Ali Ashani
Studiues i Islamit
Pritëm që afrimi i Ramazanit të sillte qetësi dhe reflektim, të zbusnin zemrat e atyre që ndjellin përçarje mes besimtarëve. Por, për fat të keq, çdo ditë na sjell një lajm të ri, që vetëm sa thellon zhgënjimin dhe shqetësimin tonë.
Para disa ditësh, u tronditëm nga një skandal: ish-myftiu u akuzua për keqpërdorime të sigurimeve të nëpunësve të Myftinisë, gjegjësisht hoxhallarëve. U akuzua se për muaj dhe vite të tëra, kontributet për sigurimet e tyre nuk ishin paguar!
Pas këtyre akuzave të rënda, prisnim të dëgjonim një reagim nga pala e akuzuar – një sqarim, një mbrojtje, një mohim. Por çfarë ndodhi? Heshtje totale! Asnjë fjalë për t’u mbrojtur, asnjë sqarim për të hedhur poshtë akuzat. A nuk kemi të drejtë të pyesim: Pse? Çfarë po ndodh? Së fundmja institucioni më transparent duhet të jetë një institucion që organizon jetën fetare të njerëzve.
Lajmi i fundit nga Myftinia e Tetovës është një skandal i radhës. Gjatë natës, disa persona hynë në objektin e Myftinisë, dhe mes tyre, fatkeqësisht, ishte edhe një hoxhë. Ata mund të pretendojnë se kanë të drejtë, duke thënë se ata që e drejtojnë sot këtë institucion janë uzurpatorë dhe nuk kanë të drejtë të qëndrojnë aty. Por çështja nuk është thjesht mes dy palëve – problemi është më i thellë dhe më i dhimbshëm.
Ajo që kemi parë vitet e fundit është një degradim i rëndë i institucioneve tona fetare. Titujt më të shenjtë, si hoxhë, hafiz, dijetar, myfti, janë bërë pjesë e një diskursi përçarës, duke iu bashkangjitur terme fyese dhe poshtëruese: tradhtarë, të paligjshëm, mashtrues, uzurpatorë. Lufta mes grupeve është kthyer në një arenë ku nuk ka më asnjë kufi, asnjë normë, asnjë respekt për vlerat që duhet të mishërojnë këto institucione.
Deri kur do të vazhdojë kjo? Deri kur ne si xhemat do të qëndrojmë si spektatorë, duke parë degradimin e një prej institucioneve më të rëndësishme që kemi, të ngritur mbi themelet e devotshmërisë dhe të vakefit?
Sot, ne kemi humbur autoritetin moral. Kemi lejuar që përçarjet të bëhen kaq të thella, sa që janë kthyer në një tallje për dynjanë. Po kthehemi në temë diskutimi për ata që nuk kanë çfarë të diskutojnë. Dhe e gjithë kjo ndodh sepse jemi dorëzuar përpara kësaj situate.
A është xhemati syçel? A nuk e ka vërejtur se situata ka dalë jashtë kontrollit? Nëse po, atëherë duhet të marrë një vendim:
– Ose të mbështesë hapur njërën palë, duke i dhënë fund kësaj lufte.
– Ose të largojë të dy palët, bashkë me ata që i mbështesin verbërisht.
A nuk ka ky popull njerëz të urtë, të ditur dhe të ndershëm, që të ndalojnë këtë shkatërrim të vlerave tona?
Të gjithë jemi në një situatë ku duhet t’i parashtrojmë vetes pyetjen më të rëndësishme: Pse na ndodh kjo që po na ndodh? Dhe mbi të gjitha, si do ta ndalojmë këtë degradim?
*Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.