Big Brother Si Autoritet Dhe Personalizim i publikes
Analizë
Ledjo Zeneli
Nëse do duhej të kërkonim për një tipar thelbësor i cili shpreh mënyrën e riciklimit social që karakterizon shoqërinë e sotme bashkëkohore ky tipar do të ishte pa dyshim aftësia e saj për të riprodhuar çdo element të krijimtarisë kulturore në produkte të konsumit masiv. Në këtë kuadër futet edhe programi televiziv Big Brother. Nga një figurë artistike (vepra 1984 e George Orwell) e cila përmbante autoritet që ngjallte frikë dhe ankth duke synuar kështu ruajtjen e formës së rendit social të projektuar nga lart – një dominim radikal i publikes mbi privaten – dhe që ishte personifikim i të ardhmes së shoqërisë njerëzore u kthye në një produkt që u serviret masave për konsum ashtu si çdo produkt tjetër i shoqërisë së konsumit. Po përse vallë është një ndër programet më të ndjekura në shoqërinë shqiptare? A është vallë Big Brodher-i i sotëm shprehje e hakmarrjes së forcave të lira ekonomike mbi pushtetin absolut të politikes? Në fakt, veç të tjerash, arsyeja mendoj se lidhet me dy fenomene tepër të rëndësishme të kohës sonë, që janë autoriteti dhe personalizimi i publikes; e shprehur më qartë audienca duket të tërhiqet drejt këtij programi për shkak të mënyrës se si promovohen autoritetet dhe sepse programi në vetvete është i ndërtuar si personalizim ekstrem i hapësirës publike. Fenomen ky i cili ushqen logjikën udhëheqëse të dinamikave të shoqërisë së modernitetit të vonë. Në këtë shkrim do përpiqemi të analizojmë këtë fenomen brenda një konteksti më të gjerë sociokulturor dhe historik, ashtu siç i shkon për shtat imagjinatës sociologjike.
Big Brother si Autoritet
Autoriteti është një ndër konceptet më qendror të analizave sociale dhe duket se është po ashtu, siçshprehet Sennett në veprën e tij “Autoriteti”, një nga mënyrat e lidhjeve emocionale përmes së cilës ndërtohen marrëdhëniet sociale mes njerëzve. Autoriteti në thelb ka të bëjë me imazhet e dobësisë dhe pushtetit dhe shfaqet si një eksperiencë e krijuar mbi këtë bosht. Sipas tij asnjë shoqëri nuk e ruan dot funksionalitetin e saj pa autoritetin. Në një kontekst më të gjerë të zhvillimeve sociale do të ishte e saktë të thuhet se vetë moderniteti si fazë e riprodhimtarisë obsesive e shoqërisë njerëzore mund të lexohet në termat e një transformimi të kësaj eksperience si nga pikëpamja e formës edhe e substancës. Një lexim i shpejtë i historisë së zhvillimeve moderne na tregon se shoqëria moderne u shfaq si shoqëri e cila supozohej të lindte nga hiri i shoqërisë tradicionale përmes rikonsolidimit të autoritetit; një autoritet i cili do të mbikqyrte çdo proces brenda shoqërisë komb duke hedhur në koshin e plehrave të historisë çdo forcë tjetër tradicionale e cila mund të kërkonte të drejtën për tu afirmuar si autoritet alternativ. Një autoritet i ngurtë politik i cili do ngjallte frikë për armikun dhe siguri e lumturi për vartësit e tij.
Megjithatë, pavarësisht aspiratave të shoqërisë së hershme moderne për të krijuar një rend social të kontrolluar përmes një autoriteti absolut politik, në shoqërinë e sotme duket se autoritetet janë të lokalizuara dhe bashkëveprojnë me njëri – tjetrin vetëm me qëllimin e vetëm të ekzistencës, pa ndonjë fuqi të madhe ngadhënjyese. Pra mungon ekzistenca e një autoriteti qendror i cili të mund të udhëheq sjelljet sociale pa bezdinë që krijon përgjegjësia personale dhe ajo morale, ashtu siç edhe ëndërronte moderniteti i hershëm. Ky pluralizëm autoritetesh nga njëra anë bën të mundur personalizimin e publikes dhe nga ana tjetër është mishërim i dështimit të autoritetit politik modern (në shumë raste edhe autoriteteve që gjenden në botën ekonomike) të së shkuarës për të mbajtur premtimet e dhëna. Si pasojë, për shkak të individualizimit të shoqërisë, autoriteti si eksperiencë e imazhit të dobësisë dhe pushtetit përjetohet tashmë masivisht në termat e vetë negativë. Një nga format negative të tij dhe që shfaqet në një kontekst social është lidhja emocionale mohuese. Sjelljet mohuese të fëmijëve ndaj prindërve; të bashkëshortëve ndaj njëri – tjetrit; të qytetarëve ndaj punëdhënësve apo drejtuesve politik, edhe kur nuk ka shkaqe të arsyeshme, duket të jenë gjithashtu edhe një nga mënyrat se si ata maskojnë nevojën që ndjejnë për të qenë nën kujdesin e autoritetit. Pra në thelb jo se nuk e duan kontrollin dhe sigurinë që fal autoriteti por i frikësohen atij për shkak të tendencës shtypëse (veçanërisht ai politik) dhe imponimit të vlerës së pavarësisë personale si e jashtme dhe rebele ndaj autoritetit. Në këtë kontekst sjellja mohuese në vetvete është një ndër mënyrat se si mbahet gjallë nevoja për autoritetin ndërkohë që ruhet edhe shpalosja e një individualizmi egoistik dhe narcistik si reagim ndaj mosbesimit dhe imazhit negativ të perceptuar ndaj autoritetit. Parë nga kjo pikëpamje Big Brodher-i (por edhe programe të tjera të ngjashme si Përputhen) ofron pikërisht skena të tilla teatrale ku aktorët social brenda shtëpisë përpiqen të fitojnë autoritet mbi njëri – tjetrin duke radikalizuar deklaratat mohuese të cilat për shkak të kontekstit të lojës, në mënyrë të domosdoshme shkaktojnë edhe forma të dhunës simbolike dhe gati fizike. Këta të fundit janë si qershia mbi tortë për shikuesit për shkak se mbajnë gjallë nevojën për konsumim inovativ si një ndër tiparet e shoqërisë së konsumit.
Në një farë kuptimi produktet finale të deklaratave mohuese që burojnë nga lidhjet emocionale të autoritetit mes banorëve shërbejnë si mekanizma që shkatërrojnë rutinën e përditshme të shikuesve. Shoqëria e sotme nuk e pranon rutinën, qetësinë dhe sigurinë. Në të njëjtën mënyrë as individët e saj. Mënyra se si ndërtohen sjelljet mohuese dhe konfliktet e vazhdueshme për autoritet ushqejnë imazhin e një identiteti i cili është në mënyrë të vazhdueshme në bërje e sipër, por që nuk mbaron kurrë. E shprehur më saktë identitetit i humbet qëndrueshmëria objektive për shkak të personalizimit të vazhueshëm të diskursit. Ashtu siç edhe përjetohet në jetën reale. Nga ana tjetër autoritetet tradicionale si prindërit instrumentalizohen në funksion të lojës teatrale dhe mbështetjes së lidhjeve emocionale të autoritetit të sjelljeve mohuese. “Jam krenare për ty bija ime për lojën që ke bërë deri më tani” – duket të shprehet autoriteti prindëror gjatë programit. Kush nuk do prekej dhe do konsolidonte akoma më tej shijen “e ëmbël” të programit në një shoqëri tradicionale ku autoriteti prindëror është akoma i vlefshëm? Një gjetje gjeniale për të legjitimuar dhe ëmbëlsuar herë pas herë teatrin e madh të spektaklit të kësaj forme të shpalosjes së autoritetit.
Siç Bauman argumenton, autoriteti ndryshe nga e shkuara sot nuk imponon por josh, ai përpiqet të ekzistojë duke i bindur vartësit butësisht për domosdoshmërinë e tij. Këtu qëndron edhe një nga sukseset e tjera të programit. Programi si autoritet mediatik në tërësinë e tij përbëhet nga strategji joshëse për publikun. Megjithëse shikuesit mund të mos e përjetojnë drejt për drejt përmes skenave “vlerën” që u atribohet si autoritet i cili vendos se kush do të dalë dhe do të mbetet lojtarë (publiku si vëlla i madh i kthyer me kokëposhtë) dhe megjithëse jo të gjithë shikuesit mund të jenë votues, skena teatrale e procesit të seleksionimit i cili pritet me zell nga publiku e bën të ditur dhe gjallëron këtë eksperiencë herë pas herë duke lidhur kështu episodet e fragmentarizuara të programit – të cilat nëse mbahen më gjatë seç duhet dhe të shkëputura nga procesi i seleksionimit mund të humbasin forcën e tyre tërheqëse – me vendimin “autoritar” dhe final të publikut. Kështu mbahet gjallë emocioni i madh i pritjes për të parë se cili do të jetë viktima e radhës e vëllait të madh; një viktimë që meriton të dënohet për shkak se në lojën e përpjekjes për të fituar autoritet mbi lojtarët e tjerë përmes sjelljeve mohuese dhe reagimeve të ashpra ndaj tyre nuk përmbushi ashtu si duhet oreksin sadist të vëllait të madh.
Si përfundim mund të themi se nga njëra anë audienca është kaq e lidhur përmes programit për shkak se asaj i ofrohet një performancë teatrale që promovon një model të ngjashëm dhe konfirmues të sjelljeve sociale mohuese, kundërshtuese, narcistike, egoiste dhe mospranuese të autoritetit si eksperiencë në jetën e përditshme. Ky proces i cili ngjall konflikte të vazhdueshme simbolike dhe pothuajse fizike ofron gjallëri dhe ngopje psikologjike ashtu siç e projekton shoqëria e sotme këtë gjendje; një ngopje psikologjike përmes rrezikut, aventurës, rebelimit dhe kundër çdo lloj stabiliteti dhe qëndrueshmërie emocionale dhe institucionale. Nga ana tjetër, me anë të ndërtimit të figurës së vëllait të madh – figurë autoritare misterioze të cilës nuk ja shohim fytyrën por e njohim përmes veprave të tij surprizuese – i cili në thelb supozohet të jetë publiku ose çfarëdo imazhi tjetër që imponon metafora e prodhuar nga programi në mendjet e shikuesve, krijohet një performancë tjetër teatrale ku banorët ekspozohen para një force madhore e cila tashmë vendos drejtësinë në vendin e saj të merituar. Kjo përvojë emocionale në instancë të fundit duket se i flet nevojës së publikut për të ndjerë prezencën e një autoriteti madhor. Siç edhe e kemi cekur më lart njerëzit edhe kur e refuzojnë dhe mohojnë autoritetin në fakt e duan dhe e kërkojnë atë. Mirëpo, për shkak të kushteve shoqërijore të ndërtuara historikisht nuk ekziston një mënyrë e mirë institucionalizuar në lidhje me atë se si duhet pranuar dhe respektuar autoriteti. Kjo nevojë e cila nuk përmbushet dot përmes institucioneve si politika, familja, drejtësia, prindërit, mësuesit etj., gjen mjedisin e përshtatshëm të plotësohet përmes figurës së vëllait të madh apo autoriteteve të tjera brenda programit që bëjnë vlerësimet për secilin nga lojtarët, të cilët ndryshe nga autoritetet e përmendura më lart nuk tingëllojnë dhe as përfytyrohen kërcënues apo imponues, përkundrazi ngjajnë joshës dhe mjaft tërheqës.
Big Brother si personalizim i publikes
Sennett, në veprën e tij Rënia e Njeriut Publik (The Fall of Public Man) shprehet se sa më shumë që hapësira publike të boshatiset aq më shumë rritet fuqia tërheqëse e një perspektive e cila merr si bazë marrëdhëniet intime. Ky konstatim i Sennett duket se funksionon sipas një parimi thuajse ligj social ku publikja me privaten janë substancialisht të kundërta me njëra – tjetrën dhe duket se me fuqizimin e njërës reduktohet ose më saktë transformohet tjetra. E shprehur me terminologjinë statistikore duket të ketë një korrelacion negativ mes këtyre dy fenomeneve. Pavarësisht faktit se bota sociale shpesh herë është shumë më komplekse për tu kuptuar në mënyra kaq të ngurta konceptuale, dhe se ajo jo rrallë herë i shpëton një perspektive të tillë, duhet të pranojmë paraprakisht antagonizmin mes publikes dhe privates, pavarësisht se të dy fenomenet mund të asimilojnë njëri – tjetrin në mënyrë të atillë që bëhen tërësisht të pakuptueshme për njerëzit.
Mbi këtë rrafsh qëndron dhe një mendim tepër i gabuar ku promovimi publik i privates konsiderohet – natyrisht bazuar në qasje të caktuara ideologjike – si emancipim i njeriut, duke lënë mënjanë atë që Merton me të drejtë do ta quante funksion i fshehur social; pra kalbja e hapësirës publike dhe dëmtim emocional i përvojës personale.
Sipas Sennett, hapësira publike kishte rregullat dhe normat e veta të cilat udhëzonin njerëzit për mënyrën se si duhej të silleshin brenda këtyre hapësirave. Sot, si rezultat i një transformimi me rrënjë historike njerëzit janë bërë më të interesuar për të shprehur përvojat dhe gjendjet e tyre personale se sa për të marrë pjesë kolektivisht në jetën publike përmes roleve teatrale me natyrë jo-personale. Kështu intimiteti merr formën e një ideologjie dhe shfaqet një lloj despotizmi i intimitetit i cili bën që njerëzit duke u tërhequr radikalisht drejt vetes fillojnë të krijojnë mjedise të mbyllura ku përvoja personale kthehet në një pikë qendrore. Si pasojë njerëzit nisin tu qasen njëri – tjetrit jo si pjesë të strukturave kolektive por si subjekte emocionale duke kontribuar në këtë mënyrë në reduktimin e aftësisë për të krijuar institucione funksionale publike dhe një kulturë të përbashkët qytetare.
Në këtë kontekst, për ta lidhur me temën Sennett shprehet se njerëzit janë kthyer nga aktorë aktivë të jetës publike në spektatorë të një bote të ndërmjetësuar përmes ekraneve. Kështu format e publikes (siç është për shembull politikja) kthehen në spektakël të individëve dhe personaliteteve. Në mënyrë ironike megjithëse njerëzit janë bërë më të lirë për të shprehur eksperiencat e tyre intime janë varfëruar dhe kanë humbur aftësitë për të krijuar një jetë të pasur publike. Procesi shkakton dhe pasoja të tjera si izolimi individual, dominimi i emocioneve mbi arsyen, atomizimi i shoqërisë etj. Në një farë kuptimi na del një shoqëri e rrëfimit ku mënyrat se si promovohen eksperiencat dhe çështjet personale kthehen në faktorë të stigmatizimit, diskriminimit apo prestigjit social. Në fakt i gjithë programi i Big Brother (kujtoni dhomën e rrëfimit) shërben si një spektakël televiziv ku ri-prodhohet artificialisht e radikalisht dhe në mënyrë racionale përmes moderatorit (si autoritet udhëzues) promovimi publik i narrativës dhe fenomenologjisë personale. Pjesa më e madhe e diskutimeve dhe debateve mes lojtarëve janë të zhveshur nga çdo përmbajtje publike (edhe në ato pak raste ku ceken çështje me interes publik personalizohen dhe lexohen përmes personazheve duke lënë mënjanë karakterin objektiv të tyre) dhe diskursi ndërtohet mbi qëndrime që marrin si objekt artikulimi marrëdhënie personale të çdo lloji.
Nuk është për tu habitur interesi i madh për programe të tilla televizive kur shohim se të njëjtat marrëdhënie personale dhe diskurse të ngjashme dominojnë edhe në jetën e përditshme të njerëzve. Nuk është aspak trillim të thuash se kjo situatë është po ashtu simptomë e mungesës së një kulture publike dhe qytetare e cila fokusohet në trajtimin e çështjeve publike duke marrë parasysh karakterin objektiv të tyre. Shoqëria në programe të tilla duket se gjen ushqimin e nevojshëm për të ngopur boshllëkun e krijuar psiko-social për shkak të mungesës së publikes dhe në mënyrë paralele për të mësuar se si mund të sillet individi në kontekste të ngjashme; kjo për shkak se “tjetri” në shoqërinë tonë të riskut promovohet si një tinëzar i rrezikshëm dhe kërcënues i cili duhet të shmanget, luftohet dhe shtypet. Kështu, siç e kemi cekur vagullt edhe më lart, produkti i prodhuar mediatik përmes këtij emisioni gjallëron riprodhimin e vazhdueshëm të “publikes” mbi shtyllat e veta personale duke thyer në këtë mënyrë rutinën dhe ruajtur fluiditetitin e marrëdhënieve sociale.
Si përfundim mund të dilet në konkluzionin se arsyeja kryesore e tërheqjes së publikut drejt këtij programi dhe programeve të ngjashme ndodh për shkak të integrimit të lidhjeve emocionale të autoritetit me personalizimin e publikes si një ndër fenomenet më dominues në jetën reale. Megjithatë duhet të theksojmë se një personalizim kaq masiv i publikes çon në rritje radikale të ndjenjave narcistike te njerëzit dhe duke u bërë më të obsesionuar me autenticitetin e ndjenjave të tyre jo vetëm që nuk ndihen më mirë por riprodhojnë në mënyrë të vazhdueshme ndjenjën e pasigurisë duke minuar mundësinë për të krijuar lidhje të qëndrueshme sociale për shkak të zhgënjimit të vazhdueshëm dhe humbjes së aftësisë për të kuptuar realitetin dhe zhvillimit të miteve të tilla si “privatësia të çliron nga normat dhe rregullat shoqërijore” pa kuptuar se i njëjti proces i bën më të ndjeshëm ndaj vetmisë, depresionit dhe mungesës së kontrollit mbi realitetin, për shkak se tanimë realiteti shihet nga perspektiva e asaj se si ndihem “UNË” dhe jo si ai është objektivisht.
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.