Disa zhvillime pas “Open Balkan” në Tiranë

    Mentor Nazarko

    Serbia dhe Kosova janë përfshirë nga disa ngjarje që e kanë helmuar atmosferën e përgjithshme në marrëdhëniet dypalëshe: deklaratat janë përflakur, veçanërisht nga Kosova. Pas arrestimit të kryekomunarit serb të Shtërpcës, për leje të paligjshme, apo lejime ndërtimesh të paligjshme në një zonë të shtrenjtë si ajo e Brezovicës, ka pasur ndalime gazetarësh me profil të lartë në kufi, kërcënim për atentat në stacionin e autobusëve në Prishtinë (thirrja vinte nga Serbia), Gjykata serbe e Apelit e ka quajtur të ligjshëm përdorimin e termit “shiftari” etj., etj., etj. Brenda kësaj atmosfere, disa politikanë kosovarë kanë parë ndërlidhje me Ballkanin e Hapur, apo prova që tregojnë se pse Ballkani i Hapur është “sen pa lidhje”. Si për ta plotësuar gjithë tablonë anti- ”Open Balkan”, zërat publikë kundër iniciativës janë përplotësuar edhe nga liderë të opozitës kosovare.

    Mirëpo a ka lidhje midis kësaj që po ndodh dhe OBsë? Është shumë vështirë të bindësh dikë për çështje me ndjeshmëri të lartë në kohën e internetit, politikës me rrjete sociale, dhe kur askush nuk dëgjon tjetrin që arsyeton, por vetëm të flasë për vete. Në një artikull me titullin kuptimplotë “Kur arsyetimi ofendon”, filozofi spanjoll Javier Marias thotë se “ne mund të… përpiqemi të shpjegojmë, arsyetojmë, argumentojmë, dhe përmes kësaj, të bindim dikë për diçka…. Prej të paktën 25 shekujsh, që në kohën e Sokratit… instrumentet kryesore që e kanë bërë njerëzimin të vlefshëm… ndaj duhet të alarmohemi, sepse po zhdukim thelbin tonë e të vetmit zëvendësues që na ofrohen janë “emocione të paqëndrueshme dhe sentimentalizmat vulgare”.

    Politika prodhon shpesh emocione të paqëndrueshme dhe sentimentalizma vulgare, që nga ana e vet prodhojnë vota dhe konsolidojnë ato. Me këtë prizëm mund të shikohet qasja ndaj iniciativës së Ballkanit të Hapur, që diku mbivlerësohet, diku mitizohet, diku i vendosen brirë, diku lyhet me bojë të zezë etj., etj. Por le të tentojmë të shpjegojmë, të arsyetojmë, të argumentojmë, ndonëse është e vështirë të dëgjohesh, sipas sindromit të përgjithshëm për të cilin flet Marias.

    Pala kosovare nuk ka marrë pjesë në takimin e Tiranës që të mund të thotë se po të ishte në Tiranë, këto zhvillime pasuese do të ndodhnin gjithqysh. Kjo nuk do të thotë automatikisht se Konjufca ka të drejtë kur thotë “çfarë Ballkani i Hapur është ky”, pas të cilit ndodhin zhvillime si këto.

    Ndërkohë, Serbia nuk do të ndryshojë falë Ballkanit të Hapur përkundrejt Kosovës, sa kohë që vazhdon dialogu në Bruksel (në fakt, ai ka ngrirë deri kur të mbarojnë zgjedhjet në Serbi). Madje Serbia mund të mos ndryshonte ndaj Kosovës edhe sikur ta njihte. Me të drejtë, dikush nga ish-diplomatët me renome të Kosovës, tha në “RTK”, se edhe Rusia e njeh Ukrainën, por ama po bëhet gati ta pushtojë. Pra, thelbësorja është normalizimi real i marrëdhënieve dhe jo njohja në vetvete.

    Po ashtu, Serbia po hyn në zgjedhje, ndaj është e pritshme që të luhen lojëra për të ndikuar në to, apo në pazarin e dialogut. Për më shumë që arrestimet e Kosovës kanë dëmtuar interesa dhe reagimet e të prekurve janë të pritshme. Sa për bllokimin e gazetarit në kufi, kjo është diçka e rëndomtë në Ballkan, për shembull në Greqi. Gazetarët kritikë me Greqinë, njëjtë si Kelmendi që është kritik me Serbinë, vonohen në kufi, në emër të preteksteve verifikuese.

    E gjithë kjo ndodh kur marrëveshjet e miratuara në Tiranë kanë vlerë praktike: ama kjo nuk ndërlidhet me problematikën e krijuar këto ditë në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë. Edhe ato marrëveshje i duhen Kosovës, që e ka Serbinë partner më të madh sesa e ka Shqipëria, dhe afërmendsh që duhet rregullim akoma më i madh sesa ai aktuali. CEFTA dhe Procesi i Berlinit, që kanë dështuar, ngrirë, nuk po sjellin normalizim, as përparim, as adresim të këtyre problemeve, ndaj nuk kuptohet pse ato fetishizohen.

    Ka një pikë thelbësore: ndërsa Kosova vullnetarisht nuk merr pjesë, cili është shqetësimi i saj? Marrëveshjet nuk kanë kurrfarë efekti negativ apo dëmtimi për të, atëherë mos vallë, me të drejtë, sentimentalisht Kosova shqetësohet se po dëmtohet Shqipëria? E vërteta është se edhe në kohën e “luftës së ftohtë”, Shqipëria e kishte Serbinë partnerin kryesor, me 40% të importeve të saj, dhe nuk kishte kontakte politike të nivelit të lartë. Ama, në kufij funksiononin komisionet e përbashkëta të zgjidhjes së incidenteve. Pra, palët kishin një forum ku uleshin për to dhe nuk i bërtisnin njëra-tjetrës njëanshmërisht, nga llogorja e tyre. Shkurt, secili prej shqetësimeve për tema jashtë dialogut (pse jo dhe për ato?) që ka Kosova, mund të adresoheshin në një forum si ai i Tiranës, që është a) i nivelit të lartë; b) po mblidhet shpesh; c) nuk vepron me parimin e vetos; d) nuk është i ngurtë, as institucional, as organizativ; as burokratik. Pse Procesi i Berlinit, që mblidhet rrallë, duhet të jetë forum më efektiv për mosmarrëveshjet? A është logjik argumenti se ne me serbët flasim po të jenë të pranishëm europianët, apo amerikanët, dhe jo ballë për ballë? Pse kjo frikë apo droje? Dhe cili është përfitimi nëse Serbisë i dërgohet selam vetëm nëpërmjet foltoreve apo llogoreve në Prishtinë dhe jo në një forum si ai i “Open Balkan”?

    Ka edhe shumë argumente të tjera, – të cilat sa kohë që shkurti i 2022-shit, për takimin e Shkupit, po afrohet shpejt, – mund të adresohen atëherë. Kjo kuturisje ishte thjesht një përpjekje për arsyetim, ndonëse jetojmë në kohën kur, siç thotë Javier Marias, arsyetimin disa njerëz e interpretojnë si ofendim ndaj tyre: “Mendon që jam inferior apo budalla?”, “Mendon që vetëm pse ke të drejtë, unë duhet të të jap të drejtë?”.

    Lajmi Paraprak

    Cilësia e jetës është përkeqësuar, të rinjtë në Maqedoni të pakënaqur me cilësinë e jetës

    Lajmi i rradhës

    Diaspora e RMV-së gjatë vitit 2020 ka dërguar 361 milionë euro në vendin tonë

    Lajme tjera

    Ukraina s’ka vdekur

    Daria Meshcheriakova Ndryshe nga mendimi i njohur që rastiset të dëgjohet shpesh në Ballkan, Rusa dhe Ukraina nuk…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë