Narrativë etnike mbi debatin përçarës akademik

    Sefer Tahiri

    Ndonëse shumë më pak se sa në vitet 2000 dhe para këtyre viteve, mediat ende shfaqin rivalitete etnike, ndërsa nuk janë të rralla as shembujt e gjuhës së urrejtjes dhe stereotipave e paragjykimeve. “Brishtësinë” e marrëdhënieve etnike shqiptaro – maqedonase, pavarësisht nismave dhe synimeve për relaksim të tyre, mediat në gjuhë të ndryshme e shfaqin edhe kur trajtohet Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve. Në pjesën më të madhe të mediave shqipe është refuzuar emërtimi i Akademisë me prapashtesën “maqedonase”. Një pjesë e mediave në gjuhën maqedonse dhe shqipe kanë mbrojtur qëndrime etnocentrike pas deklarimeve për “ndarjen etnike” të Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve.

    Shumë analiza dhe hulumtime mbi median në Maqedoninë e Veriut nxjerrin si përfundim konstatimin se sistemi mediatik i vendit, ngjashëm si edhe ai politik, është i “etnizuar” apo i ndarë në vija etnike. Shpesh thuhet dhe ofrohen të dhëna empirike dhe raste studimi se si një pjesë e madhe mediave përmes narrativit dhe qasjes së tyre i vënë në rend të parë interesat e tyre etnike, natyrisht edhe ato politike që burojnë nga politikat e partive etnocentrike.

    Mediat në mbrojtje të pozicioneve etnike, standardet në rend të dytë

    Që nga vitet 90-ta, kur fillon të demokratizohet sistemi mediatik në aspektin normativ – juridik, pjesa më e madhe e mediave, veçuar këtu përjashtimet e pakta, kanë lënë në rend të dytë standardet profesionale dhe normat etike, të përshkruara qartë dhe pa mëdyshje në Kodin Etik të Gazetarëve të Maqedonisë, por edhe dispozitat e Ligjit të Mediave dhe Ligjit për Shërbime Audio dhe Audiovizuale Mediatike.

    Si para konfliktit të vitit 2001, por sidomos pas tij, nuk është i paktë numri i reporterëve dhe redaktorëve, madje edhe kryeredaktorëve, të cilët raportonin, komentonin dhe krijonin politika redaktuese në përmbajtjet informative të mediave tradicionale dhe të reja si maqedonas dhe shqiptarë, e jo si profesionistë.

    Madje, edhe në shërbimin radiodifuziv publik, i cili nuk ka arritur të transformohet në shërbim të vërtetë publik, për shkak të mungesës së vullnetit politik, por edhe në gazetat, radiot, televizionet komerciale dhe së fundmi edhe në mediat onlajn, raportohej njëanshëm dhe në mënyrë të pabalancuar në dimensionin etnik. Ky raportim dhe mediatizimi i këtillë i realitetit shoqëror prodhonte dy realitete paralele mediatike, njërin maqedonas dhe tjetrin shqiptar.

    Ndonëse shumë më pak se sa në vitet 2000 dhe para këtyre viteve, mediat shfaqin rivalitete etnike, ndërsa nuk janë të rralla as shembujt e gjuhës së urrejtjes dhe stereotipave e paragjykimeve etnike.

    Duket gati e pabesueshme, por analiza e narrativit mediatik ka dëshmuar se viteve të fundit, që nga nisja e pandemisë së Covidit 19, një pjesë e mediave ka pasur qasje gazetareske në raportim dhe interpretimin e kësaj gjendje, e cila manifeston tendenca të qëllimshme dhe lehtësisht të dukshme që shpien drejt etnocentrizmit.

    Narrativet etnocentrike (të pjesshme) rreth pandemisë globale, në një pjesë të mediave në gjuhën maqedonase dhe shqipe, dëshmojnë se kur flitet për “Tjetrin kolektiv” në media nuk mungojnë favorizimet etniketë cilat shpesh i hapin rrugën diskriminimit apo gjuhës diskriminuese gazetareske!

    Mediat “etnizonin” çështjet arsimore   

    Meqë mediat, të cilat cilësohen si serioze dhe profesionale, nuk kanë arritur që të shmangin stereotipizimin etnik edhe kur bëhet fjalë për një virus vdekjeprurës, nuk habit as fakti se narrativ etnik në media kemi pasur edhe kur është bërë fjalë për arsimimin në gjuhën shqipe. Dy narrative mediatike kemi pasur që në vitet 90-ta, kur trajtohet çështja e paraleleve në gjuhën shqipe në arsimin e mesëm apo evidenca pedagogjike në gjuhën shqipe në arsimin fillor dhe të mesëm.

    E njëjta linjë e politikës editoriale të mediave është evidentuar kur është raportuar apo trajtuar tema mbi themelimin e Universitetit të Tetovës, i cili nuk ishte i ligjësuar që nga viti 1994 e deri në vitin 2004. Për mediat në gjuhën shqipe ishte institucion i domosdoshëm për zhvillimin e arsimit dhe shoqërisë shqiptare, ndërsa për mediat në gjuhën maqedonase ishte “jolegal” apo, siç i referoheshin deklaratës së ish ministrit të Brendshëm, Lubomir Fërçkoski, “foshnjë e vdekur e porsalindur“!

    Mediat në të dyja gjuhët që i drejtoheshin publikut me përkatësi të ndryshme etnike, ngjashëm, kishin qasje të kundërta edhe sa i përket hapjes së Fakultetit Pedagogjik në Shkup në vitin 1997, të cilat shkaktuan protestat masive të një pjese të studentëve maqedonas kundër arsimit në gjuhën shqipe në nivel universitar.

    Media shqiptare me kritika ndaj Akademisë për qasje etnocentrike

    “Brishtësinë” e marrëdhënieve etnike shqiptaro – maqedonase, pavarësisht nismave dhe synimeve për relaksim të tyre, mediat në gjuhë të ndryshme e shfaqin edhe kur trajtohet Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve, një institucion i cili për kah natyra e punës së tij duhet të prodhojë strategji dhe projekte kohezive shoqërore dhe ndëretnike, e jo të “pjesëzojë” edhe më shumë shoqërinë. Në pjesën më të mëdha të mediave shqipe, vite me radhë është refuzuar emërtimi ligjor i institucionit më të lartë shkencor me prapashtesën maqedonase, por është përdorur prapashtesa e Maqedonisë, që në fakt dëshmon se media ka dashur ta ndryshojë një realitet konkret, duke u vënë mbi ligjin dhe duke bërë makinacione linguistike.

    Që në vitin 2003, radioja britanike BBC në shqip raportonte me titullin Akademia maqedonase njëetnike. Në këtë raport gazetaresk thuhej “Intelektualët shqiptarë, që e ndjejnë veten të përjashtuar thonë gjithashtu se edhe emri i Akademisë duhet të ndryshojë nga Akademi Maqedonase… në Akademi e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë“.

    Në mediat shqipe vazhdimisht trajtohet fakti që AMSHA (Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve) numëron pak anëtarë shqiptarë: Abdylmenaf Bexheti si anëtar i Departamentit të Shkencave Shoqërore dhe Izet Zeqiri si anëtar me korrespondencë i këtij departamenti. Anëtari i tretë është Alajdin Abazi në Departamentin e Shkencave Teknike, ndërsa studiuesi dhe kritiku letrar Ali Aliu, i cili është anëtar jashtë përbërjes së punës i Departamentit të Arteve. Anëtar i jashtëm është edhe ish-presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani, i cili është pjesë e Departamentit të Shkencave Teknike. Si anëtar nderi prej disa vitesh ishte zgjedhur edhe piktori Omer Kaleshi që jetonte në Francë dhe i cili ndërroi jetë, si dhe nobelisti Ferid Murati. Në vitin 2022 ndërroi jetë akademiku Luan Starova, i cili ishte anëtar i rregullt i Departamentit të Linguistikës dhe Shkencës Letrare.

    Nga hulumtimet që bëmë, rezulton se ky numër simbolik i akademikëve shqiptarë nuk është trajtuar aspak në mediat maqedonase, ndërsa në mediat shqiptare herë pas herë ka pasur trajtesa, që kanë pasur intonacion kritik ndaj AMSHA-s.

    I tillë është shkrimi i gazetës KOHA, i datës 5 prill të vitit 2022, me titull AKADEMIA E MBYLLUR PËR SHQIPTARËT! Çuditë e ASHAM-it nuk kanë të sosur. Ndërsa, portali Flaka, më 1 gusht të vitit 2022 publikoi shkrimin me titull “Diskriminimi i shqiptarëve në ASHAM ka traditë 55 vjeçare“, në të cilin autori i tij Driton Zenku shkruan: “Kjo qasje destruktive e Akademisë vazhdon edhe sot. Në prill të këtij viti, refuzimi i kandidaturave të reja dhe të rikandiduarve për anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve në konkursin e radhës ka qenë zhgënjyes jo vetëm për kandidatët, por edhe për akademikët shqiptarë. Kandidati Izet Zeqiri mbeti anëtar me korrespondencë, ndërsa kandidatët si Mirushe Hoxha, Bekim Fetahu dhe Reshat Ameti nuk u pranuan.”

    Ngjashëm është raportuar edhe në vitin 2018. Mediat shqipe raportonin me titullin AKADEMIA, në garë edhe katër kandidatë shqiptarë, kur bënin me dije se “Tre prej tyre janë propozuar nga brenda AMSHA – Zamir Dika për në Departamentin e Shkencave Teknike, Mirushe Hoxha në Departamentin e Shkencave Shoqërore dhe atë të Linguistikës, Neritan Ceka si anëtar i jashtëm, ndërsa Lutfi Zulbeari është propozuar nga Universiteti i Tetovës në Departamentin e Shkencave të Mjekësisë“. Një pjesë e mediave në gjuhën maqedonase, kur raportonte mbi propozimet për anëtarë të AMSHA-së, në tituj nuk përmende fare kandidatët me përkatësi etnike shqiptarë.

    Kryeakademiku Kocarev dhe akademikja Qullavkova me qëndrime nacionaliste

    Në një ambient të këtillë mediatik lidhur me çështjet “akademike”, gjakrat etnike sërish u nxehën, ndërsa për këtë ka mjaftuar qëndrimi i hapur i shprehur i kryetarit të kësaj akademie, Lupço Kocarev, i cili kërkon anulimin e Marrëveshjes së Prespës me Greqinë dhe asaj me Bullgarinë.

    Ky qëndrim pati jehonë të madhe në mediat maqedonase, por aspak në mediat shqiptare. Në vend të qëndrimit, media publikoi kolumnën e profesores së UEJL-së, Besa Arifi me titullin Kompleksi i viktimës. Në të Arifi shkruan “Është e dhimbshme të vrojtosh se si intelektualë të lartë, që i kanë arritur titujt dhe thirrjet më prestigjioze shkencore dhe akademike, tregojnë shenja të qarta që vuajnë nga kompleksi i viktimës. Gjatë një periudhe tani më konsiderueshëm të gjatë kohore, akademikë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë në krye me kryetarin e tashëm të kësaj akademie përhapin frikë dhe pasiguri mes maqedonasve etnikë – qytetarë të këtij shteti, për rrezikun që gjoja u kanoset nga zhdukja.”

    Rivaliteti “etno – akademik” ka vazhduar me qëndrimin e akademikes Katica Qullavkova dhënë në intervistën për TV Kanal 5, në të cilën propozon formimin e Akademisë së tretë Shqiptare dhe në këtë mënyrë akademikët me përkatësi etnike maqedonase ndahen nga ata me identitet etnik shqiptar.

    Mediat në dy gjuhë i ofruan hapësirë të madhe akademikut Bexheti 

    Pas këtij qëndrimi etnocentrik dhe jokoheziv, ka reaguar akademiku Abdylmenaf Bexheti, i cili ka thënë: “Nëse nuk na duan në gjirin e tyre, të përfaqësuar kështu sa dhe si jemi, pa u konsultuar edhe me kolegët tjerë shqiptarë, meqë besoj se nuk kanë asnjë kundërshti, ja publikisht po deklarohem se jemi në gjendje ta krijojmë atë, por jo më ‘ilegalisht, joformalisht e privatisht’, siç kemi vepruar në të kaluarën me institucionet tona fillestare, por të ndahemi MENJËHERË dhe pa hezitim me të gjitha mjetet financiare, hapësinore dhe teknike. Menjëherë të tërheqim 30%-shin e buxhetit publik nga ASHAM-i dhe të bëhemi hisedarë me gjitha asetet publike, që janë krijuar nga paratë publike të taksapaguesve. Me zor nuk qëndrohet bashkë dhe në vend të produktivitetit shkencor të humbasim energjinë krijuese duke u marrë me politikat ditore dhe fragmentimet etnike, kulturore, konfesionale…etj”.

    Në vazhdim po sjellim disa nga titujt e mediave, që përcollën qëndrimin e akademikut Bexheti:

    Ndërkohë që debati “akademik” zhvillohet me vrull etnocentrik, media shqiptare njoftoi se Akademia Shqiptare e Shkencave dhe Arteve në Maqedoninë e Veriut tashmë është formuar, edhe pse si organizatë joqeveritare dhe në të ardhmen pritet të zgjerohet fushëveprimi i saj. Ky lajm, ndonëse në pak media maqedonase, u raportua në mënyrë korrekte dhe objektive.

    Përfundimi

    Raportimi dhe trajtimi mediatik i debatit përçarës akademik tregon qartë se një pjesë e madhe e mediave kanë qasje etnocentrike, por edhe sensacionale, duke lënë anash standardet profesionale siç janë balancimi etnik dhe ndërlikmi i çështjeve që trajtohen.

    Në këtë mënyrë, publiku manipulohet dhe nxitet të mbetet në “istikamet” etnokulturore, pasi një palë mbrohet dhe pala tjetër stigmatizohet dhe akuzohet. /IMA/

    (Autori është profesor universitar në lëminë e gazetarisë dhe komunikimeve publike)

    Lajmi Paraprak

    Komunat janë kthyer në parkingje | A do të formohet në RMV policia komunale?

    Lajmi i rradhës

    Ku mbeti kontrolli mbi çmimet?

    Lajme tjera

    I varfri

    Michael Hardt, Antonio Negri Në të gjitha periudhat historike, një subjekt shoqëror i përhershëm dhe kudogjendshëm i njëjti…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë