“Darvinizmi” i krimit

    PËLLUMB NAKO 

    Njëlloj si ” Origjina e spe cies” e trajtuar nga Darvini, ku në thelb provohet se evolucioni i qenieve të gjalla kryhet nëpërmjet seleksionimit natyror, edhe krimi paraqet disa tipare të ngjashme me këtë proces. Edhe ai në tërësinë e tij karakterizohet nga hope cilësore të arritura nëpërmjet një procesi të përshtatjes ndaj kohës, ambientit dhe ndryshimeve sociale në të cilat zhvillon aktivitetin e tij. Kush nuk i përshtatet realiteteve të reja, seleksionohet dhe zhduket nga vetë krimi. Një krahasim i tillë është i vërtetueshëm edhe për radhët e krimit me vulë shqiptare për të cilin po flitet gjithmonë e më shumë edhe brenda vendit, edhe në mjedisin ndërkombëtar.

    Hopet cilësore të këtij krimi janë të njohura sidomos për faktin e krijimit të kontakteve direkte të tij me prodhuesit e kokainës në vendet e Amerikës Latine dhe sidomos në gjetjen e rrugëve të ndryshme ligjore për kthimin e parave kriminale në biznese apo në pasuri të paluajtshme, quajtur ndryshe pastrimi i parave. Ky fenomen në fakt, në vendin tonë mbetet mjaft i praktikuar nisur nga realiteti se në Shqipëri informaliteti jeton ende në përmasa të konsiderueshme.

    Megjithatë, në tërësinë e tij kriminaliteti karakterizohet nga dy tipare kryesore që në plan të parë duken diametralisht të kundërta. Ekzistojnë krime të quajtura “të dhunshme” dhe ato të quajtura “krimet dinake”. Bërja e dallimit ndërmjet tyre është mjaft i rëndësishëm sepse lidhet ngushtë me perceptimin e publikut për sigurinë e tij.

    Ajo që ndodh kudo, edhe në vendin tonë, është fakti se krimi i dhunshëm tërheq më shumë vëmendjen e opinionit publik nisur nga fakti sepse dhuna që e karakterizon ndikon shumë në pasigurinë e individit dhe në një kontekst të tillë, frika dhe paniku që përhap mbeten të dukshme. Natyrshëm edhe vëmendja e organeve kompetente nuk është e vogël. Nga ana tjetër, kemi të bëjmë me krimin të quajtur dinak, i cili nuk tërheq vëmendjen e publikut, zhvillohet i qetë dhe grupet apo individët kriminalë kanë më shumë interes të mimetozohen se sa të përdorin dhunën e të bien në sy. Në vend të saj preferohet paraja, blerja, korruptimi.

    Në këtë kategori futet me gjithë dimensionet e tij pastrimi i parave si dhe krime të tjera si mashtrimet financiare, kontrabanda evazioni fiskal etj. Duke mos bërë zhurmë, ky lloj kriminaliteti i shpëton vëmendjes së organeve kompetente dhe për më tepër realizimi i tij lidhet ngushtë me profesione të niveleve të larta që i shmangen jo vetëm institucioneve, por sidomos opinionit publik që pak e percepton rrezikshmërinë e tyre, madje nuk i percepton fare si krime. Ky fakt bëhet edhe më i mprehtë në kushtet e vendit tonë, kur organet e sigurisë karakterizohen më shumë nga reagimi ndaj krimit dhe jo në drejtim të parandalimit.

    Kur bëhet fjalë për pastrimin e parave në realitetin shqiptar, përgjithësisht gishti drejtohet te qeveria e cila ende nuk bën aq sa duhet ose nuk ka vullnetin për të bërë atë që duhet. Në këtë perceptim sigurisht futet edhe korrupsioni i administratës publike të niveleve vendimmarrëse, apo edhe të niveleve politike. Në fakt korrupsioni mbetet problemi më madhor. Pavarësisht se Kryeministri ynë thotë se drejtësia po bie fort mbi të korruptuarit e qeverisë dhe se përgjegjësia është individuale, sasia i goditjeve të drejtësisë të krijon edhe perceptimin se sa i përhapur është ky fenomen në radhët e niveleve të larta qeveritare.

    Nga ana e tij SPAK duket se nuk ka ende fuqinë e duhur në mjete e burime njerëzore për të ndjekur më fort pastrimin e parave, por mbetet në kuadrin e sekuestrimit të aseteve të atyre që pasurohen nëpërmjet krimit. Madje në këtë drejtim, vendin kryesor e zënë individë të dënuar nga drejtësia e vendeve të huaja.

    Më konkretisht: Para disa ditëve u dha njoftimi se SPAK kishte sekuestruar pasuritë e shumta të një individi i cili në Shqipëri figuronte si sipërmarrës në fushën e ndërtimit kurse në Spanjë trafikant kokaine. Në të njëjtën valë, Prokuroria sekuestroi pasuritë e një individi tjetër, edhe ato kolosale në vlerë, i cili po ashtu ishte i përfshirë në trafik drogash. Ajo që konstatohet është fakti se gjatë viteve të fundit numri i sekuestrimit të aseteve të personave që kanë vënë pasuri nëpërmjet krimit, është rritur shumë dhe një gjë e tillë është mjaft pozitive. Ky fakt të krijon perceptimin pozitiv se njerëzit janë të kënaqur me këto goditje. Po ashtu dhe qeveria mburret sepse ndëshkimi më i madh për një kriminel, është jo vetëm heqja e lirisë, por sidomos sekuestrimi i pasurisë. Ky veprim i fundit u heq atyre gjithë motivin e sipërmarrjes antiligjore që kanë bërë më parë.

    Por një pyetje e natyrshme del vetvetiu: A mjafton vetëm sekuestrimi i pasurisë së një individi i cili e ka vënë atë në rrugë kriminale brenda apo edhe jashtë vendit? A përbën një indice të fortë ky sekuestrim për të filluar hetimin për pastrim parash? Dhe jo vetëm për individin subjekt i sekuestrimit.

    Përse?

    Në të dy rastet e cituara më sipër kemi të njëjtin fenomen të pasurimit nëpërmjet krimit dhe trafiqeve dhe të tillë dihet që grupet kriminale nuk janë të paktë. Pasi kanë fituar para nga aktiviteti kriminal i trafikut të drogës, këta individë natyrshëm kanë arritur që këto para t’i qarkullojnë, të investojnë dhe t’i fusin në qarkullim ligjor dhe më pas t’i kthejnë në prona të patundshme.

    Gjithë ky cikël sigurisht në terma ligjorë është pastrim parash. Në vetvete pastrimi i parave kërkon njohje të mirë të legjislacionit në përgjithësi, kërkon njohjen e rregullave financiare e bankare në veçanti. Dhe një gjë a tillë do të thotë që një trafikant që ka bërë para, të paktën në shumicën dërrmuese të tyre, nuk e kanë përgatitjen e duhur e as ekspertizën e nevojshme për të kryer operacione bankare, ligjore, administrative me qëllim pastrimin apo futjen e parave të pista në aktivitet ekonomik normal për të mbërritur te pasuritë e patundshme. Një fakt i tillë do të thotë se këta kriminelë kanë nevojë për asistencën e individëve të specializuar dhe jo dosido.

    Pra që këto para të futen në rrugën e normalitetit janë të nevojshëm disa profesionistë të cilët të kenë përgatitje të lartë në fushën e kontabilitetit, në fushën ligjore apo financiare. Pra, atyre u duhet të bashkëpunojnë me noterë, avokatë, kontabilistë, financierë, juristë, që kanë emër të mirë dhe që dinë si të veprojnë. Ata kanë nevojë edhe për funksionarë publikë që i korruptojnë.

    Madje rruga më e sigurt është kur atyre u bëhen krah biznesmenë me emër të pa përlyer, me biznese të rregullta ligjore që pranojnë të bëhen ortakë me ta dhe nëpërmjet profesionistëve të mësipërm, arrijnë e fusin në rrugë ligjore paratë e tyre kriminale. Sigurisht këta profesionistë i njohin mirë ligjet, por ata janë të besuar, janë gojë kyçur që jo vetëm veprojnë, por nuk bëhet fjalë të denoncojnë.

    Nëse pranohet fakti se vendi ynë është kthyer në një lavatriçe të pastrimit të parave, atëherë për të kryer këto megaoperacione janë në dispozicion një numër i konsiderueshëm noterësh, bankierësh, financierësh, kontabilistësh, avokatësh, funksionarësh publikë, sipërmarrësish që të paktën deri më sot nuk figurojnë të hetuar apo të gjykuar. Sipas krahasimit me Darvinizmin, kjo shtresë përbën speciet më të zhvilluara të botës kriminale. Madje kjo kategori nuk perceptohet si kriminale. SPAK-ut i dihet urgjentisht një seksion i veçantë hetimi për këtë kategori që gërryen ekonominë e vendit. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Një vështrim realist mbi negociatat me Brukselin: Realitete e fasada

    Lajmi i rradhës

    Pallatica nuk ka ujë për pije, banorët ujin e sigurojmë përmes puseve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë