Drejtësi në kohë sfidash

     FLORJAN KALAJA

    Të nderuar kolegë, më lejoni që fjalën time ta nis me një urim dhe ta mbyll me po të njëjtin urim. Gëzuar 10 Majin 2022! Gëzuar Ditën Kombëtare të drejtësisë shqiptare!

    Megjithëse për më shumë se një shekull drejtësia shqiptare nuk ka arritur të vetemancipohet nga eklipsi i protagonizmit dhe varësia e dukshme apo e padukshme ndaj pushtetit ekzekutiv, por edhe atij legjislativ, sërish në kalendarin historik të kremtimeve Shqipëria ka një datë që i kushtohet posaçërisht drejtësisë. Kjo datë dhe kjo ditë simbolike është një moment për të përqendruar vëmendjen në një nga nevojat më të mëdha të shoqërisë dhe të shtetit, dhënien e drejtësisë, dhe për të reflektuar për gjithçka ka ndodhur mirë apo keq dhe se si dhe çfarë duhet të bëhet më mirë mot. Tradita e kremtimit të një dite kushtuar posaçërisht drejtësisë është për t’u vlerësuar dhe për t’u ruajtur, pasi është një simbol i nevojshëm dhe origjinal i Shqipërisë.

    10 maji 1913 është data kur u themelua pushteti gjyqësor i parë i shtetit shqiptar, i pavarur dhe sovran. Historia mori shekuj për të krijuar shtetin e pavarur shqiptar dhe deri më sot na ka treguar se nuk mjafton një shekull shtet i pavarur për të krijuar një pushtet gjyqësor të mosvarur nga pushtetet e tjera.

    Për të qenë i sinqertë dhe realist, njëkohësisht edhe me keqardhje, mendoj se 109 vite të ekzistencës së pushtetit gjyqësor të shtetit shqiptar nuk kanë arritur dhe nuk kanë mjaftuar për ta perfeksionuar pushtetin e drejtësisë. Në këtë përvjetor të 109-të të drejtësisë ne mblidhemi sërish në këtë simpozium për të kremtuar dhe për të reflektuar ditën e drejtësisë shqiptare dhe i vendosim titullin këtij aktiviteti “Drejtësi në kohë sfidash”. Sigurisht, me të drejtë, pasi drejtësia në Shqipëri edhe në përvjetorin e 109-t të saj vazhdon të jepet në kohë sfidash.

    Sfidë për t’u dhënë në kohë të arsyeshme. Sfidë për të qenë e drejtë. Sfidë për të reflektuar barazi. Sfidë për t’u bërë e pranueshme për palët dhe destinatarët e saj. Sfidë për t’u dukur se po bëhet. Sfidë për secilin nga ne për t’i gjetur dhe për t’i kushtuar çdo ditë dhe më shumë kohë nga orët e familjes apo nga orët aktiviteteve të tjera sociale tonat. Sfidë për të heshtur dhe për t’u treguar të vetëpërmbajtur përpara denigrimeve mediatike të kujtdo që demonizon punën tonë të përditshme. Por mbi të gjitha edhe kryesfida mbetet kontributi real i pushtetit të drejtësisë në ndërtimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

    Shteti i së drejtës është destinacioni final i evolucionit të emancipimit shtetëror. Absolutizmi ishte kulmi i emancipimit të pushtetit ekzekutiv dhe përmes revolucionesh të përgjakshme në Europë u arrit të kalohej në etapën e dytë të evolucionit të shtetit, konkretisht në ndërtimin e shtetit ligjor dhe supremacinë e pushtetit legjislativ. Ky ishte kulmi i emancipimit të pushtetit legjislativ dhe se dy luftërat botërore treguan se sërish nuk është ky destinacioni final i ndërtimit të demokracive moderne. Kushtetutat e Pasluftës së Dytë Botërore sanksionuan emancipimin e pushtetit gjyqësor përmes ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe pikërisht ky model shtetëror rezulton të jetë destinacioni final i demokracive moderne. Në këtë kuptim, shteti i së drejtës do të përbëjë kulmin e emancipimit të pushtetit gjyqësor. Pikërisht kjo është detyra dhe misioni i magjistratuve në demokracitë liberale. Ky është misioni ynë që do të duhet ta reflektojmë dhe kremtojmë çdo 10 maj sot e mot.

    Sot kam zgjedhur të sjell një histori të vogël dhe kuptimplotë të gjyqtarit të Degës Penale të Gjykatës së Diktimit, z. Neki Delvina. Gjatë kremtimit të Ditës së Punëtorëve në Tiranën e Pasluftës së Dytë Botërore, konkretisht në majin e vitit 1946, atëherë kur të tria pushtetet sapo ishin unifikuar edhe në Kushtetutë, krerët më të lartë të shtetit të asaj kohe po bënin parakalimin triumfal në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Dikush midis turmës së qytetarëve, në njërën anë bulevardit, pyet gjyqtarin z. Neki Delvina se pse vetëm ai nuk po e duartrokiste parakalimin triumfal etatist. Gjyqtari i u kthye me përgjigjen se: “Gjyqësori nuk mund të duartrokasë ekzekutivin”. Ai pati një fat tragjik më tej, sikurse mundet të hamendësohet afërmendsh.

    Nga kjo përgjigje desha të përzgjedh kumtin kryesor të mesazhit që dua të reflektohet në këtë ditë të 109-t të Drejtësisë Shqiptare, konkretisht ruajtjen e pavarësisë dhe vetemancipimin e magjistratëve, vlera pa të cilat shteti i së drejtës në Shqipëri nuk mundet të ndërtohet. Në mënyrë modeste desha të shtoj edhe diçka tjetër mbi përgjigjen e dhënë në vitin 1946 në Shqipëri nga gjyqtari z.Neki Delvina. Jo vetëm që pushteti gjyqësor dhe drejtësia nuk duhet të duartrokasë pushtetin ekzekutiv, por edhe pushteti gjyqësor, drejtësia dhe magjistratët nuk duhet të impresionohen apo të ndihen të detyruar për të ushtruar detyrën e tyre në mënyrë që të duartrokiten nga pushteti ekzekutiv apo legjislativ.

    Drejtësia duhet të bëhet edhe sikur të mos marrë asnjë duartrokitje. Drejtësia nuk matet dhe nuk mundet të vlerësohet nga tamtamet. Drejtësia është paqe sociale dhe në procesin e dhënies së drejtësisë nuk mundet të ketë vend për zhurmë.

    Më ka mbetur në mendje prej kohësh analogjia e një kolegu, i cili më thoshte se drejtësia duhet të bëhet në kushtet e qetësisë së një meshe. Nëse gjatë meshës kishtare bëhet zhurmë, ajo nuk është më meshë dhe riti sakaq është e pamundur të realizohet. Edhe drejtësia – për t’u bërë sikurse të gjitha sfidat e sjella në vëmendje më lart e kërkojnë – do të duhet të bëhet pa zhurma që e pamundësojnë apo e mbysin realizimin e saj.

    Tashmë më duhet ta mbyll fjalën time me disa urime në këtë ditë të 109-t të drejtësisë së shtetit shqiptar.

    Urimi im i parë është metafizik, duke shpresuar të jetë e mosqoftshme që historia të na tregojë se Shqipërisë do t’i duhen shekuj për të pavarësuar pushtetin gjyqësor.

    Urimi im i dytë është për të gjithë kolegët e mi gjyqtarë dhe prokurorë që ndër vite kanë ndjerë se kanë qenë të keqpaguar, të keqrespektuar, të keqtrajtuar dhe të keqadministruar, e megjithatë, duke e parë punën si mision dhe detyrë qytetare, kanë punuar dhe punojnë në një atmosferë dhe klimë opinioni mosbesimi dhe mosvlerësimi të krijuar nga institucionet shtetërore, subjektet mediatike dhe reagimesh shoqërore. Qoftë çdo sakrificë e jona e shpërblyer si dhe kur duhet!

    Urimi im i tretë është për këdo qytetar të Republikës. Qoftë e afërt dita kur kjo ditë kremtimi për drejtësinë shqiptare të marrë karakterin e një feste kombëtare!

    Sot, sikurse nga viti 1913, është e vështirë që të presësh që dikujt t’i shkojë ndërmend te kjo ditë dhe të ndiejë se realisht ka diçka për të festuar. Por ajo e nesërme e uruar më lart do të jetë e lume për ato që do ta jetojnë. Deri atëherë, Dita e Drejtësisë do të jetë bërë edhe Festa e Drejtësisë Shqiptare.

    Gëzuar 10 Majin 2022! Gëzuar Ditën Kombëtare të Drejtësisë Shqiptare! /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Bekim Sali premton rritje të pagave në sektorin e shëndetësisë

    Lajmi i rradhës

    Kur modeli janë të fortët dhe tallavaja

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë