Detektivi privat heton, por pa ligj

    PËLLUMB NAKO

    Duket se në vendin tonë ka shumë rëndësi kapitale siguria e pasurisë, e biznesit, e parave dhe aspak garantimi i privatësisë individuale. Ndërkohë, çdo person i pasur, i varfër apo i mesëm dallohet që jeton në gjirin e shoqërisë njerëzore pikërisht për shkak të ‘kontratës’ që secili ka bërë më komunitetin për të jetuar së bashku, por duke ruajtur privatësinë. Një individ pa privatësi do të dukej si një lëvozhgë bosh, pa brendësi. Por se sa i ndjeshëm është individi dhe vetë shoqëria për këto ndjesi delikate e për rrjedhim edhe institucionet, varet shumë nga niveli dhe cilësia e civilizimit të shoqërisë ku personi bën pjesë.

    Sigurisht, vendi ynë nuk shquhet për ndonjë traditë të dukshme në raport me ruajtjen e privatësisë së një individi, edhe nga fakti se në tërësinë e saj shoqëria shqiptare ka qenë thuajse rregullisht nën presionin e varfërisë dhe të izolimit. Pikërisht, këto faktorë kanë qenë shkak që çështje të lidhura me lirinë individuale, me privatësinë, dashur pa dashur, kanë kaluar në plan të dytë. Këtë handikap e paraqet edhe klasa politike drejtuese, e cila ende nuk ka ndërtuar të plotë ligjërisht dhe akoma më keq institucionalisht institucionin e privatësisë së personit. Madje, bëhet e kundërta hipokrite, që në kuadrin e lirisë së shtypit, lëshohen nën dorë e bëhen publike mori të dhënash që shkelin rëndë privatësinë e qytetarit.

    Aktualisht, në Shqipëri ligji “Për shërbimin privat të sigurisë fizike” është hartuar dhe ndërruar disa herë duke normuar dhe rinormuar funksionin dhe licencimin e shoqërive private të sigurisë, të cilat në total garantojnë sigurinë e bizneseve. Ligji i fundit është kaq i rreptë saqë praktikisht e vendos gjithë sigurinë private nën një kontroll policor të fortë dhe të shoqëruar me gjoba e ndjekje penale. Thelbi i forcës private të sigurisë mbetet parandalimi. Ushtrimin e forcës ajo e ka për kompetencë njëlloj si qytetari i thjeshtë kur konstaton shkelje të rendit publik.

    Kurse, nga ana tjetër, në Shqipëri si kudo, ushtrohet edhe një funksion tjetër privat, që ka marrë shtrirje të gjerë e mjaft i afërt me sigurinë, siç është ai “i detektivit privat”. Por krejtësisht ndryshe nga rojat e sigurisë fizike, detektivi privat e ushtron aktivitetin e tij në mungesë të një ligji specifik, por sipas vendimit të një gjykate. Ky paradoks i gjen rrënjët e tij pikërisht në konsideratat e shprehura pak më sipër. Nëse shkeljet e ligjit nga agjentët e sigurisë fizike mund të shkaktojnë dëme financiare, shkeljet e detektivit janë më të rënda sepse kanë të bëjnë me privatësinë e individit. E megjithatë, pra, për të nuk ka ligj specifik, pavarësisht se profesioni i detektivit privat mbetet mjaft i vlefshëm, por delikat.

    Në vende të tjera, ligjet që normojnë aktivitetin e detektivit privat janë shumë të rreptë, të qartë dhe pa keqkuptime. Shkelja e tyre ndëshkohet mjaft rëndë, duke nisur me gjoba disa mijëra euro në qindra mijë, deri me burgim. Në disa vende, detektivi privat lejohet të marrë indicie për çështje penale, në disa të tjera, aktiviteti i tij kufizohet vetëm në çështje administrative apo civile. Mungesa e një ligji specifik bën që detektivi në vendin tonë të mos ketë përballë asnjë institucion shtetëror që të kontrollojë mënyrën sesi funksionon, të parandalojë shkeljet e mundshme të ligjit penal, duke pasur në qendër të vëmendjes pikërisht kufirin ndarës me privatësinë. Kufi ky mjaft delikat në kushtet e mungesës së një jurisprudence kombëtare.

    Pikërisht mungesa e ligjit sjell për pasojë për të parë edhe mungesën e jurisprudencës për këtë fushë kaq të ndjeshme. Ndërkohë, jurisprudenca e Këshillit të Europës për privatësinë është mjaft e pasur. Por kur lexon dhe dëgjon konceptet e detektivëve në vendin tonë për mënyrën se si vendosin videokamerat apo përgjuesit, duket qartë që jurisprudenca europiane nuk njihet.

    Gati në të gjitha publicitetet e shoqërive të ndryshme private të detektivit dominojnë fjalët “hetim”, “investigim”, por asgjëkund nuk saktësohet se gjithçka që bëhet ka një kufi të shënuar me vijë të kuqe dhe kjo vijë e kuqe është privatësia e personit ndaj të cilit po kryhet investigim. Njihet kjo vijë e kuqe? Pjesa themelore e ligjit do të ishte deontologjia, ndershmëria e detektivit për të respektuar privatësinë. Ka ndonjë kod deontologjie të miratuar në parlament për detektivin? Kush garanton se në një raport të hartuar prej tij thuhet e vërteta? Profesionalizmi i detektivit nuk është dhe nuk mund të jetë garanci. Garanci është vetëm ligji që normon profesionin e tyre dhe deontologjia e miratuar po me ligj.

    Në media e në publicitetin që bëjnë agjencitë e ndryshme detektivësh flitet hapur fare për “truke” të përdorura gjatë veprimeve të ndryshme të tyre dhe sidomos në atë të vendosjes e mikrokamerave survejuese në banesa e makina private. Parimi bazë i sanksionuar nga jurisprudenca e Këshillit të Europës është i qartë: “Askush nuk mund të survejohet pa dijeninë e tij”. Pra, as në hapësirat publike e as në ato private. Makina në pronësi të një individi, gjithmonë sipas jurisprudencës së Këshillit të Europës, është zgjatim i banesës dhe individi brenda saj ka të drejtën e privatësisë. Parodia arrin kulmin kur sheh se vendosja e kamerave në ambiente publike është normuar me ligj dhe enti që i vendos ka detyrimin të të njoftojë se “ambienti apo zona ruhet me kamera”, pra, sipas parimit të mësipërm të Këshillit të Europës, kurse në anën tjetër të vjen detektivi dhe të vendos kamerën në shtëpi me dëshirë të gruas apo burrit sipas rastit. Privatësia është individuale. As bashkëshortja e as bashkëshorti nuk kanë të drejtë të survejojnë privatësinë njëri-tjetrit dhe të fëmijëve minorenë pa vullnetin e të dyve.

    Po kështu, diku tjetër, në një njoftim thuhet: “… Me ndihmën e teknologjisë moderne dhe aftësive detektive të modës së vjetër…”. Kjo do të thotë se personi gjurmohet edhe fizikisht nga një person, dhe me mjete të teknologjisë moderne. Cila është kjo teknologji? Përdorimi i teknologjisë së vëzhgimit edhe nga ana e Policisë në kushtet e mungesës së flagrancës ka një mal me jurisprudencë të Këshillit të Europës dhe ka kufizime të panumërta të përdorimit duke nisur nga hapësira private apo publike ku qëndron personi i ndjekur në momentin e vëzhgimit. Ligjshmëria e veprimit me këtë rast varet nëse vëzhgimi do të kryhet me sy të lirë nga detektivi apo me mjete teknologjike që i ndihmojnë syrin. Si e bëjnë deduktivët këtë? Në kushtet e mungesës së ligjit, nga do të dallohet gjurmimi i detektivit nga përndjekja e një të panjohuri? Duke qenë se në fillim të këtij viti, Komisioni i Sigurisë nuk kaloi një projektligj lidhur me detektivin privat, një ligj i qartë dhe i rreptë duhet hartuar dhe miratuar urgjentisht./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    GAZETARËVE S’KA KUSH T’U PËRGJIGJET

    Lajmi i rradhës

    Mbi “rrezikun” amerikan në Shqipëri

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë