Çështja “Beleri”, jo vetëm një akt antikombëtar por edhe antiopozitar

    Foto: A2 CNN

    REDI SHEHU

    Zgjedhjet lokale të 14 majit, jo vetëm sollën një skanim të ri politik duke na treguar peshën reale politike të partive shqiptare, por riaktivizuan një vatër të vjetër si Himara, e cila qysh me Reformën Territoriale të 2014-s u duk se ishte përtharë. Fredi Beleri, nga një emër pothuaj anonim e me konotacione negative i lidhur me masakrën e Peshkëpisë, arriti të bëhet “çështje”, dhe jo vetëm çështje e politikës shqiptare, por edhe çështje e politikës rajonale.

    Nëse ka një mëkat të madh në kampin opozitar, është pikërisht fakti i zhytjes së kësaj bashkie edhe një herë në ujëra të rrezikshme. Kandidimi i Fredi Belerit nga ana e opozitës së Foltores në bashkëpunim me PBDNJ-në e Vangjel Dules të këtij njeriu, nuk është thjesht një akt naiv politik, ai është një akt në esence antikombëtar. Është e pafalshme që një opozitë e cila në diskursin dhe verbin e saj detyrë kryesore ka jo vetëm mbrojtjen e vendit nga abuzimet e pushtetit, fut kalin e Trojës me emrin Beleri, për t’i dhënë rrugë helenizimit të një territori si Himara e cila kurrë nuk ka qene greke. Ky nuk është vetëm një akt antikombëtar, është edhe një akt antiopozitar, sepse pajis historinë e vetë opozitës me turpin historik të nguljes së thikës greke në kurrizin shqiptar. Është akt antiopozitar sepse në të njëjtën kohë pajis kryeministrin Rama me të gjithë aureolën e heroit kundra helenizimit dhe ruajtjes së interesave kombëtare. Pra, parë në aspektin politik, më keq se kaq nuk ka ku të shkojë, edhe antikombëtar edhe antiopozitar. Pyetja e cila natyrshëm del, është se çfarë përfiton opozita e djathtë nga gjithë kjo mesele. Vetëm braktisje, përçmim dhe firo. A nuk janë këto të materializuara në shifrat e 14 majit?

    Nga ana tjetër, Kryeministri Rama, me nuhatjen politike te një predatori, e kapi në ajër faktin se çështja “Beleri” mund të transformohej në pilulën më të mire detoksifikuese ndaj bëmave të mazhorancës, për të rimarrë kapital politik në këtë verë të nxehtë dhe për t’u përgatitur për një sezon të ashpër politik në Shtator. E ku ka më mire se sa çështja “Beleri” përballë cunamit të SPAK që nuk po lë as mace e minj nga mazhoranca pa i kaluar në havijen përvëluese të tij? Kryeministri duhet të falënderojë një mijë herë Berishën dhe Foltoren që e pajisi atë më një kauzë të drejtë në këtë kohë të vështirë. Sot, Rama, si Albin Kurti për shumë ko sovarë, është kthyer për shume shqiptarë, në heroin e tyre përballë një Greqie që ndërron lëkurën politike por zakonin e saj të vjetër nuk e harron kurrë.

    A bëri mirë kryeministri me arrestimin e Belerit? Padyshim që po. A është ky standardi i Kryeministrit për çdo abuzues me blerjen e votës ? Padyshim që jo. Ajo që e bën Athinën të duket e sforcuar është pikërisht paaftësia e saj për të bërë këtë lidhje mes standardit të dyfishtë me abuzuesit e votës. Por, kjo ama, nuk i jep asaj asnjë të drejtë të mohojë faktin se procedurat dhe provat janë krejtësisht ligjore dhe penalizojnë rëndë Belerin. Pikërisht, kjo duket karta fituese e Ramës i cili, duke përfituar nga injoranca dhe gabimi trashanik i një njeriu ordiner si Beleri, të duket në sytë e të gjitha komunitet ndërkombëtar, si njeriu i duhur që po bën gjënë e duhur karshi një fqinji tekanjoz dhe aspak pro evropian në lidhje me procedurat ligjore. Këtë ndjenjë triumfaliste Rama po e shijon shumë dhe do e përdori këtë rast deri në maksimumin e vet pikërisht ashtu siç edhe ka bërë në shume rate te tjera. Ky është autogoli më i madh që foltorja ka bërë në këto kohë, e cila përforcon gjendjen e antikohës së saj.

    Elementi i tretë në këtë çështje është padyshim Greqia, ose më saktë irracionaliteti i saj më shumë. Në fakt, Greqia betejën më të madhe që ka humbur në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë më të, është beteja me irracionalitetin e saj kur bëhet fjalë për situatën ballkanike. Irracionalitet, i cili burimin e ka tek kontradikta mes ndjenjës së superioritetit të saj ballkanik dhe mllefit vendas. Por, jo vetëm kaq, Athina zyrtare me rastin Beleri, bëri një gabim elementar nisur nga ky irracionalitet, gabimin e të konsideruarit të Shqipërisë si e njëjta Shqipëri e para një dekade. Verbëria e vet, nuk e lejoi të shikonte dhe kuptonte se Shqipëria sot është një tjetër Shqipëri, sidomos kur bëhet fjalë për kontekstin e gjeopolitikës. Ajo nuk është ajo varfanjakja së cilës mund t’i hyje nga të gjitha vrimat e ekonomisë e politikës. Arroganca greke këtë nuk do që ta kuptojë. Duke u sjellë në mënyrë irracionale, ajo po i jep shansin Ramës të shfaqet nga krahu tjetër si modeli i rracionalietit evropian duke ngritur kuotat e tij në mesin e bashkësisë evropiane.

    Me të gjitha gjasat, Beleri do të dënohet, si dhe Bashkia Himarë do të kalojë në zgjedhje të tjera. Kjo kauzë e sjellë me fjongo nga ana e opozitës është kamerdarja më e mirë për mazhorancën, sepse çështja kombëtarë jo vetëm që shet shumë politikisht, por edhe është e prirur të mbulojë çfarëdo ngërçi në politikën e ditës. Për këtë mjafton të shikosh Albin Kurtin. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Ahmeti: Pendarovski dhe Kovaçevski u ngutën me reagimet për vizitën e Kurtit

    Lajmi i rradhës

    Pse po zhduken xixëllonjat?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë