Binjakëzimi shtet-oligark

    PËLLUMB NAKO

    Nëse dikush do të kishte informacionin e plotë jo për emrat, por atë që përfaqësojnë oligarkët në shoqërinë tonë, do të konstatonte se ata përbëjnë një shtresë sociale të vendosur mbi politikën dhe po ashtu mbi drejtësinë që aplikohet kundrejt shtresave të zakonshme të saj dhe që renditen në fundin e piramidës sociale. Në një shoqëri të ndërtuar mbi një model demokracie që ka humbur orientimin drejt njeriut social, për ta zëvendësuar atë me individin konsumator, shtresa oligarke ka zëvendësuar edhe Zotin lart në qiell, edhe të dërguarin e Zotit në tokë, duke u dhënë një formë tjetër pikave të referimit të shoqërisë në raport me vlerat sociale klasike të një shoqërie humane. Aktualisht, pozitivja dhe negativja në të gjithë aktivitetin social kanë ndërmjet tyre kufij thuajse të padukshëm, aq sa vetë ligji si rojtar i virtyteve dhe ndëshkues i veseve, e ka thuajse të pamundur të dënojë të keqen sepse ajo është masive. Njëlloj sikur të fusje dikë në burg për armëmbajtje pa leje, të nesërmen e shpërthimit të mbarë depove ushtarake në vitin e mbrapshtë 1997.

    Binjakëzimi i aktivitetit të qeverisë sonë me shtresën e oligarkëve në fushën ekonomike ka modelet e tij në Perëndim, ka edhe abuzimet e tij skandaloze në vendin tonë. Megjithatë, ky problem mbetet nën tagrin e drejtësisë sepse ajo kujdeset për mosshpërdorimin e parave publike.

    A mund të ndërtohet një shoqëri e drejtë ku kjo shtresë t’i nënshtrohet rregullave sociale e ligjore njëlloj si të zakonshmit? A munden të gjithë krahët politikë në vendin tonë të ndërtojnë një demokraci të barabartë për të gjithë në raport me të drejtat, detyrimet dhe ligjin. Pra, të eliminojnë shtresën në fjalë? A do të mundet PD të vazhdojë betejën e lemë gjysmë nga ish-kryetari Basha kundër oligarkëve? Komentet janë të shumta. Po aq të shumta janë edhe hipotezat se asgjë serioze nuk ka në këtë histori.

    Në kohën që u formua dhe funksionoi Komisioni i Kuvendit për inceneratorët, qeveria dihej që do ta hidhte poshtë dhe nuk do ta miratonte raportin e hartuar prej tij. Por ajo që tërhoqi vëmendjen, ishte fakti se këtë raport nuk e miratoi as një pjesë e opozitës, e cila dihet që funksiononte e ndarë. Njeriu i thjeshtë e ka të vështirë ta përcaktojë se cila nga këto dy pjesë të opozitës është e kapur nga binjakëzimi qeveri-oligarkë. Ajo që hartoi raportin dhe që sipas akuzave mbuloi shumë gjëra duke vonuar hetimin e nisur nga SPAK? Apo ishte pjesa tjetër që nuk e miratoi? Ndërkohë, në medie shohim të shpaloset me furi nga të dyja anët ideja për t’u bashkuar. A mund të ketë bashkim me ata opozitarë të përlyer me aferën e inceneratorëve? Edhe sikur qëndrimet e të dy grupeve të jenë thjesht show politik, përsëri dallimi në qëndrimet e tyre, hedh dyshime. Ndaj dhe pyetjet pak më sipër. Megjithatë koha do ta tregojë.

    Pavarësisht se shpërdorimi i fondeve publike në një mënyrë kaq të paskrupull në një vend kaq të varfër sa i yni mbetet akt çnjerëzor, ky fenomen kronik nuk është problemi i vetëm dhe aspak më i rendi me apo pa Komisionin Parlamentar të opozitës që denoncoi me forcë abuzimet me inceneratorët. Binjakëzimi pushtet-oligarki në aspektin ekonomik tashmë njihet si model, po ashtu në vendin tonë dihet që karakterizohet nga babëzia e zengjinëve të rinj. Fenomeni në fjalë ndiqet pas edhe nga deformimi e rregullave sociale në funksionimin e shtetit të së drejtës në raport me ekuilibrin që duhet të mbajë ky i fundit ndërmjet aktivitetit në fushën private dhe në atë publike. Binjakëzimi shtet-oligark ka çuar dhe po çon gjithmonë e më shumë në privatizimin e marrjes së vendimeve me interes publik. Ose më saktë interesi publik ndjek pas atë të oligarkëve. ky mbetet deformim i rëndë social, prish rregullat e ndërtimit të shtetit. Vota jepet për klasën politike, vendimet i marrin oligarkët. Kjo do të thotë se nëse paratë publike duhej të harxhoheshin për të ndërtuar një rrugë modeste në një zonë malore për të lidhur dy fshatra me njeri-tjetrin pasi fëmijët e njërit prej tyre rraskapiten nëpër shtigje dhish për të shkuar çdo ditë në shkollë, ato do të përdoren për rrugën që ndërtohet për të lidhur një qendër urbane me një gurore afër fshatrave në fjalë, siç ndodh në një zonë në jug të vendit. Kjo sepse gurorja shfrytëzohet nga oligarku dhe sipas filozofisë së binjakëzimit, ajo ndihmon ekonominë pikërisht aty ku punojnë edhe prindërit e fëmijëve. Prindërit nuk e hapin gojën, oligarku jo e jo, as përfaqësuesit e pushteti vendor të afërm të oligarkut.

    Pra, zhvillimin social në atë zonë nuk e vendos shteti si përfaqësues i interesave publike, por shteti në binjakëzim me klasën oligarke. Për gjëra të tilla në Shqipërinë tonë flitet për ditë, madje edhe nëpërmjet investimesh të huaja, edhe për hapje tunelesh e shumë vepra të tjera.

    Ekziston edhe një rrezik tjetër nga binjakëzimi shtet-oligark, për të cilin për fat të keq në vendin tonë kambanat e alarmit kanë kohë që kanë rënën. Akoma më i madh. Vetë politika e vendit, e të gjitha krahëve, lindin, zhvillohen, debatojnë në prehrin e oligarkisë, në mundësitë që u krijojnë ata. Jo të pakta raste deklarim politikanësh me emër dhe pa emër, por sidomos nga ata me etje për t’u bërë me emër, ia bëjnë të qarta publikut mendimin e tyre agresiv ndaj oligarkëve pikërisht nga kanalet e tyre televizive. Nga media e tyre. Aktualisht nëse një figurë e ndershme në kuptimin klasik të fjalës (sepse në kontekstin social të vendit tonë ka shumë të tillë) me një angazhim qytetar të përgjegjshëm, kërkon të impenjohet në politikë për të dalë në krye të punëve të mira dhe të përmbysë këtë rend që shtrembërohet për ditë e më shumë, e ka tërësisht të pamundur të bëjë të njohura idetë e tij në publik nëse shpall luftë të hapur dhe të besueshme kundër oligarkëve e tërë mjetet janë në duart e tyre.

    Kjo do të thotë që të mbash fjalën politikisht për të luftuar oligarkët, duhet të ndërrosh gjithë sistemin e demokracisë së vendit, ndryshe askush të mos gënjejë. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Projektligji për paga – rrezik nga shpërthimi i pakënaqësive sociale

    Lajmi i rradhës

    Kur është shorti për Kupën e Botës “Katar 2022”?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë