ARBEN MALAJ
Demokratizimi i komuni kimit publik është një e mirë publike që duhet të përdoret pozitivisht nga rritja e pjesëmarrjes aktive të qytetarëve, grupeve të interesit dhe OJQ-ve.
Por, demokracia sot po kërcënohet nga keqpërdorimi i lehtësimit të komunikimit publik nga politikanë dhe keqqeverisës. Instituti për Politika Publike dhe Mirëqeverisje (www.ippm.al) iu përgjigj pozitivisht ftesës së Ministrisë së Financës për të marrë pjesë në takimin konsultativ me shoqërinë civile për fazën e parë të buxhetit afatmesëm 2022-2024.
Disa nga pyetjet publike të eksperteve të IPPM-së, por edhe nga shumë tatimpagues shqiptarë që kontaktojnë edhe IPPM-në, përgjigjja e të cilave është detyrim thellësisht ligjor i ministres Denaj, janë:
1. Gjobat e gjykatave ndërkombëtare. A i parashikon MF-në në buxhetin afatmesëm 2022-2024 gjobat e rënda të gjykatave ndërkombëtare të arbitrazhit? A ndien ministria Denaj përgjegjësi ligjore në përmbushje të detyrimit ndaj tatimpaguesve dhe stabilitetit të financave publike për të denoncuar në SPAK personat individualë, përgjegjës për dhjetëra miliarda lekë, qindra miliona dollarë ose euro – taksa të shtuara pa drejtësisht mbi taksapaguesit e varfër shqiptarë?
2. Fiskalizimi – pse qeveria shqiptare nuk llogarit dhe publikon të ardhurat shtesë në buxhet nga fiskalizimi si dhe kostot shtesë për buxhetin dhe për taksapaguesit shqiptarë? Sipas direktivave dhe praktikave më të mira të qeverisjes, paraqitja e përllogaritjeve të efekteve pozitive apo negative të çdo ligji është detyrim ligjor. A është ministrja Denaj e vetëdijshme për studimet e mirëfillta, jo vetëm të FMN-së, që arrijnë në përfundimin se imponimi i pajisjeve elektronike me forcën e gjobave dhe kalimi i kostove vetëm në kurriz të taksapaguesve nuk garanton sukses. Arsyeja kryesore – morali i pagimit t taksave është i ulët për shkak të keq-, arrogancës, babëzisë, korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga oligarkët. Imponimi me gjoba dhe burgosje është një dështim i përsëritur disa herë i qeverisë Rama në aksionet represive të paraqitura si “reforma”. Të dobëtit penalizohen dhe futen deri në burg, oligarkëve iu ul 50 % dhe me fuqi prapavepruese dividendi. Mungesa e kornizës funksionale duke filluar nga:
(1) mungesa e kulturës së vullnetshmërisë për respektimin e ligjeve dhe pagimin e detyrimeve; (2) kostot abuzive të pajisjeve për shërbime online në kohë reale. Me këtë imponim për pajisjet më moderne, qeveria i ngjan një Mimoze llastice që kërkon të blejë menjëherë smartfonin e fundit; (3) kostot mujore të shërbimit dhe mirëmbajtjes, të cilat, sipas taksapaguesve dhe shoqatave të kontabilistëve, janë shumë më të larta sesa i pasqyron qeveria; (4) ndërprerja e dritave e internetit dhe cilësia e dobët e tyre, të cilat jo vetëm dëmtojnë rëndë projektin, por edhe ia kalojnë koston e fokusit dhe kohës së humbur që duhen për menaxhimin e suksesshëm të biznesit vetëm taksapaguesve; (5) kostot e mirëmbajtjes dhe gjobave – që do t’u rëndojnë vetëm taksapaguesve. Fatkeqësisht, për taksapaguesit shqiptarë i vetmi që merr fitime të larta, abuzive, të garantuara dhe të pakushtëzuara me tregues të monitorueshëm suksesi janë koncesionari i huaj dhe nënkontraktorët e përzgjedhur me preferenca personale dhe me risqe të qarta dhe të larta korruptive.
3. Partneritetet publike private preferenciale (4P). Pyetje për ministren Denaj – pse Shqipëria ka zgjedhur për investimet publike modelet e 4P?? Sipas FMN-së, BB dhe BE, por edhe sipas kërkesës të misionit të fundit të FMN-së, qeveria duhet të fokusohet te rindërtimi dhe pandemia. Qeveria duhet të reduktojë 4P, të cilat po dëmtojnë stabilitetin e financave publike. Në vendet me institucione të dobëta dhe shkallë të lartë të korrupsionit e kapjes së shtetit, 4P-të deformojnë dhe dëmtojnë konkurrencën dhe prodhojnë kosto afatgjata ekonomike e financiare. Sipas një studimi të FMN-së në vendet ne zhvillim, rreth 34 % e investimeve publike shpërdorohen nga abuzimet, korrupsioni dhe kapja e shtetit. Në rastin e Shqipërisë, taksapaguesit shqiptarë po u varen në qafë deri tani nga guri i rëndë i korrupsionit në investimet publike edhe rreth 600 deri 900 milionë euro.
4. Konflikti i interesit në ministritë dhe institucionet shqiptare me projektet e konsulencës dhe asistencës së donatorëve. A është ministrja Denaj e ndërgjegjësuar dhe e ka përdorur auditimin e brendshëm në lidhje me cenimin të efektivitetit të projekteve të donatorëve si rezultat i korruptimit që pak kompani të BE-së në fushën e konsulencës joshin dhe korruptojnë personat përgjegjës për zbatimin e këtyre projekteve duke u ofruar vende pune apo nënkontrata familjarëve, stafeve politike apo niveleve të larta drejtuese të palës përfituese shqiptare? Ky korrupsion i “eksportuar” nga kompani konsulence europiane apo i “importuar” nga persona përgjegjës për zbatimin e këtyre projekteve, dëmton konkurrencën, dëmton rritjen e kapaciteteve kombëtare e lokale dhe pa dyshim dëmton efikasitetin e parave të taksapaguesve edhe të vendeve të BE-së.
Materiali për diskutim nuk kishte asnjë sistem treguesish/indikatorësh të matshëm dhe të krahasueshëm në raport me objektivat tona ambicioze, në raport me objektivat e zhvillimit të qëndrueshme SDG2030, në raport me nivelet optimale të mbështetjeve prioritare buxhetore. Qartësimi i objektivave dhe i mbështetjes buxhetore për një arsimim më të mirë duke filluar nga ai parashkollor, për një shërbim shëndetësor më efektiv për të gjitha grupet sociale dhe deri në zonat më të largëta, për politika efektive të kohezionit social duke filluar nga të varfëritë, të papunët, të paaftët, të braktisur – është parakusht për përmirësimin e qeverisjes me pjesëmarrje.
Në fund, por jo më pak e rëndësishme pas një eksperience të gjatë profesionale, parlamentare dhe qeverisëse, por sidomos si studiues dhe lektor i Ekonomiksit të Zhvillimit, integrimit europian dhe i politikave fiskale, kurrë nuk kam marrë për diskutim publik një material pa një shpjegim të qartë të objektivave dhe sfidave makroekonomike, sociale dhe të stabilitetit të financave publike. Një dokument pa një kalendar të fazave të diskutimeve publike dhe pa analiza konkrete krahasuese të opsioneve alternative. Buxhetimi i prioriteteve në kuadrin makroekonomik 7-vjeçar si BE, në programet buxhetore afatmesme dhe buxhetet vjetore-nuk është thjesht aritmetike, por politike e mirëfilltë ekonomike.
Prandaj, studiuesit, OJQ, grupet e interesit, nuk mund të ftohet për një plotësim formal të detyrimeve për hapjen e buxhetit, por për zbatimin rigoroz të parimeve themelore të mirëqeverisjes edhe nëpërmjet qeverisje me pjesëmarrje. Për mbylljen e këtij reagimi publik për debatet e vështira politiko-publike ndihmon Ajnshtajni kur thekson se “Shpirtrat e mëdhenj kanë hasur gjithmonë kundërshtim të dhunshëm nga mendjet mediokre. Mendja mediokre është e paaftë për të kuptuar njeriun që refuzon të përkulet verbërisht ndaj paragjykimeve konvencionale dhe zgjedh që t’i shprehë mendimet e tij me guxim dhe ndershmëri”./Panorama/