Raportimet mediatike përplot me stereotipa dhe paragjykime gjinore 

    Sefer Tahiri

    Si raportohet në media mbi gjinitë? Si stereotipizohen gratë në përmbajtjet informative dhe sidomos në ato të marketingut? Si u raportua për deklaratën e peshkopit Petar për barazinë gjinore dhe për rastin e Safet Gjicit, kreut të Kukësit, të cilit iu publikua video erotike? Pse barazia gjinore aktualizohet vetëm më 8 mars dhe kur ndodhin raste të dhunës familjare? Si duhet të veprojnë mediat që të luftojnë stereotipizimin gjinor dhe cilat standarde profesionale dhe norma etike duhet t’i respektojnë?

    Deklarimet diskriminuese të peshkopit Petar raportohen në mënyrë jokritike

    Në muajin prill, peshkopi Petar në mesazhin e tij për festën e Pashkëve, kumtoi qëndrime që kanë konotacione diskriminuese ndaj grave, ndërsa shumë media i transmetuan në mënyrë jokritike.

    Në deklaratën e tij peshkopi Petar tha:

    “Shoqëria jonë kërcënohet nga një ideologji edhe më e rrezikshme, shkatërruese dhe helmuese – barazia gjinore! Kjo ideologji, pra terminologji manipuluese është blasfemuese, e panatyrshme, e çoroditur. Zoti i krijoi mashkull dhe femër dhe çdo gjë tjetër e ndryshuar, e tjetërsuar dhe e ndryshme nga krijimi i Zotit është anormale, prandaj dhe e papranueshme”.

    Në nenin 12 të Kodit të Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut thuhet:

    “Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cenojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)”.

    Por, siç evidenton agregatori i lajmeve që transmetohen në gjuhën maqedonase Time.mk, shumica e mediave vetëm e kanë transmetuar deklaratën e peshkopit, pa e kontekstualizuar dhe pa u distancuar nga ajo, edhe pse me anë të saj promovohej diskriminim i hapur gjinor:

    Vetëm portali Plusinfo dhe Televizioni Telma, deklaratën e peshkopit Petar e kanë transmetuar duke e quajtur skandaloze, edhe pse raportimet kanë qenë vetëm në stilin transmetues, duke mos bërë distancim:

    Në Udhëzimet për raportim etik për mediat online, të përgatitura nga Këshilli i Etikës në Media thuhet:

    “Mediat online do të përpiqen të rrisin ndërgjegjësimin për pasojat negative të gjuhës së urrejtjes, do të identifikojnë dhe ekspozojnë një fjalor të tillë, si dhe do të shfaqin aktorët që prodhojnë dhe e përdorin atë. Mediat online do të krijojnë përmbajtje me të cilat do të kundërshtojnë gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin mbi baza të ndryshme në Maqedoninë e Veriut.

    Në raste të jashtëzakonshme të gjuhës ekstreme të urrejtjes nga individë ose grupe, obligim i medias online është të kritikojë publikisht qëndrimet e tyre, duke theksuar pasojat e dëmshme për komunitetin e gjerë dhe grupet ndaj të cilëve ato janë adresuar.

    Mediat online janë përgjegjëse për rishikimin dhe heqjen e shpejtë të komenteve të përdoruesve që publikohen nën storiet gazetareske në ueb faqet ose rrjetet sociale, të cilat përmbajnë gjuhë urrejtjeje dhe kanë potencialin të shkaktojnë pasoja të dëmshme në shoqëri”.

    Por, në mediat shqiptare, lajmi mbi deklaratën e peshkopit të Kishës Ortodokse Maqedonase Petar, edhe pse nuk ka pasur jehonë të madhe, në disa që e kanë transmetuar, nuk është bërë dekonstruimi i saj. Disa media në gjuhën shqipe nuk janë distancuar nga deklaratat diskriminuese të peshkopit Petar, por i kanë transmetuar, duke shërbyer vetëm si kanal për përhapjen e tyre.

    Portali Telegrafi raportoi me titullin “Prifti maqedonas e quan barazinë gjinore të rrezikshme dhe shkatërruese“. Në raport thuhej “Peshkopi Petar dha një deklaratë tronditëse për barazinë gjinore, për të cilën thotë se është e çoroditur. Sipas tij, para ardhjes së feminizmit, gratë ishin amvise, ndërsa tani të emancipuara, por gjithnjë e më shumë të divorcuara”.

    Nga ana tjetër, portali Koha raportoi me titullin “PESHKOPI PETAR QË I DO GRATË SI DIKUR! Vijojnë reagimet, kërkohet shkarkimi i mitropolitit“. Në raportin mbi reagimet ndaj deklaratës së përfaqësuesit të Kishës Ortodokse Maqedonase thuhet: “Duke iu referuar edhe feminizmit – shfaqjen e tij dhe emancipimin e gruas, që më parë ishte bashkëshorte, nënë dhe amvise, ndërsa sot është shumë e emancipuar me pozita të dukshme në shoqëri, shpeshherë e divorcuar dhe një nënë beqare, peshkopi u shpreh se nëse dikush kërkon të drejta më shumë ose më të mëdha, ai duhet të jetë i vetëdijshëm, i gatshëm për të kryer detyra më të mëdha, sepse kërkimi i të drejtave pa detyrime është nihilizëm”.

    Megjithatë, portali Koha ka bërë balancim në raportim duke transmetuar qëndrimin e Platformës për Barazi Gjinore (rrjet i përbërë nga 28 organizata), e cila ka kërkuar shkarkimin e peshkopit, meqë sipas kësaj organizate “Duke sugjeruar që gratë që kërkojnë të drejtat e tyre duhet të përgatiten për të kryer detyra të shumëfishta, peshkopi Petar në thelb po argumenton se gratë duhet të ndëshkohen për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Kjo nuk është vetëm thellësisht e padrejtë, por edhe në kundërshtim me parimet e barazisë dhe drejtësisë që të gjithë përpiqemi t’i ruajmë”.

    Kritikat mediatike ndaj porosive diskriminuese të peshkopit Patar

    Televizioni Sitell në analizën me titull “Vallë peshkopi Petar dëshiron ta kthejë gruan në mesjetë” thekson se “Mesazhi skandaloz i peshkopit Petar për Pashkët vazhdon të shkaktojë reagime në opinion. Reagime të ashpra arritën ndaj gjithkund, ndërsa Lidhja e Grave do të kërkojë dorëheqjen e peshkopit, për të cilin është e tmerrshme nëse gruaja është e divorcuar apo prind i vetëm!”. Në analizë transmetohen deklaratat kundërshtuese ndaj qëndrimeve të Petarit., të kumtuara nga kryetarja e Lidhjes së Grave, Savka Todorovska, përfaqësuesja e koalicionit “Margini”, Irena Cvetkoviq dhe ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska.

    Në analizën me titull “Gratë e divorcuara dhe gratë si prindër të vetëm në kampe, ndërsa fëmijët në Rininë krishtere të peshkopit Petar“, e publikuar nga Civilmedia thuhet: “Kështu do të dukej shoqëria ideale maqedonase në botëkuptimin e ‘ajatollahut’ Petar nga Xhamahiria Ortodokse Maqedonase, gjykuar sipas mesazhit të fundit. Manipuluesi i madh, edhe njëherë i keqpërdor ndjenjat fetare të popullatës, festën e madhe krishtere Pashkët dhe pozitën e tij në hierarkinë klerike si peshkop i rajonit të Prespës dhe Pellagonisë dhe në mesazhin për Pashkët ashpër e sulmoi feminizmin dhe akuzoi se barazia gjinore është e shtrembëruar”.

    Ndërsa në analizën me titull “Barazia gjinore është frika e përjetshme e kishës” e publikuar në blogun akademik të Institutit për Studime të Komunikimit (ISK), autorja Sonja Stojadinoviq thekson: “Detyrimet që nuk i përmendi peshkopi janë në fakt detyrime që gratë i kryen prej shekujsh dhe kjo nuk konsiderohet punë dhe nuk paguhet për të. Gruaja është shtylla kurrizore e familjes, ajo kujdeset për fëmijët dhe burrin, për shtëpinë dhe njëkohësisht është e aftë të kryejë mijëra detyra të tjera pune në shoqëri. Barazia gjinore që kërkon gruaja nuk është një kërcënim për shoqërinë apo familjen, por ekskluzivisht për sistemin mizogjen dhe patriarkal që e ka shtypur atë për shekuj me radhë. Është harruar se qasja në punë, e drejta për të votuar dhe për t’u zgjedhur, e drejta për trashëgimi të barabartë të pronës familjare, e drejta për abort, janë të drejta për të cilat gratë në shoqërinë maqedonase luftuan me luftë reale”.

    Siç theksuam, standardet bashkëkohore të gazetarisë parashikojnë dhe rekomandojnë që media jo vetëm që nuk duhet të promovojë gjuhë diskriminuese mbi baza gjinore, por duhet ta luftojë atë. Megjithatë, në disa media shqipe ka ndodhur pikërisht e kundërta.

    Titull diskriminues gjinor në Ditën e grave

    Në 8 Mars, Ditën Ndërkombëtare të Grave, kur zakonisht mediat prodhojnë dhe publikojnë përmbajtje gazetareske që promovojnë barazi gjinore, portali Tetovasot ka publikuar titullin skandaloz diskriminues, e shoqëruar me video, e shpërndarë edhe në rrjetin sociale Fejsbuk. Në të, një person i moshuar, duke folur në të folmen e rajonit të Pollogut apo Tetovës, theksoi se në të kaluarën gratë janë keqtrajtuar:

    8 MARSI/ Plaku nga Tetova: I kemi rrah majër gratë ama ene dashni kemi pas! (8 MARSI/ Plaku nga Tetova: I kemi rrahur mirë gratë, por edhe dashuri kemi pasur). (Tetova Sot, 8 mars, 2023)

    Gazetari, pas marrjes së deklaratës, në vend që t’i bëjë bashkëbiseduesit me dije se deklarata e tillë është fyese, denigruese dhe diskriminuese ndaj grave, duke qeshur i thotë “Faleminderit, respekt”.

    Këtë deklaratë, për fat të keq, e kanë transmetuar edhe shumë portale, të cilat duke vrapuar pas klikimeve shpeshherë nuk respektojnë standardet profesionale apo normat etike. Bëhet fjalë për transmetimin e deklaratës me titull të njëjtë në të folmen e Pollogut, edhe nga mediat: InaonlineOpentvShqipmediaInfoshqip, Gazeta Liria!

    8 Marsi dhe rastet e dhunës riaktualizojnë barazinë gjinore

    Barazia gjinore riaktualizohet si temë e trajtuar në mediat tradicionale dhe të reja vetëm kur raportohet për rastet e dhunës së burrave ndaj grave dhe anasjelltas, edhe pse rastet kur burrat sulmohen nga gratë proporcionalisht janë shumë të pakta. Poashtu kjo temë merr vëmendje mediatike në mënyrë afirmative zakonisht më 8 mars, Ditën e Grave.

    Kjo mënyrë e raportimit i përforcon edhe më shumë “stereotipet (e me këtë edhe procesin e stereotipizimit) si tërësi pozitive ose negative besimesh që një individ i ka në lidhje me karakteristikat e një grupi njerëzish. Ato ndryshojnë vazhdimisht në saktësinë dhe në vëllimin e tyre se deri ku vërtet e paraqesin shkallën e karakteristikave që i ka anëtari i grupit të stereotipizuar, dhe deri te vëllimi sa kjo tërësi besimesh arrin të ndahet prej të tjerëve”. Përkufizimi i këtillë është i përfshirë në Doracakun për arsimtarë për zotërimin e mësimit bazik për mediat në lëndën e gjuhës amtare për arsimin fillor dhe të mesëm.

    Reklamat nxisin stereotipizimin gjinor

    Në anën tjetër, edhe reklamimi në media ndikon ndaj përhapjes së stereotipve gjinore, meqë në doaracakun e apostrofuar thuhet se “krahas asaj që reklamimi përpiqet të na bind që ta blejmë produktin ose ta pranojmë ndonjë porosi, ai gjithashtu i formëson qëndrimet tona për gjinitë”.

    Gjatë portretimit, burrat prezantohen në pozitë dominuese, ndërsa gratë fizikisht portretohen në një pozitë më të ulë, burrat duan, ndërsa gratë janë ato që duhen. Gratë paraqiten si objektiv i lejes së burrit. Po ashtu, kemi paraqitje jorelevante të trupit të grave dhe të vajzave: Trupat e grave shfrytëzohen që të shiten produkte, qoftë edhe atëherë kur produkti kurrsesi nuk lidhet me erotikën.

    Raportimi seksist mbi videon erotike të Safet Gjicit

    Në ditën e mbajtjes së Forumit të Prespës, që sivjet u mbajt në Strugë, në vend se ky takim të ishte lajm rajonal, i tillë u bë rasti i Safet Gjicit, kryetarit tanimë të dorëhequr të Bashkisë së Kukësit, i cili u filmua në një video erotike me një grua.

    Mediat, kryesisht e raportuan ngjarjen në mënyrë objektive dhe korrekte, por nuk kanë munguar as ata që për rastin raportonin me sensacionalizëm dhe me tituj që sjellin klikime:

    Në këtë shkrim, transmetohet deklarimi i këngëtarit të njohur Stresi në një video në rrjetet sociale, në të cilën relativizon ngjarjen duke thënë “Çudia më e madhe tre ditë zgjat, çdo gjë kalon si gjithmonë në Shqipërinë tonë. Kjo është më se normale me politikanët tanë shqiptar, është një shumicë ekstremisht e madhe që e bëjnë këtë gjë”.

    Në përmbajtjen e publikuar nga portali Dosja thuhet se “Videoja e filmuar më datë 6 qershor, në ora 16:00, është mbi 2 minuta e gjatë dhe tregon përveç aktit të Gjicit dhe një panoramë të zyrës së tij. Ajo që vihet re është portreti i heroit tonë kombëtar, Skëndërbeut, shqiponja dy krenare e flamurit kombëtar por edhe një portret i babait të kombit tonë Ismail Qemalit. Dhe me këtë veprim të Gjicit, jo vetëm që përdhosi zyrën e tij por edhe portretet e figurave më të shquara të vendit tonë”.

    Gazetari Arian Çani ka bërë një deklaratë të bujshme në emisionin e tij Zonë e Lirë në Televizionin shqiptar ABC, teksa ka folur për videon erotike të kryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjicit. Çani tha se Gjici nuk është i vetmi person që ka kryer një akt të tillë në zyrë, duke pretenduar se edhe të tjerë zyrtarë kanë vepruar në të njëjtën mënyrë. Ai deklaroi se kryebashkiakun socialist e penalizoi fati i keq i tij. “Fati i keq i Safetit se të gjithë nëpër zyra e bëjnë. Dhe shumë mirë bëjnë, më mirë në zyrë sesa në hotele”, theksoi gazetari.

    Profesori i shkencave të komunikimit, akademiku Artan Fuga duke e trajtuar rastin në fjalë, në Fejsbuk publikoi qëndrimin e tij me titull “Raportimi maskilist i seksit në media”, në të cilin kritikon median se pati qasje masikiliste. Në vazhdim po e ripublikojmë në tërësi qëndrimin e profesorit Fuga:

    Në çaste krizash të vogla ose të mëdha dalin në pah mendësitë e një shoqërie.  Çfarë maskilizmi që sundon, çfarë shoqërie patriarkale jemi, çfarë dominimi kanë meshkujt!!! Thuhet se S.GJ. po bënte seks me një femër, etj. etj. Nëpër portale a gjetiu thuhet se po abuzonte me të, etj. Por, të gjithë veprimin ja japin mashkullit. Si nuk gjeta një media të thoshte se zotërinë po e përdorte për seks një femër, ose ajo femra po bënte seks me personin në fjalë, po e konsumonte seksualisht m’u në zyrën e tij, po të donte le të thoshte se edhe po e përdhunonte atë të shkretin, po e përdorte.

    Madje edhe personi në fjalë në autokritikën e vet publike e paraqet sikur ai ishte forca aktive seksuale, sepse burrat ashtu kujtojnë kur janë nën trusnitë e mendësisë maskiliste! Me atë po kënaqeshin m’u në zyrën e tij. Po e përdhunonin edhe zyrën!

    Vazhdon mentaliteti i maçove të lagjes që është mashkulli që bën seks me femrën, dhe jo edhe femra me mashkullin!

    Çfarë studimi mund të bëhet në këtë rast!!! Mrekulli!

    Si nuk doli një gazetare grua të thoshte ore ai po bënte seks me atë po aq sa edhe ajo me atë! Ta korrigjojë pak, ta redaktojë pak lajmin a kronikën! Jemi bërë të botohet përsëri Shqiptarja e Re! Ndofta e trajton çështjen në mënyrë bashkëkohore si erotizëm i përbashkët!

    Përfundime

    Mediat, jo vetëm që nuk duhet të transmetojnë përkatësisht promovojnë diskurs që përmban stereotipe gjinore që shpien drejt diskriminimit, por edhe duhet të luftojnë të njëjtin, duke e identifikuar në përmbajtjet gazetareske, por edhe duke u distancuar dhe duke e kritikuar të njëjtin.

    Pavarësisht se kush janë autorët e deklarimeve stereotipizuese, qofshin autoritete politike ose fetare, mediat duhet të tregohen të vëmendshme që të mos i shpërndajnë ato. Sidomos kjo duhet të vlejë për deklarimet e qytetarëve, qofshin në anketa apo në komente në rrjetet sociale! Ndërsa kur janë të domosdoshme, duhet të bëjnë me dije pasojat nga deklarimet e tilla.

    Mediat kanë detyrim që të ndërgjegjësojnë komunitetin mediatik, por edhe publikun mbi efektet negative që sjell gjuha stereotipizuese dhe diskriminuese mbi baza gjinore. Është përgjegjësi e mediave që të prodhojnë përmbajtje, në të cilat bëhet dekonstruktimi i stereotipave gjinore. /IMA/

    (Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)

    —-

    Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut

    Lajmi Paraprak

    Dhimbja e fjalës është më e rëndë se dhimbja e humbjes

    Lajmi i rradhës

    Mbappe do t’i bashkohet Real Madridit këtë verë në një transferim rekord botëror

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë