartë të administratës së një vendi, i cili garanton në fakt realizimin e projekteve të mëdha politike. Për fat të keq, shoqëria shqiptare deri në këto momente ka mangësi të thella si për figura të tipit Shuman dhe për intelektualë të llojit Mone dhe për më tepër rolet e tyre shpesh ngatërrohen. Të gjitha këto mendime të vijnë ndërmend kur shikon tekstin, i cili ka të bëjë me një Marrëveshje Bashkëpunimi Policor ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

    Marrëveshje kjo që është në një proces shqyrtimi këto ditë në komisionet e ndryshme të Kuvendit. E analizuar në kontekstin e projektit politik të Ballkanit të hapur, dokumenti në fjalë dëshmon në mënyrë dëshpëruese faktin se ose “Ballkani i hapur” ishte një projekt politik pa asnjë vizion dhe i shkëputur nga një ndërtim institucionesh të përbashkëta, ose niveli i lartë i administratës shqiptare (në rastin konkret Ministria e Brendshme) provon se nuk e njeh dhe nuk e ka ndjekur fare idenë e Ballkanit të Hapur, sepse për minishengen nuk bëhet fjalë fare. E gjitha kjo duke e konsideruar “Ballkanin e Hapur” si një hap pozitiv.

    Kjo do të thotë se Marrëveshja e Bashkëpunimit për të dyja vendet me qëllim ndërtimin e task forcave në secilën polici dhe me objektiv komunikimin direkt ndërmjet organeve policore respektive, nuk shënon asnjë hap para në thelbin e bashkëpunimit policor sipas modeleve të kohëve të sotme. Një hap si ky veçse përhap me qejf maninë e kësaj qeverie për task forca, edhe në institucionet e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    Më konkretisht, në thelbin e saj, marrëveshja propozon krijimin e task forcave në të dyja vendet respektive, të cilat do të shkëmbejnë informacion duke komunikuar direkt ndërmjet tyre për personat e hetuar nga ana e secilës polici, vendndodhjen e tyre, përcaktimin e identitetit të tyre të saktë si dhe informacione të tjera me vlerë rreth një çështjeje të caktuar.

    Një marrëveshje e tillë mbetet jo vetëm larg konceptit “Shengen”, duke përfshirë në këtë rast edhe “Minishengenin”, por edhe po aq larg idesë së Ballkanit të Hapur. Madje, kjo mënyrë bashkëpunimi e paraqitur në marrëveshje është mjaft arkaike dhe u takon standardeve të bashkëpunimit policor të kohës pas viteve të rënies së Murit të Berlinit kur vendet demokratike perëndimore filluan të përafrojnë bashkëpunimin e tyre policor me vendet e sapodala nga diktaturat komuniste. Dhe jo vetëm kaq. Një standard i tillë bashkëpunimi ofrohet nga institucionet tona plot 16 vite pas ditës kur në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë me ligjin Nr. 9604 dhe më datën 11.09.2006 u ratifikua “Konventa e Bashkëpunimit Policor e Evropës Juglindore”, ku institucioni për depozitimin e kësaj Konvente është përcaktuar të jetë Republika e Shqipërisë. Ndërkohë, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe tjera në rajon, janë firmëtare dhe e kanë ratifikuar. Dokumenti në fjalë është një marrëveshje shumëpalëshe kuadër, e cila parashikon gjithë format e bashkëpunimit policor në fushën e sigurisë dhe që janë të përafërta edhe me ato të vendeve brenda Bashkimit Evropian siç janë “qendrat e përbashkëta”, “dorëzimi i kontrolluar”, “ndjekja në kushtet e flagrancës” e mjaft të tjera.

    Pra, më konkretisht, marrëveshja dypalëshe që është duke u shqyrtuar në këtë moment, në vend të ishte një akt ligjor, i cili të mbështetej mbi Konventën në fjalë dhe të implementonte praktikisht gjithë format e gjera të bashkëpunimit të parashikuara në këtë dokument dhe të miratuara nga parlamentet e të dyja vendeve, del si një marrëveshje e veçantë dhe me aktivitet bashkëpunimi shumë të reduktuar të krahasuar me Konventën. Të paktë ligjërisht një akt i tillë rezulton të jetë hap pas. Kjo, sepse në bashkëpunimin në fushën e sigurisë ndërmjet dy vendeve, përparësi do të marrë marrëveshja dypalëshe dhe jo marrëveshja kuadër siç është Konventa. Kjo do të thotë se marrëveshja e propozuar jo vetëm si formë bashkëpunimi është arkaike, por edhe si dimension ajo e ngushton hapësirën e bashkëpunimit.

    Në Konventë si ilustrim, ndër të tjera, parashikohet që në raste urgjente, kur Policia është duke ndjekur një kriminel apo një të arratisur nga burgu dhe ai është duke shkuar në rastin konkret drejt Maqedonisë së Veriut, punonjësit e Policisë shqiptare mund të hyjnë direkt deri në njëfarë distance brenda kufirit maqedonas dhe anasjelltas. Sigurisht, duke ndjekur dhe zbatuar me përpikëri 8 nene dhe 11 pika të parashikuara nga konventa me këtë rast. Pra, një bashkëpunim shumë më i afërt se një shkëmbim informacioni.

    Cila mund të ishte zgjidhja në këtë rast?

    Mjafton që të studiohet me imtësi Konventa e Bashkëpunimit Policor e vendeve të Evropës Juglindore dhe në bazë e në zbatim të saj, marrëveshja dypalëshe në proces diskutimi, të hartohet ndryshe, duke pasur si qëllim implementimin dhe zbërthimin në formën e procedurave standarde, vënien në jetë të të gjithë komponentëve të bashkëpunimit që parashikon Konventa dhe që kanë ngelur pa u implementuar. Kjo, pasi një sasi syresh janë venë në jetë që nga koha e qeverisjes së PD. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Koralet e çmuara – Gjuetia për “arin e kuq”

    Lajmi i rradhës

    Maqedonia e Veriut nuk bëhet “Bosnjë e dytë”, nëse përfshihen bullgarët në kushtetutë (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë