Elmedina Shafi Berzat
Komunikologe
Vajzat dhe gratë do të jenë viktima të zhvillimeve rapide të inteligjencës artificiale, ashtu siç ishin edhe të ndryshimeve të tjera të mëdha në jetët e njerëzve në nivel global.
Pandemia e COVID 19, sipas një artikulli të “Institute for Gender Equality Index”, la 1.5 milionë gra pa punë, sepse sektorët që u prekën më shumë ishin ato me një përqindje më të lartë punonjëse gra.
Por, sipas tyre, më shqetësuese është ajo që vijoi më pas: vajzat e moshës 15-24 vjeç, në pjesën e dytë të vitit 2020, pësuan një ulje në numrin e punësimeve me 10% krahasuar me vitin 2019.
Dhe kështu, si një puzzle që ndërtohet pjesë pas pjese, edhe zhvillimet globale duket se ndikojnë gjithmonë në mënyrë të paracaktuar, duke goditur mbi fatin e gruas në aspektin profesional.
Themeluesi i Meta kërkoi më shumë “energji mashkullore” në korporatat amerikane, hoqi përparësitë për punësim për grupe të margjinalizuara dhe ndër të tjera, edhe për gratë.
Sektorët ku gratë kryenin më shumë shërbime po automatizohen gjithnjë e më shumë; korporatat parapëlqejnë burrat, dhe pandemia, paraprakisht, vetëm sa i dërgoi gratë në shtëpi.
Ky trekëndësh po mbyll dyert për gratë, duke i kufizuar ato brenda rolit të vetëm që u është caktuar historikisht: të rrinë në shtëpi, të lindin dhe të rrisin fëmijë. Në Maqedoninë e Veriut, raportet mbi gratë në karrierë, për vite me radhë, tregojnë se gratë sakrifikojnë jetën profesionale jo vetëm për fëmijët e tyre, por edhe për përkujdesjen ndaj moshave të treta.
Varësia ekonomike e një gruaje, apo e një individi, çon drejt kontrollit ndaj saj ose atij.
Inteligjenca artificiale do ta thellojë më shumë këtë hendek mes gruas dhe tregut të punës, duke prodhuar pasoja që do të vërehen brenda më pak se një dekade dhe që mund të ndikojnë në shumë faktorë të tjerë negativë, përfshirë edhe dhunën në familje.
*Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.