29 Nëntori 1944, “çlirim” nga të huajt, “pushtim” nga tuajt…

    XHEVAT MUSTAFA

    Historikisht dhe zyrtarisht 29 Nëntori 1944 ka mbetur, përkujtohet, festohet si dita e çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit italianë dhe gjermanë. Nuk mund të çohet as ndërmend të mohohet lufta që bënë bijtë dhe bijat e popullit. As të nënçmohen sakrificat e tyre, sidomos ata që dhanë edhe jetët. As të vihet në diskutim se luftuan dhe sakrifikuan edhe jetët për liri, jetesë shumë më të mirë për popullin, për një Shqipëri me demokraci të vërtetë e jo nën diktaturë. Ata nuk luftuan dhe sakrifikuan as për partinë komuniste dhe Enver Hoxhën me shoqe e shokë shqiptarë dhe me “vëllezër” serbë si dhe për përrallat e tyre, si të 1001 netëve!

    Prandaj meritojnë respekt dhe mirënjohje nga të gjithë, sidomos nga politikanë dhe pushtetarë të lartë, deputetë, kryebashkiakë, bosë në biznese, që kanë përfituar mijëra herë më tepër se shumica e popullit të thjeshtë… Por, nuk mund të pranohen shifrat 4-5 fish të rritura arbitrarisht nga Enver Hoxha dhe ca historianorucë të tij të pjesëmarrësve në radhët e formacioneve të UNÇL e të rënëve në luftime me ushtritë pushtuese italiane dhe gjermane, ose thjesht si viktima lufte… Siç dihet Ushtria Nacionalçlirimtare u njoh dhe u mbështet nga koalicioni antifashist i fuqive të mëdha: SHBA, BS, Angli, Francë, por me kapitullimin e koalicionit fashist italogjermano-japonez, qeveria komuniste shqiptare, e kryesuar nga Enver Hoxha nuk u ftua si pjesë apo palë e koalicionit antifashist në Konferencën e Paqes në Paris.

    Arsyet ishin disa. Dy ishin më kryesoret. E para, këmbëngulja prej Greqisë dhe “engjëjve” të saj mbrojtës, sidomos Anglisë dhe Francës, se forca shqiptare kishin qenë në përbërje të ushtrisë italiane, kur sulmuan dhe pushtuan Greqinë, pra në luftën italo-greke. E dyta, edhe nga Bashkimi Sovjetik dhe Stalini, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në vitet e para pas saj, Shqipëria shikohej dhe trajtohej jo si shtet i pavarur, por si krahinë, protektorat të pashpallur akoma, “bisht” i Jugosllavisë… Merret me mend se kjo ishte një dackë e fortë apo dush me ujë të ftohtë për regjimin e Enver Hoxhës! Ky pati pafytyrësinë dhe amoralitetin ta mbulonte diellin me shoshë apo të vërtetën lakuriqe me eufori fjalimesh, me demagogji dhe manipulime, sidomos duke i përmbytur Titon dhe Stalinin me himnizime dhe mirënjohje.

    Gjithsesi, parë dhe analizuar nga shumë drejtime e shkrime gazetash dhe librash, mund të thuhet se më 29 nëntor 1944 Shqipëria u çlirua zyrtarisht apo historikisht nga fashistët italianë dhe nazistët gjermanë, me ikjen e gjermanit të fundit nga Shkodra para sekondës apo para minutës së parë të 30 nëntorit. Duke iu referuar një fakti historik, kryeqyteti i vendit, Tirana ishte çliruar më 17 nëntor 1944. Sipas një tradite ndërkombëtare masivisht të zbatuar, dita e çlirimit të kryeqytetit, mbetet dhe vendoset si dita e çlirimit të të gjithë vendit. Por, Enver Hoxha, për servilizëm ndaj Josif Broz Titos dhe Jugosllavisë së tij vendosi si për shumëçka arbitrarisht apo enverisht, datën 29 Nëntor si ditë të çlirimit të Shqipërisë, meqenëse kjo ishte edhe dita e çlirimit të “Jugosllavisë motër” apo “majko”?!

    Por, në të vërtetë apo de facto, Shqipëria është pushtuar po atë ditë dhe për 79 vjet nga enveristët, edramistët, inceneratoristët, oligarkët, “investitorët strategjikë”, kanabizistët, kullaistët, patronazhistët “socialistë”! Në këto kushte, shumëkush mund të mendojë e thotë me vete apo me zë të lartë, edhe publikisht: “Ah, sikur ta kishin marrë me mend qysh më 1942- 1944 partizanët, sidomos të rënët, se përse po luftonin dhe po vriteshin! Se kujt po ia linin në dorë Shqipërinë dhe jetët, të ardhmen, shtëpitë, pronat, pasuritë e familjeve të tyre! Se Shqipëria, edhe më 29 Nëntor 2023 do të ishte si më 29 Nëntor 1944, ndër të fundit fare në Europë për nivelet e zhvillimit, pagave, pensioneve, mirëqenies, demokratizimit, shtetit ligjor dhe ndër “të parat” për shumë të këqija, si korrupsion, emigracion, kanabizim, trafiqe të jashtëligjshme, pastrim parash të pista, kriminalitet, informalitet”! Për këto fakte apo të këqija shkaku dhe përgjegjësia duhen kërkuar vetëm lart, te qeverisja “e majtë”, e cila duke i llogaritur 47 vitet nën Enverin dhe Ramizin dhe 19 vitet nën Fatosin, Pandeliun, Ilirin, Edin ka 66 vjet që “mbretëron” në Shqipëri, duke iu nxirë jetën dhe atdheun shumicës së shqiptarëve dhe jo të gjitha ose 50% me 50% tek PD, opozita, Saliu!

    Për më tepër, kur dihet se PD me partitë aleate të saj kanë pasur vetëm 13 vjet qeverisje e vetëm pushtetin politik dhe administrativ (popullorçe “çelësat e kashtës”), sepse pushtetin ekonomik e kishte përlarë qysh nga fillimi i vitit 1991 deri më 22 mars 1992, PPSH-PSSH-ja, sipas direktivës së Leninit dhe skenarit të Ramiz Alisë “Të gjitha pushtetet në duart e sovjetëve” (aparatçikëve në KQ të PPSH e në komitetet e partisë në rrethe, në Kryeministri, ministri; komunistëve më besnikë e fanatikë, socialistëve, sigurimsave, ish-ushtarakëve…

    Në këto kushte, nuk është as e drejtë dhe e logjikshme që për çka përjetojnë jo pak shqiptarë të përmbytur nga varfëria dhe hallet e saj, t’ua zbrazin rrebeshet e zhgënjimeve, pakënaqësive, ankesave, kritikave, mallkimeve… flamurit dhe Shqipërisë, siç bënë edhe dje, më 28 Nëntor 2023, disa qytetarë që folën në emisionin e mëngjesit të TV KLAN “Aldomorningshow”! “Rrufetë” e tyre i meritojnë gjatë mbi 10 viteve dhe deri sa të jenë në pushtet Edi Rama me shokë e shoqe në qeverisjen qendrore dhe nëpër bashki me diplomablerës, trafikantë dhe burgaxhinj në burgje të botës; me sajmirtahira, arbenahmetaj, vangjush dako, safetgjicë… si dhe me oligarkë, inceneratoristë, PPP-istë, koncensionistë, “investitorë strategjikë”; me sigurimsa të thinjur dhe me patronazhistë “modernë” si shefat…!

    Pra, është e logjikshme që nga shumëkush prej shqiptarëve (jo enveristo-edramistë) të mendojnë dhe shprehen me vete apo me zë, në shtëpi, kafene, kudo ku të jetë e me cilindo të jetë: më 29 Nëntor 1944 përjetuam njëherazi çlirim dhe ripushtim! Popullorçe “ramë nga shiu në breshër!” Po në mënyrë figurative: mund të mendohet dhe thuhet me plot bindje e zë se 79 vjet janë një jetë njeriu, e shtyrë apo zvarritur me sfilitje shpirti e trupi, me vuajtje dhe vështirësi të përhershme ekzistence apo mbijetese allashqiptare! Paradoksi është përjetuar për 79 vjet e nuk mund të mbulohet me gjethet e të gjithë fiqve të Shqipërisë! Krerët kryesorë të “çlirimtarëve”, me bij e bija, nipër e mbesa, vëllezër e motra, me dhëndurë e nuse, me shoferë, bodigardë, vartës… na u bënë padronë, eprorë, shefa, pushtues, duke qenë shqiptarë për nga gjaku dhe dokumentet e identifikimit dhe pa ardhur nga qielli dhe toka me avionë, tanke, autoblinda, me ushtri klasike pushtuese!

    Duke i duruar për 79 vjet e kushedi se sa vjet të tjerë çudisim botën e Perëndimit kapitalist e jo vendet e Lindjes komunisto-socialiste si popull, që nuk di të ndjejë e shprehë keqardhje për veten, familjen, atdheun, që i duron dhe i voton edhe kur e mashtrojnë, e persekutojnë, varfërojnë, vjedhin pashpirtësisht dhe paskrupullsisht nën hundë apo sy më sy, edhe pse përditë i nxijnë jetën dhe Shqipërinë! /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Ushqimi që nuk duhet të konsumoni për sëmundjet e zemrës

    Lajmi i rradhës

    Ende asnjë gjurmë nga Vanja Gjorçevska!

    Lajme tjera

    Evolucioni i nji enigme

    SAMI REPISHTI Anëtarët e Parlamentit (Bundestag) u ngriten në kambë dhe duertrokiten, të prekun nga fryma e ripajtimit…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë