Një vështrim realist mbi negociatat me Brukselin: Realitete e fasada

    GENC POLLO 

    Në plenaren e Parlamentit Evropian të mbledhur në Strasburg në 11 korrik…

    11 KORRIK: KONTRASTE NË STRASBURG

    …ku diskutohej rezoluta për Shqipërinë, fjalimi i Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Várhelyi, ishte shumë optimist. Në kontrast me shumë pasazhe negative të rezolutës që u miratua po atë ditë (shih shënimin tonë të datës 19 korrik), Komisioneri vlerësoi pozitivisht punën që nga çelja e negociatave në korrik të vitit të shkuar.

    “Procesi ‘screening’ është në udhën e duhur; delegacionet nga Shqipëria vijnë të përgatitura dhe angazhohen aktivisht në diskutime”, tha ai, duke shtuar se raporti do të prezantohej mbas pak ditësh (“screening” është verifikimi i përputhjes midis legjislacionit shtetëror dhe atij të BE-së) dhe se shpresonte të çelte negociatën për “cluster”-in (grup-kapitujsh) e parë brenda vitit. Njëfarë progresi është bërë edhe në luftën kundër korrupsionit shtoi Komisioneri, duke iu referuar disa dënimeve gjyqësore të disa ish-zyrtarëve përfshi një prokuror të Përgjithshëm.

    19 KORRIK, MBROJTJA E TAKSAPAGUESVE NË BRUKSEL/TIRANË

    Në 19 korrik, u bë e njohur se Komisioni Evropian në mbrojtje të taksapaguesve të vet, ndërpreu pagesat e programit IPARD 2 (“the Commission is interrupting the payment” shënohej në letrën nga Brukseli). IPARD 2 administrohet nga AZHBR (Agjencia për Zhvillim Bujqësor e Rural) nën drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë. Motivet e ndërprerjes sipas letrës ishin “parregullsi si krijimi artificial i kushteve për të përfituar një ndihmë më të lartë financiare, lidhje të paligjshme ndërmjet ofertuesve, çmime të fryra, mosmbajtje e dokumentacionit origjinal, investim i ndërtuar në një vendndodhje të ndryshme nga ajo e kontratës, oferta false e të tjera”. Pagesat mund të rifillojnë kur masat korrigjuese nga qeveria të jenë bindëse por nëse kjo nuk ndodh edhe programi vijues IPARD 3 nuk do të aktivizohej, ndërkohë “kërkojmë nga Tirana menjëherë komente dhe korrigjime”. Me këto kumte mbyllej letra.

    Të nesërmen, ministri i Bujqësisë i shpjegoi Kuvendit të Republikës (dhe indirekt Komisionit Evropian) se vetëm përkohësisht ishin pezulluar pagesat (e pavërtetë po të besojmë letrën e Brukselit) dhe se në letrën në fjalë nuk përmendej fjala korrupsion (e vërtetë formalisht por sidomos e vërtetë e semantikës së re të qeverisë Rama ku abuzimi e vjedhja e fondeve publike nuk është korrupsion).

    Të pasnesërmen, ministri postoi në rrjetet sociale një foto nga një sallë me ekrane të mëdha në mur me dy-tre duzina njerëz duke shtuar se delegacioni i ministrisë në Bruksel për “screening” po shpjegonte përafrimin e legjislacionit, sigurinë ushqimore e rregulloren e Transparencës etj. Padyshim një “delegacion i përgatitur”!

    REAGIM NË MUNGESË TË NORMALITETIT

    Në rrethana normale ministri e kryeministri do të reagonin duke urdhëruar një auditim të brendshëm rigoroz. Jo vetëm për t’ju përgjigjur kërkesës specifike për korrigjime të Komisionit Evropian; por edhe në mbrojtje të taksapaguesve shqiptarë pasi 25% për çdo grant projekti buron nga buxheti i shtetit e 75% nga IPARD. Madje për hir të besueshmërisë publike qeveria mund t’i kërkonte Kontrollit të Lartë të Shtetit një shqyrtim të detajuar financiaro-ligjor të veprimtarisë së AZHBR-së (këtë kërkesë mund t’i a bënte edhe Presidenti i Republikës që bashkemëron shefin e KLSH; e që si shumë të tjerë deklaron se integrimi në BE është ylli polar i yni).

    Por kjo nuk ndodhi pasi nuk jemi në rrethana normale; sepse shefi i djeshëm i AZHBR është Ministri i Bujqësisë sot, sepse vjedhjet e abuzimet me fondet bujqësore kanë qenë masive, rutinore e të bëra sheshit edhe pas akreditimit të AZHBR-së në v.2018 nga Brukseli.

    Paturpësia e reagimit/mosreagimit ndaj letrës së Brukselit është kthyer në normalitetin e ri. Por, ky nuk është objekt i këtij shënimi.

    Ministri i Bujqësisë përmes postimit në “Instagram” të “delegacionit të përgatitur” na ka dhuruar një metaforë adekuate të procesit “screening” dhe druaj edhe të negociatave të anëtarësimit siç duket se do të zhvillohen.

    RUTINA E PADOBISHME “INTEGRUESE”

    Që nga prilli 2018, Komisioni Evropian rekomandoi në mënyrë të përsëritur çeljen pa kushte të negociatave me Shqipërinë; gjithashtu në mënyrë të përsëritur Këshilli Evropian (shtetet anëtare) nuk e morën parasysh ketë kërkesë. Në mars 2020 Këshilli Evropian, në vijim të 9 kushteve të Bundestagut, përcaktoi 15 kushte të cilat Shqipëria duhet t’i përmbushte që të mund të çeleshin negociatat. Ky detyrim u konfirmua edhe në një rezolutë të Parlamentit Evropian në mars 2021. Me arsyetim të shëndoshë Këshilli e Parlamenti gjykuan se nuk mund të çeleshin negociatat me një shtet ku ndër të tjera mungonte Gjykata e Lartë e ajo Kushtetuese dhe ku votat bliheshin hapur nga qeveritarë të pandëshkueshëm. Ky kushtëzim dha impulse për të normalizuar deri diku jetën institucionale e politike në vendin tonë edhe pse 15 kushtet nuk u përmbushën plotësisht. Vendimi për çeljen e negociatave me Tiranën e Shkupin i marrë në korrik 2022 është “meritë” e agresionit të Putinit kundër Ukrainës në shkurt të atij viti.

    Me rënien e kushtëzimeve procesi i negociatave është kthyer në rutinën e vjetër të verifikimeve formale të legjislacionit. Kjo mënyrë mund të ketë qenë adekuate për anëtarësimin e Suedisë e të Austrisë në v.1995. Në këto vende ka funksionuar sundimi i ligjit, shteti nuk ishte i kapur dhe rotacioni elektoral i pushtetit ishte i mundshëm. Pra, të famshmet e tashmë gjysmë të harruarat kritere të Kopenhagës ishin të përmbushura. Për shtete në Ballkanin Perëndimor fatkeqësisht kjo nuk mund të thuhet.

    Në diskutim është efekti transformues pozitiv dhe “evropianizues” i integrimit në BE. Deri tashti tek ne duket se BE ka një rol frenues ndaj përkeqësimit si në rastin e pasaportave të arta, të amnistisë fiskalo-penale (sipas Edi Ramës, edhe SHBA ka qenë kundër) apo edhe të ndërprerjes së IPARD-it së fundmi. Por edhe në këtë rol BE dëften limite: Brukseli nuk frenoi dot projektin plaçkitës të Portit Durrës me gjithë shkeljen e MSA-së; po ashtu Komisioni Evropian e squlli kundërshtimin fillestar në parim ndaj legalizimit të kanabisit në kritere teknike jo shumë domethënëse.

    Por për efekt pozitiv të negociatave për anëtarësim është vështirë të flasim sa kohë që “screening” përdoret vetëm për statistikë abstrakte, si dhe keqpërdoret për të mbuluar vjedhjen qeveritare të taksapaguesve në kontinentin tonë. /Panorama/

    *Ish-ministër dhe deputet

    Lajmi Paraprak

    Ushqimet më të mira për trurin që ju ndihmojnë me përqendrimin

    Lajmi i rradhës

    “Darvinizmi” i krimit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë