Çka sjell gazeta në mëngjes…

    Foto: Boris Müller/Tages Anzeiger, Zürich

    Enver Robelli

    Diku mes orës 5 dhe 6 gazetabartësi sjell gazetën. Me hapa të lehtë i afrohet kutisë postare, e lë gazetën aty dhe vazhdon drejt shtëpive të tjera, ku po ashtu do sjell gazetën. Diku mes orës 5 dhe 6 bukëpjekësi përballë bën atë që di më së miri: i lumuturon njerëzit me aromën e bukës së sapopjekur. Bukëpjekësi thotë: “Faleminderit” dhe “Kaloni një ditë të bukur”.

    Në gazetë (“Tages Anzeiger”) sot kishte mjaft thesare. Në një intervistë të gjatë shkrimtarja Donna Leon, e cila ka jetuar në Venedik dhe me romanet e saj e ka lartësuar famën e qytetit, sheh zi e më zi: ajo thotë se turizmi masiv do ta shkatërrojë Venedikun. Leon ka ikur nga atje dhe ka gjetur strehë në një fshat malor në Zvicër. Leon vret mendjen se çfarë do të bëjë me personazhin e romaneve të saj, me Commissario Brunettin. Thotë se ndoshta do ta çojë në Napoli për të hetuar, por vendlindje e tij mbetet Venediku. “Nuk do ta vras. E dua, ende”, thotë ajo për komisarin e saj.

    Në Kil, shtet në Amerikën Latine, kryetar është zgjedhur – një kroat (me origjinë). Gabriel Boriq, 35-vjeçar, është i pari president decidivisht i majtë që nga Salvador Allende, të cilin e kishte rrëzuar nga pushteti CIA, ky ka qenë njëri ndër mëkatet e mëdha të politikës amerikane, siç e thonë shkencëtarë e politikanë liberalë amerikanë. Pas Allendes në pushtet erdhi gjenerali Pinoçet dhe neoliberalizmi brutal triumfoi. Pinoçet ishte sundimtar shtypës. Boriq ka premtuar se do të luftojë për barazi sociale.

    Korrespondenti nga Londra shkruan se ministrja e Jashtme Liz Truss mund të jetë pasardhëse e kryeministrit Boris Johnson.

    Ana e mërzitshme e globalizimit: në Zürich mbyllet një mishtore e hapur më 1874 dhe hapet një diçka që shet sanduiça, një markë britanike.

    Te kultura: një tekst i gjatë për Elon Musk. Njeriu është i pasur, kjo dihet, edhe njëfarë gjeniu është, por Musk ka një problem: ka personalitet bipolar. Të tillët mund të jenë vullkane kreativiteti, por edhe nervangrënës të rrethit social. Bipolarët luhaten mes manisë dhe depresionit. Disa kjo situatë i çon në vetëvrasje. Nuk është jetë gazmore, jeta e bipolarëve. Ndoshta me përjashtim të Elon Muskut.

    Te sporti: një faqe me miniportrete të futbollistëve të FC Zürich. Mes tyre: Mirlind Kryeziu. Blerim Xhemaili. Fidan Aliti. Dhe… Bledian Krasniqi. Këtu, për arsye familjare, do të isha subjektiv nëse them diçka. Andaj citoj: ekspertët e futbollit e shohin atë si lojtar të kombëtares zvicerane, në të ardhmen.

    Gazeta është po aq e rëndësishme sa buka e bukëpjekësit në mëngjes. Dhe këtu: pikë. Sepse (edhe sot) po presin malet e Zvicrës juglindore.

    Lajmi Paraprak

    Ukraina e akuzon ish-presidentin Poroshenko për tradhti

    Lajmi i rradhës

    Kufij që vrasin: Nga Kanali Anglez në Detin Mesdhe

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë