Çizmet pa lidhëse!

    Argjir M. Beqiri

    Çdokush që ka njohuri rreth marrëdhënieve elektorat-politikan e din se në balkanosferë temat me ton kërcënues ndaj palës tjetër sjellin gram vëmendjeje nga elektorati të cilit i përket personi publik (politikani).

    Diskurs i këtillë rëndom ushtrohet nga individ dhe nga struktura në jetën tonë publike. Ata pak më të moshuarit e dinë më mirë se si politikanët në Maqedoni “krihnin” vota në të 90-at e më pas, disa me “seçenje kanxhi” disa me “Shqipëri etnike” e ca të tjerë duke e “shpallur” Selanikun kryeqytet të vendit.

    Marrë parasysh faktin se një përqindje e madhe e votuesve tanë janë analfabet politik apo thënë ndryshe, nuk e kanë në fokusin e tyre zhvillimet politiko-shoqërore përveç se në kuptimin sipërfaqësor, retorika e këtillë kalon goxha mire.

    Këto ditë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, në jetën tonë politike patëm zhvillime interesante politike, zhvillime këto që karakterizojnë qasjen tonë ndaj jetës politike. Pikërisht ashtu si i shkon për shtati një “homobalkanikusi” të veshur me petk të politikanit, disa protagonist paralajmëruan dorëheqje nga pozita udhëheqëse, patëm shpallje fitoreje si ajo e Piros, akuza për thika pas shpine, dhe si për fund paralajmërim për shumicë të re parlamentare, këtu vlen të theksohet se është rast i parë sa kohë që tek ne aplikohet demokracia parlamentare tash e 30 vite. Miks zhvillimesh për një kohë të shkurt që besa as edhe ata nuk e parashikuan ngjarje të këtilla pak ditë para mbajtjes së raundit të dytë të zgjedhjeve.

    Një aktualitet politik si ky padyshim se prodhon edhe megayjet e veta, ku tjetër përveç se tek kampi politik shqiptar, me eksponent nga partia që thith benefitet e pushtetit tash e dy dekada pa reshtur, nga individ në pozita udhëheqëse të institucioneve të vendit me rroga të majme, të cilët postfestum kërcënojnë me çizme e kallashnikovë, sikur rendin në vend të bënte kreu i fisit, duke cenuar rendin juridik të shtetit me deklarata kontroverse, rend të cilin aq shumë e mbrojnë kur është në pyetje rehatia e tyre nëpër institucionet e vendit.

    Nëse i hidhet një sy funksionimit të sistemit, dhe asaj se për çka angazhohen të gjitha garniturat politike në vend, në integrimin e vendit aty ku pretendojnë ta integrojnë, pra në strukturat perëndimore, do të hasim në anomali të shumta, ku mosfunksionimi i shtetit është evident, e si rrjedhojë prodhon korrupsionin dhe kaos në vend, si shkas i mentalitet te çizmeve dhe kallashnikovëve, të cilët si me buton aktivizohen sipas nevojës, dhe vërehet se përdoren për përdorim ditor. Askush nuk mban përgjegjësi për ngecjen e funksionimit të institucioneve si vertikalisht ashtu edhe horizontalisht, për mbushjen e tyre me pseudokuadro dhe me njerëz nga rrethi i ngushtë familjar, për destruktivitet të skajshëm sa i përket vendosjes së standardeve për ecje përpara.

    Mentaliteti i çizmeve, tek ne është realitet, është realitet në të gjitha instancat e funksionimit të sistemit prej lart poshtë, por, e mira në këtë mentalitet është se mbajtësve të çizmeve u janë këputur lidhëset dhe janë krejtësisht te konsumuar, andaj edhe populli nuk ju beson më.

    Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori.

    Lajmi Paraprak

    Kërçovë, japin dorëheqje tre këshilltarë të BDI-së

    Lajmi i rradhës

    Thaçi deklaroi se shumica parlamentare ishte në qeveri

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë