Dialogu i Albin Kurtit

    Foto: Emir H

    Avni Bytyçi

    Vetëm pas tri ditësh, pasi e kishte festuar përvjetorin e 16-të të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ishte nisur për të negociuar me Serbinë. Gjithçka normale në dukje të parë për një politikan jo të zakonshëm si Albin Kurti. Ai e kishte themeluar një lëvizje politike e më vonë një parti që në thelb të saj kishte parimin e mos negocimit me Serbinë dhe vlerën themelore e kishte: Jo negociata – Vetëvendosje!

    Kjo ka qenë më shumë se një parullë politike. Ajo në thelb përfaqësonte qëllimin se pse Albin Kurti dhe shumë të rinj e refuzuan pavarësinë e Kosovës në bazë të Pakos së Ahtisarit dhe çdo gjë që buronte nga ajo. Pas 16 vjetësh me protesta, aksione e dhunë politike, fatkeqsisht edhe me viktima, Albin Kurti u gjet aty ku thoshte se kurrë nuk do të ishte e duke vepruar ashtu siç kishte premtuar se kurrë nuk do të vepronte: të negocionte pa kushte e pa parime.

    Megjithatë, ky shkrim nuk ka për qëllim të trajtojë ndryshimin drastik të Albinit dhe të Lëvizjes së tij. Në fund të fundit, në politikë të gjithë ndryshojnë, edhe pse në rastin e Albinit fjala ndryshim do të ishte e varfër për të trajtuar metamorfozën e tij të thellë politike. Kështu pra, le ti kthehemi negociatave të Albinit me Serbinë e Aleksandër Vuçiqit e le të flasim për përmbajtjen, e jo për politikën e tij.

    Albin Kurti si kryeministër i Kosovës shkoi të negociojë me Serbinë pa tri gjëra elementare:

    1. Pa një mandat nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Këtë e kishte kërkuar Albin Kurti me bashkëpartiakët e tij, me ngulm kur ishin në opozitë dhe, nuk shkonte muaj pa tentuar që të propozojnë një rezolutë që kërkonte nga qeveria ekzistuese një mandat nga organi më i lartë i sistemit demokratik të Kosovës.

    2. Pa plan konkret. Deri tash, Qeveria e Kosovës nuk ka prodhuar as edhe një dokument si referencë për qasjen e tyre në dialog me Serbinë. Të vetmen gjë që ka bërë Kurti janë deklaratat e tij për një dialog të ri që është përgënjeshtruar në të njëjtën ditë nga vetë Josep Borrell dhe nga çdo zyrtarë tjetër i BE-së.

    3. Pa një konsensus të brendshëm politik me një opozitë skajshmërisht të pozicionuar kundër vet Kurtit

    Në takimin e parë trilateral Borell-Kurt-Vuçiq, kryeministri i Kosovës kishte propozuar katër pika për të dialoguar me Serbinë dhe ato nuk ishin as parime e as kushte të cilat Albin Kurti i kishte projektuar e propaganduar në këto 16 vjet të aktivizmit të tij politik. Në fakt, as njohja e reciprociteti nuk u përmenden fare si kërkesë, por në vend të tyre ishin katër pika që në esencë nuk kanë kuptim se pse pikërisht këto do të duhej të negocioheshin me Vuçiqin. Prioriteti i tyre është i paqartë: pse pika e parë është bashkimi i Kosovës me Serbinë dhe vendet e rajonit me një treg të përbashkët e pse pika e fundit ishin të zhdukurit? Në fakt ka aq shumë pse sa që është mëse evidente se këto katër pika të prezantuara janë vetëm një improvizim i mbuluar mirë nga shkathtësia e Kurtit në artin e tij të komunikimit.

    Albin Kurti shkoi në dialog më Serbinë pa kushte e pa parime dhe këto u mundua t’i mbulojë përmes katër pikave. Ai nuk foli për reciprocitet me Serbinë, por për një marrëveshje që bashkon tregun e Kosovës me atë të Serbisë dhe të vendeve të rajonit. Ai nuk e priti kërkimfaljen për krimet e bëra nga Serbia e as kthimin e personave të pagjetur, por kërkoi largimin e Velko Odalloviqit nga pozita që mban në Serbi. Siç duket, kryeministri i Kosovës, në mungesë të një plani konkret, parimor e të përgatitur mirë, e kishte gjetur formulën e tij e cila vazhdon të bazohet në imazhin e tij personal. Por, për shoqërinë e Kosovës nuk mjaftojnë vetëm fjalët e artikuluara të tij. Shoqërisë tonë i duhet letra, e përderisa nuk ka një të tillë, kritikën tonë do ta reduktojmë vetëm në fjalët e Kurtit e ndoshta ky është edhe në fund të fundit qëllimi i tij.

    Le t’i kthemi katër kërkesave të z. Kurti ndaj Serbisë:

    1. Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në. Kushdo që e ka vendosur këtë pikë të parën, BE-së dhe Serbisë i ka treguar që pala kosovare nuk synon njohjen e as reciprocitet si shtet sovran, por vetëm si bashkësi tregtare ballkanike. Është e vështirë të konstatohen arsyet se pse është qasje ose pse me një takim trilateral është propozuar një gjë e tillë, kur vet procesi i Berlinit e ka të paraparë këtë, por vetëm si pjesë e integrimit të Ballkanit në BE. Pyetja që vështirë gjen përgjigje është se pse Albin Kurti po e diskuton një çështje që do të duhej të diskutohej me nikoqirët e procesit të Berlinit, siç janë Franca dhe Gjermania. Ky paragraf pa ndonjë informate shtesë mund të lexohet si vijon:
    a) Kosova pranon që, pa e njohur Serbia, të bashkohet me një union të përbashkët tregtar me vendet e rajonit;

    b) Kosova pranon të trajtohet si palë e veçantë në raport me vendet e rajonit sipas modelit EFTA-EEA.

    c) Kosova pranon që ta dorëzojë një pjesë të sovranitetit të saj, atë ekonomik, te vendet e rajonit, duke përfshirë Serbinë – edhe pse kjo e fundit ia konteston Kosovës sovranitetin dhe pavarësinë.

    d) Kosova distancohet ose devijon nga procesi i Berlinit që e ka të paraparë krijimin e një unioni të tillë tregtar, gjatë procesit të integrimit. Si e tillë, Kosova distancohet ose e zbutë aspiratën e saj për integrim në BE.

    2. Kosova dhe Serbia, menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty!

    a) Marrëveshja përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë konsiderohet si marrëveshje e paqes. Propozimi i kësaj pike tregon se kryeministri i Kosovës me gjasë nuk e ka lexuar asnjëherë në thelb Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Për këtë çështje është edhe Marrëveshja e Kumanovës, Rezoluta 1244 dhe KFOR-i. Po ashtu, Kurti kur thotë marrëveshje përfundimtare; ai në realitet flet për një marrëveshje armëpushimi apo, siç njihet ndryshe, si “non-aggression pact”. E që, de jure, një marrëveshje “e paqes” ekziston në mes të dyja vendeve, edhe pse Kosova nuk është pala nënshkruese si subjekt, por është përfituese e saj. Atë që e ka kërkuar Kurti tani më ekziston dhe si e tillë nuk ka nevoje të negociohet me Serbinë.

    b) Është interesante mospërputhja e deklaratës së Kurtit në gjuhën shqipe dhe cicërimin e tij në “Twitter”. Për mediat e Kosovës ai deklaronte për një marrëveshje të paqes (non-agression pact), ndërsa në “cicërimin” e tij ai flet për nënshkrimin e një deklaratë të paqes “peace declaration” ej o “peace agreement”.

    3. Pas njohjes së ndërsjellë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional, siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.

    a) Përgjigjën për këtë çështje Kurti e ka në pakon e Ahtisarit, që në thelb ka qenë kontrata jonë me bashkësinë ndërkombëtare për shpalljen e pavarësisë. Ne e kemi pranuar për të qenë shtet i pavarur dhe sovran; që komunitetet që jetojnë në Kosovës të kenë drejta të veçanta, duke tejkaluar edhe numrin e tyre në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë. Kosova ligjërisht nuk ka pakica ndaj nuk mund të formohet një këshillë i tillë. Çdo tentim të tillë Gjykata Kushtetuese e Kosovës do ta rrëzonte, siç e kishte bërë njëjtë me Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe.

    4. Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, Velko Odalloviq, i cili në vitet 1997-1999 ishte “naçelnik i Qarkut të Kosovës” dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me Zoran Angjellkoviin.

    a) Kosova zyrtarisht ka kërkuar largimin e Odalloviqit nga pozita të cilën e mban. Edhe pse është vështirë për ta kuptuar motivin se pse duhet larguar nga pozita personi që besohet se e di se ku janë të pagjeturit e Kosovës. Nëse argumenti i Kurtit është se Odalloviqi është kriminel lufte, pse atëherë nuk e kërkoi edhe dorëheqjen e Aleksandër Vuçiqit i cili ka qene ministër i kriminelit të luftës, Sllobodan Millosheviq.

    b) Kërkesa për marrje në pyetje është tallje në vete, Vuçiqi është mbështetës publik i Mlladiqit e shumë kriminelëve të luftës që janë përgjegjës për krime e gjenocid.

    c) Kërkesa e Albinit Kurtit karshi Aleksandër Vuçiqit është favor i panevojshëm para botës. Me largimin e Odalloviqit, Vuçiqi do të tregonte kinse vullnet për të adresuar këtë çështje, edhe pse të gjithë ne e dimë se ai vet e di shumë mirë se ku janë varrezat masive dhe trupat e të pagjeturve tanë.

    Në përgjithësi, është vështirë të vlerësohet një proces me vetëm një takim, mirëpo qasja e Albin Kurtit në fillim të tij është treguesi më i mirë së ndoshta njohja reciproke mund të mos jetë më objektiva e vërtetë e Qeverisë së Kosovës.

    Lajmi Paraprak

    Zbulohen 100 rrënjë kanabisi në afërsi të Tetovës, arrestohen tre persona (Video)

    Lajmi i rradhës

    Ti

    Lajme tjera

    Zgjim dhe shpresë

    LEONIDHA MËRTIRI Gjermania, ky shtet i fuqishëm i Bashkimit Europian, sikurse vërehet edhe gjatë kësaj periudhe, kërkon të…
    Më tepër

    FJALA SHQIPE

    Eroll Sejdiu | Gjuhëtar Gjuha standarde shqipe është bërë një gjuhë “artificiale” jo aq nga përdorimi i fjalëve…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë