Kriza e radhës që prodhon klasa politike në Shqipëri

    ROMEO GURAKUQI

    Politikanët kryesorë në vend duken sikur janë në një rendje për pikasjen e Presidentit të ardhshëm të Republikës së shkërmoqur parlamentare. Një diskutim që përsëritet çdo 5 vite në Shqipëri.

    Dhe çdo 5 vjet, kur të ngarkuarit përplasen për profilet që ofrojnë, publiku kujtohet se këtij vendi i mungojnë mekanizmat e nevojshëm institucionalë, format e organizimit politik të modelit europian, që mundësojnë rrjedhat normale procedurale të formësimit të institucioneve themeltare të shtetit, pa krijuar tensione të skajshme politike, tensione që në një vend me akumulime të jashtëzakonshme problemesh, sociale e ekonomike, ndryshimesh të vrullshme e të përskajshme kulturore, rrezikojnë të shndërrohen në ballafaqime me përmbajtje krejt të padëshirueshme.

    Mirëpo, edhe pse krizat i kanë krijuar, çdo herë Presidenti është zgjedhur brenda rrethit të politikës, në shumicën e rasteve pa konsensus, por gjithmonë i përzgjedhuri i radhës ka qenë i kujdesshëm në plotësimin e interesave të dy krahëve politikë, për lëvizje brenda një rrethi dhe brenda të njëjtave kufiza, që shkojnë përkah ruajtja e statusquosë së kastës që drejton vendin: vendimmarrja politike dhe institucionale mbetet në dorë të të njëjtit grup politikanësh; reformat, përfshirë ajo në sistemin e drejtësisë, nuk do të duhet të kapërcejnë dhe bien ndesh Grupit të të Paprekshmëve; institucionet e pavarura nuk mund të drejtohen nga individë jashtë qarkut të vendimmarrjes së të njëjtëve; paraja publike do të endet mes atyre oligarkëve, që financojnë paralelisht, me një marzh të caktuar, pozitë dhe opozitë, baronët e politikës; Gjykata Kushtetuese, Prokuroria, institucionet e qeverisjes së tyre, duhet të jenë të përbërë nga ndërlidhje dhe emërime të Kastës; reforma e Kushtetutës, sistemit politik, ndryshimi i sistemit të qeverisjes në dobi të balancës dhe kontrollit të dyfishtë nga publiku, do të duhet edhe më tej të mbetet i bllokuar; ndërhyrja e partnerëve strategjikë do të duhet të vonohet dhe neutralizohet përmes një ping-pongu, ose përmes alibisë së kinse ruajtjes së sovranitetit etj. etj..

    Këtë vit ekzistojnë disa arsye që Publiku, i zhgënjyer tërësisht nga politika, me një besim të rënë paralelisht në nivelet më të ulëta, në të gjitha segmentet e partive politike, të qeverisë, opozitës dhe askusheve të Parlamentit, pret një President të një formati tjetër: të ndriçuar, të pavarur nga Kasta, Shekullar, të ndjeshëm ndaj interesave europianizuese dhe perëndimizuese të Shqipërisë dhe mik të publikut dhe interesave shtetërore dhe kombëtare. Gjasat janë që as këtë herë, asgjë e tillë nuk do të ndodhë. Mjafton të dëgjosh se si ka qenë ëndrra e KM për Presidentin e ardhshëm dhe do të kuptohet si orientohen vektorët e preferencave të maxhorancës; ose, në krahun tjetër: mjaftojnë deklaratat e fundme ultimative dhe bojkotuese të shefit të Rithemelimit, për të kuptuar kush i ka marrë vendimet e bojkotit, dorëzimit të mandateve dhe listave të përfaqësisë demokrate më 2017 dhe 2021.

    Edhe pse në dukje ka një përplasje mes palëve, në prapaskenë ka një marrëveshje underground, të faktorëve determinantë politikë për të mbajtur brenda frerëve dhe brenda mediokritetit që mbretnon në sferën e politikanëve shqiptarë, edhe figurën e Presidentit të ardhshëm të Republikës. Në fillesë, me Kushtetutën e vitit 1998, institucioni i Presidentit në Republikën Parlamentare të Shqipërisë ishte përshtatur posaçërisht nga hartuesit (kuptohet, jo aq sa në rastin e Republikës Italiane), si një organ monokratik, i paanshëm dhe apolitik, që nuk ushtronte funksione aktive të qeverisë, por kishte detyrën për të vëzhguar mbi të gjitha pushtetet, për të kontrolluar dhe për të garantuar respektimin e ekuilibrave të parashikuara nga Kushtetuta në mes organeve të ndryshme të Shtetit, me qëllim që asnjë të mos vendosej mbi të tjerët; të verifikonte që ishin të kontrollueshme parimet dhe vlerat themeltare të sanksionuara nga ky dokument themeltar i shtetit; një institucion që do të duhet të drejtonte me përgjegjësi të lartë politike, juridike dhe patriotike pushtetin e dhënë në ushtrimin e funksionit juridik.

    Mirëpo, ndryshe nga fryma fillestare e Kushtetutës, në mënyrë të vetvetishme, shtytur nga kontrolloret që bëjnë marrëveshje replikimi, po vijon me ngulm, procesi i nisur me ndryshimet konstitucionale (të vitit 2008), të pangjashme në një vend perëndimor, i shndërrimit përfundimtar të postit presidencial, në një institucion pak përfaqësues dhe të zhveshur nga çdo pushtet themeltar, drejt një figure simbolike kryetari, në një institucion të “specializuar” si mjeshtër i madh i ceremonive shtetërore, i mbyllur në kafazin e rehatshëm të Presidencës. Pavarësisht përplasjeve që kemi përjetuar së fundmi mes institucioneve e qeverisë me kreun e shtetit, konstitucionalisht, asgja nuk ka ndryshuar: posti priret të jetë edhe më tutje, i tillë, legalisht dhe figurativisht, ndërsa vendi do të vuajë edhe më tutje nga:

    1. nga mungesa e një arbitri të brendshëm mes aktorëve të rënduar emocionalisht të politikës shqiptare;

    2. nga një zhbalancim i rëndë raportesh mes institucioneve;

    3. nga mospasja ende, për shkak të sabotimit të reformës nga të njëjtët, e një sistemi të shëndetshëm të drejtësisë;

    4. nga pesha e rëndë e mospasjes së një sistemi efikas të sigurisë publike;

    5. nga çorientimet dhe spontaniteti i linjave strategjike të politikës së jashtme;

    6. nga mossendërtimi i një opozicioni real, në shërbim të publikut dhe shtetit;

    7. nga deformimi i formës së qeverisjes parlamentare të racionalizuar, që është karakteristika e sistemit tonë qeverisës, për shkak të denigrimit deri në harresë të disiplinës së detyrueshme të raporteve të ndërvarësisë mes ekzekutivit dhe legjislativit, sa herë që ka arsye të dukshme paqëndrueshmërie politike (Instituti i besimit është mungues në aspektin ligjor dhe zakonor procedural);

    8. Nga mungesa e një ligji të efektshëm të organizimit politik që do të transformonte partitë politike, nga llogore interesash individuale, në organizata politike në të mirë të interesave të publikut;

    9. Nga një pengim i funksionimit normal të Gjykatës Kushtetuese, si garantuese e zhbllokimit të konflikteve të mundshme mbi kompetencat në mes pushteteve të shtetit dhe e zgjidhjes së ngërçeve të pritshme, edhe në rastin në fjalë;

    10. Nga një sistem elektoral që deformon qartazi përzgjedhjen politike të elektoratit dhe nuk siguron stabilitetin e kollajshëm të qeverisë, nëpërmjet krijimit të shumicave qartësisht të dallueshme.

    11. Nga mungesa e procedurave të qarta deri edhe në zgjedhjen e Presidentit të Republikës sonë. Thënë ndryshe, Shqipëria sot ka nevojë për një President të fortë (gjithnjë brenda Republikës Parlamentare) dhe jo për lojcakë tradicionalë, për një President të vendosur, jo për një marionetë në duart e forcave politike, që do të rikthejë, jo vetëm ligjërisht, por edhe faktikisht, funksionin monokratik të Kreut të Shtetit; një kryetar shteti, që do të ndihmonte në përkufizimin e politikave strategjike të vendit, do të zgjidhte krizat ose do të shpërndante Parlamentin, do të ndihmonte në përkryerjen e reformave legjislative të munguara dhe adoptimin e rregullimeve të nevojshme, do të nxiste vendimmarrjen për operimin e shërbimeve publike, do të orientonte qartësisht politikat e jashtme kombëtare, drejt integrimeve të sinqerta perëndimore, ndërkohë qartësisht vendimmarrësit mendojnë të kundërtën e asaj çfarë kërkohet.

    Pyetja që bëjnë të gjithë është, si dilet nga ky kurth që ka ndërtuar politika? Si kapërcehen mendjet e cungueme, interesat individuale dhe frikërat e kësaj Kaste që ka kapërthyer vendin dhe hapësirën publike? Si do të kapërcehet barriera e penguesve të vendosjes së drejtësisë? Për të gjithë është e qartë se kemi të bëjmë me një zinxhir sjelljesh, veprimesh dhe mosveprimesh në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën, që e mban gjalle këtë amulli, këtë shmangie të sovranitetit, pengim të qarkullimit të elitave, konkurrencës së lirë dhe respektimit të të drejtave të komuniteteve përbërëse të kombit për përfaqësi në organet e nalta sovrane.

    Aleatet perëndimorë kanë ofruar gjithë mekanizmin çlirues. Problemi qëndron te papjekuria dhe pavendosmëria e institucioneve të reja ligjzbatuese për të respektuar ligjet dhe kryer misionin e ngarkuar nga Kushtetuta. Reforma në Drejtësi është kryer pikërisht për të çliruar mekanizmin e padrejtësisë dhe pandëshkueshmërisë, që menaxhohej nga kupola uzurpuese e politikës, përmes rolit që kryenin kryetarët e njëpasnjëshëm, te emëruar çdo 5 vjet, të Këshillit të Naltë të Drejtësisë. Por, edhe pse kanë kaluar 6 vite nga ky ndryshim, mekanizmi që e mban të ngrirë pandëshkueshmërinë e kontrollorëve, gjendet aty ku ka qenë edhe më parë. Atëherë duhet të kenë ndodhur tri fenomene:

    1. ose ndryshimet kanë qenë jo aq mirë të përpunuara juridikisht;

    2. ose kontrollorët kanë gjetur mekanizmat e rinj të përshtatjes në situatën e re kushtetuese;

    3. ose në organet e drejtësisë së re gjenden njerëz të papërshtatshëm profesionalisht, pa kurajën e nevojshme, ose nën një presion të gjithanshëm kërcënues nga strukturat e kriminalizuara. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Ngjarjet me Shkupin, Shkëndija sezonin e ri do ta nis pa të drejtë loje në Tetovë

    Lajmi i rradhës

    Vetëvrasjet në komisariate dhe gangrena e të drejtave të njeriut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë