Debat politik apo narrativa gjuhësore?

    GËZIM TUSHI 

    Me sa duket, as kjo fushatë nuk mundi t’i shpëtojë patologjisë së politikës së vjetër, lidhur me fjalorin dhe përdorimin toksik të gjuhës politike. Mediat këto ditë janë inonduar nga një “llafazanëri politike”, e cila është shfaqur dukshëm në zgjerimin nga dita në ditë të “murtajës” së një lloj “gjuhe banale”. Madje, deri në kthimin në qëllim në vetvete të polemikave në trajtë gjuhësore. Shumë herë boshe, pa substancë politike, herë alegorike e herë e drejtpërdrejtë në “betejën” midis kundërshtarëve politikë. Polemika gjuhësore është kthyer në një pingpong elektoral, si qëllim në vetvete midis pozitës dhe kundërpërgjigjes së opozitës. Një situatë që nuk kalon pa lënë efekte në atmosferën e neurotizuar elektorale, apo në ndikimet intoksifikuese për publikun. Njerëzit janë sy e veshë në këtë fushatë dhe presin nga politikanët debat politik dhe jo sulme gjuhësore brutale, “luftarake”. Sepse në jo pak raste, vendin e ligjërimit politik korrekt, me standarde gjuhësore e ka zërë logjika sempliste: “fol të flasim” pa menduar se cilat janë efektet.

    Padyshim, nuk mund të fshihet fakti që në këtë fushatë ka pasur shfaqje të kombinimit të mediokritetit politik, që është i sinkronizuar në mënyrë të detyrueshme edhe me shfaqjen e mediokritetit gjuhësor. Si e vlerësojnë këtë situatë të komunikimit gjuhësor politikanët tanë? Nga sondazhet e bëra në rrugë informale, duket se njerëzit nuk janë të kënaqur me këtë dramaturgji politike, e cila ka defekte në skenar, shoqëruar nga interpretime gjuhësore të sforcuara të aktorëve politikë. Një “gjuhë e drunjtë”, e cila nuk ndihmon komunikimin dhe perceptimin e alternativave politike, sepse si gjithnjë, edhe kësaj here është e ndërtuar mbi konceptin që “kundërshtari duhet të heshtë”.

    Një gjuhë e ashpër jo komunikative, aspak dialoguese, sikurse zhvillohet sot në politikën modern. Më shumë se është gjuhë politike impersonale e komunikimit elektoral, është një gjuhë që i shërben një lloj armiqësie personale e tipik ballkanik, një epidemi gjuhësore që nuk i është ndarë politikës shqiptare në këto tri dekada e gjysmë. Një gjuhë e cila në vend që të jetë konstruktive, mjet ndërtues për alternativat respektive, shfaqet herë si luftë personale apo akoma më keq si luftë subjektive. Nuk është fjala për ta vlerësuar situatën e komunikimit, si fenomen social të “mbyllur” në fushatë nga pikëpamja linguistike. Problemi është te ndikimet toksike dhe interferenca sociale në komunikimin midis qytetarëve, qoftë si militantë apo votues të thjeshtë. Sepse kjo gjuhë nxit kortizolin, këtë hormon që në fushatat politike, sikurse ka treguar përvoja e zgjedhjeve në vendin tonë, shpesh shoqërohet me urrejtje dhe dhunë dikotomike. Sepse nëse liderët e partive nuk përdorin gjuhë politike, por gjuhë të urrejtjes së ashpër, atëherë edhe ata pa e kuptuar ndoshta marrin trajtën e “lidershipit patogjen”. Sepse ndihen të gjithë elementët toksikë të komunikimit politik, e cila në shumicën e rasteve ka pasur dhe është shfaqur si dhunë gjuhësore nominalisht subjektive, konkrete dhe e personalizuar.

    Madje, u bë një kohë e gjatë, që debati politik është kthyer në formën e “betejës gjuhësore” sistemike e të pandërprerë, pa pauza e qetësi komunikative. Në fakt, kjo fushatë mori karakterin e një beteje të personalizuar, të dominuar nga debate në nivelet e larta të lidershipit politik, në të gjithë spektrin e aktorëve elektoralë pjesëmarrës në zgjedhjet e 11 majit. Nuk po them se në fushatë duhet “gjuhë pajtimi”, sepse kjo është e pamundur në një garë elektorale dhe luftën për pushtet. Në përgjithësi, ata nuk e kanë aplikuar atë parametër të politikës moderne, e cila si rregull gjuhën e dhunës e zëvendëson me debatin e arsyeshëm. Koha kërkon kombinimin e përdorimit të gjuhës politike me refuzimin e gjuhës së ashpër, të infektuar nga dhuna verbale. Në fakt janë rrethanat dhe mënyra se si po ndërtohet fushata dhe komunikimi elektoral, faktorë patologjikë me ndikim evident në debatin politik. Padyshim, gjuha politike nuk është “gjuhë pedagogjike”, por sidoqoftë ajo ka standarde etike, norma ontologjike të përdorimit të qytetëruar. Një gjuhë agresive, konfliktuale, e personalizuar është regresive, nuk është konstruktive sepse e orienton debatin jo në gjëra esenciale me vlerë për qytetarët, pritmëritë, nivelin e jetës, zgjidhjen e problemeve të shumta sociale, por e drejton atë në një debat shterp dhe për gjëra fiktive.

    Një gjuhë politike është pa vlerë, nëse nuk respekton vlerat morale dhe nevojat psiko-sociale të shoqërisë. Në fushatë politikanët nuk janë në debat të ngushtë, të mbyllur, personal. Politikani në fushatë është “folës publik”, që kur flet duhet të mendojë se tek ata që janë mbledhur për ta dëgjuar, ka rëndësi edhe fjala, cilësia e zërit dhe mbi të gjitha ajo çfarë transmeton. Këto nuk janë elemente formale të komunikimit në publik, por janë me efekt social të rëndësishëm. Gjatë kësaj fushate janë vënë në përdorim publik fraza, që në pamje të parë duken të kultivuara dhe elokuente, por që po t’i analizosh pa parti-pris, nuk kanë asgjë të përbashkët apo të ngjashme me specifikën e gjuhës politike. Nuk është shqetësim i vogël problemi i gjuhës dhe komunikimit politik në këtë fushatë. Sepse në disa raste, fushata infekton retorikën politike, shpesh ngatërron obligimin e politikanit si folës publik me një lloj përdorimi johuman të gjuhës publike. Në fushatë duhet komunikim politik me substancë, e cila është krejt e kundërta e politikës së reduktuar në spektakël batutash politike. Nuk mund të mbushet komunikimi elektoral me farsë dhe dialogë bosh, të zbrazura dhe pa substancë. Ka plot raste, kur edhe humori që përdoret, herë është “pa shije” dhe në shumë raste edhe i zymtë.

    Politikanët janë për të bërë politikë, jo për ta parodizuar atë në gallatë publike. Sepse kjo e bën të vështirë dallimin midis bindjes politike të njohur dhe nivelit të argumentimit të alternativës. Fushata ka nevojë për argumente, dialog dhe reflektim, jo për shumë zhurmë dhe thirrje emocionale dhe pak ide apo arsyetime politike. Ca më pak komunikimi politik nuk mund te reduktohet në publicistikë nervoze, që nuk ka asgjë të përbashkët me “lëndën specifike” të bërjes së politikës. Një model i tillë jo vetëm cenon narrativën politike si alternativë, por shpesh i bën ato të ngjashme, formale e mekanike, duke zbehur “qëllimin komunikues”, mënyrën e ndërtimit të “diskursit politik”. I shëmtuar është sidomos formalizmi i ngushtë, arkaik e militantesk i gjuhës së ngurtë, pa nuanca të personalizuara, pa kolorit personal, por të mbështetur në slogane të rreshtuara si “fishek gjerdani”. Fushata ka nevojë për diskursin popullor elektoral, por jo me petkat e vjetra të populizmit arkaik. Mundet që të pretendohet se kjo është tipologjia e diskursit popullor elektoral. Por në disa momente vendin e karakterit popullor të gjuhës, e mbulojnë tonet e aksentuara populiste, në format e gjuhës së mllefit të personalizuar, bazuar vetëm në kundërshtim dhe përjashtim. E gjithë kjo e realizuar në këtë fushatë me të gjitha mjetet e mundshme gjuhësore. Herë duke hiperbolizuar në mënyrë të njëanshme arritjet dhe herë duke nënvleftësuar e thjeshtësuar në ekstrem të vërtetën e arritjeve.

    Kjo të bën të mendosh, se në këtë fushatë elektorale nga pikëpamja e komunikimit verbal dhe artikulimit gjuhësor, më shumë qytetarët janë përballur me inate, madje në të shumtën e herëve si goditje reciproke e personalizuar e liderëve kryesorë, duke u shfaqur me një gjuhë toksike. Padyshim, është në logjikën elektorale, që fushata të ketë tone të ngritura verbale kontroversale, por gjithsesi ato duhet të vijnë te qytetari me logjikë elektorale. Sepse shpeshherë frazat elokuente të kthyera në qëllim në vetvete, sjellin kakofoni politike tek orientimi dhe vendimi elektoral i zgjedhësit. Mbase për shkak të raporteve dikotomike pozitë opozitë, apo edhe të diferencave programore, nuk duhen trajtuar në mënyrë të njëanshme, por në mënyrë integrale. Doemos edhe më gjuhë elokuente, një kërkesë joformale për njeriun politik. Nuk e di mbase nga që kjo fushatë ka pasur intensitet të veçantë ligjërues, ka bërë që të shfaqen nga njëra anë qëndrime ambivalente të pohimit të njëkohshëm të gjërave të kundërta, jo fort të pajtueshme, nga njëra anë, por edhe reagime ambiguide, që përdoren për të mohuar gjithçka.

    Kjo logjikë ligjërimi, e vlerësuar sociologjikisht, është bërë prirje në këtë fushatë. Ndërkaq, sikurse duket, e tërë hapësira e ligjërimit publik dhe komunikimit elektoral është bërë “areal” i personalizuar i liderëve kryesorë të pozitës dhe opozitës. Nuk e di deri në fund shkakun e këtij komunikimi të “mbyllur”, të personalizuar. Por sado interesantë të jenë, sado besim të kenë në kapacitetin e tyre kulturor, ligjërues dhe elokuent, duket se përtej qytetarit militant, shpesh ai bëhet monoton. Fushata ka nevojë për alternim të komunikimit dhe artikulimit nga aktorë të tjerë, në mënyrë që ai të bëhet interaktiv, tërheqës, duke shmangur njëtrajtësinë e ligjëratës, monotoninë e ligjërimit. Fushata bëhet e bukur dhe argumentet kanë peshë elektorale, kur debati ndërtohet mbi argumente politike dhe jo slogane të njëtrajtshme. Sloganet nuk janë politikë. Debatet politike skolastike nuk i shërbejnë qytetarit.

    Politika këto ditë përfundimtare të fushatës, ka nevojë për gjuhë politike, por që të përdoret bukur në mënyrë që të pëlqehet nga qytetarët. Vetëm kështu mund që politikani të shkëlqejë, por kjo ndodh kur ai është i aftë, i kulturuar në përdorimin e gjithë ngjyrimeve në artin e oratorisë. Nuk kanë vlerë retorikat politike që reduktohen në “histeri militante”. Nuk mjafton as elokuenca iluminuese, sidoqoftë ajo, akademike apo hileqare. Një gjuhë e saktë politikisht, e artikuluar qartë, e përdorur bukur, gjithnjë pëlqehet nga qytetari si zgjedhës, para se ai të marrë vendimin për të votuar…/Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Problem me Bashkimin Europian

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë