Katër “çuditë” e Ramës në “Politico”

    GENC POLLO

    1-“Serbia është ndryshe nga të tjerët sepse ka lidhje historike e speciale me Rusinë”. Ky është një pohim i rremë pasi shumë shtete sllave në Ballkan, si p. sh., Bullgaria ka lidhje historike e speciale me Rusinë.

    Edhe për Malin e Zi mund të thuhet deri diku kjo gjë. Por edhe në Europën Qendrore ka shtete sllave me një histori përgjithësisht miqësore me rusët. Megjithatë, të tëra këto shtete kanë adoptuar sanksionet e Brukselit ndaj Serbisë. Vetëm dy janë përjashtimet: Bjellorusia e Lukashenkos dhe Serbia e Vuçiçit. Rama thotë të pavërteta (mendoj se është i ndërgjegjshëm për këtë) për të legjitimuar pozicionin e Vuçiçit.

    2- “Adoptimi i sanksioneve (të plota) nga Serbia është praktikisht i pamundur… Është vetëvrasës për ekonominë serbe”. Ky është tipikisht argumenti i “njeriut të kashtës” (straw man) kur ndryshohet arbitrarisht objekti i çështjes për të dalë në një konkluzion të volitshëm. Sanksionet e BE-së nuk janë të tilla që asfiksojnë ekonominë;

    Shtetet në BE vazhdojnë të blejnë gaz nga Rusia; naftën e mbyllin në fund të v. 2022 e kanë bërë përjashtime nga sanksionet për shtete me vartësi të theksuar nga hidrokarburet ruse si Sllovakia, Hungaria etj. Por ka një sërë sanksionesh ekonomikisht të përballueshme që përbëjnë 97% të listës së Brukselit. Për këtë duhet vullnet e vizion politik. Vuçiçi e ka bërë të qartë pozicionin e tij, madje disa herë. Rama përpiqet ta mbrojë me sofizma.

    3- “Nganjëherë duhet ta durojmë tjetrin. Ta kuptojmë atë. Ndryshe nuk e ruajmë bashkësinë tonë për synime të larta. … Serbia është në rrugën e duhur vetëm se duhet të ecë më shpejt”. Këtu Rama nuk mashtron. Nëse synimi është një regjim korruptokratik, ai është në elementin e vet. Dhe të Vuçiçit…

    4- “Presioni i tepruar i Perëndimit ndaj Serbisë është shkatërrues për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor” Kjo po që është risi e surprizë! Se deri dje konsensusi, përfshi edhe kampin Rama retorikisht, ishte se burim destabilizimi ishte Serbia me qëndrimin e saj ndaj Bosnjës e Kosovës si dhe me lidhjet e saja me fuqitë jo miqësore ndaj Europës. Mbas agresionit të Putinit ndaj Ukrainës ky konsensus u konsolidua dhe thirrjet ndaj Vuçiçit për ndryshim kursi u shtuan. I fundit ishte para ca ditësh kancelari gjerman në Beograd. Kjo dalje nga rreshti e Ramës është vërtet për t’u parë. Deri në serinë e ardhshme. To be continued… /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Shëndeti mes politikës dhe ekonomisë

    Lajmi i rradhës

    “Përparim urgjent i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë drejt BE-së”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë