Eurointegrimet – qartësi e vetme mes një kakofonie politike dhe mediatike

    Shkruan: MERITON TUSHA

    Vizita e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Shkup dhe Tetovë – shërbeu si një shpluhurim i konflikteve që shërbejnë si potencial të fërkimeve mes blloqeve të ndara politike brenda  vendit, por po ashtu edhe tensionim të marrëdhënieve me Serbinë. Ardhja e kryeministrit Kurti pati mjaft reagime nga të gjitha palët. Nga shqiptarët u prit me manifestim, ku edhe mediat shqiptare raportuan kryesisht në mënyrë afirmative dhe neutrale, me fokus mbi emërtimin e rrugës “Adem Demaçi” në Çair, kurse në Tetovë pati pritje solemne ku performoi edhe grupi i njohur shqiptar Elita 5 në shenjë mikpritjeje.

    Në fillim të gjithë këtij diskursi që dominonte opinionin qëndronte narrativi që kryeministri Kurti kishte ardhur ta përkrahte opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, por që ai e mohoi po atë ditë në një intervistë në TV Kohën e Tetovës , duke thënë se edhe po ta kishin thirrur partitë në pushtet në cilëndo komunë tjetër, do t’i vizitonte pa kurrfarë dileme.

    Ky diskurs edhe pse dominon ende në disa qarqe, përsëri nuk ka pasur publikisht ndonjë impakt mbi partitë në qeveri, pasi kryeministri Kurti pos diskutimit me kryetarin e komunës së Tetovës Bilall Kasamin për çështjen e tunelit Tetovë-Prizren e dërgoi ministrin Liburn Aliun në takim me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmetin.   Zëvendës-kryeministri Artan Grubi pati një replikë mbi situatën, duke thënë që kryeministri i Kosovës po keqpërdoret nga opozita. Ndërsa kryetari i ASH, Arben Taravari e theksoi që edhe në qoftë se do të përkrahë opozitën do të ishte tërësisht në rregull. Pastaj, ky diskurs filloi të zbehej duke mos pasur më rëndësi për opinionin publik sepse qëndroi më shumë vetëm si përplasje mes partive sesa diçka konkrete me kryeministrin Kurti.

    Nga ana tjetër, nga i gjithë ky manifestim dhe përplasje afatshkurtër mes partive në taborin politik shqiptar, pati një reagim të fuqishëm nga partitë dhe mediat maqedonase, duke e vendosur fokusin mbi valëvitjen e flamurit të “Shqipërisë së madhe” në tubimin e Tetovës. Pati reagime edhe nga ana e presidentit, kryeministrit, ministrit të Punëve të Brendshme. Ky fitil që u ndez me anë të flamurit të valëvitur veç më e bëri aktuale narrativin e bashkimit kombëtar, edhe pse kryeministri Kurti në fjalimin e tij nuk foli asgjë që kishte të bëjë me këtë. Mjafton ta përmendim që e gjitha u konsolidua me fjalimin e kryeministrit të Kosovës që i bëri thirrje Maqedonisë së Veriut të qëndrojë më afër Shqipërisë, Kosovës dhe Bullgarisë, e më larg Serbisë, që të jetë më pranë Bashkimit Evropian.

    Kjo thirrje duket që jehoi edhe në Serbi, bashkë me tensionin që u bë me anë të mediumizimit të flamurit të “Shqipërisë së madhe”. Pati reagim të vrazhdë dhe kërcënues nga ana e ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Vuçeviq, i cili kërcënoi vendin tonë duke thënë:

    “A po flenë të qetë miqtë tanë në Maqedoninë e Veriut? A flini të qetë? Ata mendojnë se janë në paktin e NATO-s dhe se i kanë zgjidhur problemet e tyre… Kjo është mantra e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Kur u bënë anëtarë të asaj sigurie kolektive, apo Aleancës së NATO-s, menduan se i kishin zgjidhur të gjitha problemet dhe se asgjë më nuk mund të ju ndodhë”, tha ai.

    Pas kërkesës së ministrit të Punëve të Jashtme të RMV, Bujar Osmani, për sqarim të deklaratës së dhënë, Vuçeviq e zbuti deklaratën duke thënë se përkundër të gjitha raportimeve mediatike keqdashëse dhe të pabaza, Serbia vepron si një partner i përgjegjshëm, i besueshëm për të gjithë fqinjët.

    “Ne nuk mund të lavdërojmë mosrespektimin e askujt për integritetin tonë territorial. Ngjarjet e fundit kanë vërtetuar paralajmërimet tona se Kosova “UDI” nuk është një rast sui-generis dhe se do të rikthehet herët a vonë. Askush në Serbi nuk është i gëzuar për këtë, vetëm duke shikuar faktet”, deklaroi ai. Përmes kësaj deklarate, ai shprehu qartë pakënaqësinë e Serbisë ndaj RMV-së mbi njohjen e Kosovës duke e quajtur si të mosrespektuar integritetin territorial të tyre.

    Njëra nga dilemat e kësaj kakofonie politike me deklarata të ndryshme është se a po shërben akoma njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Maqedonisë së Veriut në vitin 2008 si mollë sherri  në raportet me Serbinë?

    Me intensifikimin e luftës në Ukrainë , që në fillim Ballkani u pa si një fuçi baruti për konflikte të ardhshme. Duke e pasur parasysh që Serbia është e rrethuar nga anëtarë të NATO-s, është e qartë që deklarata e tillë nuk mund të sjellë konflikt të armatosur, ngaqë do ta fuste atë direkt në luftë me gjithë shtetet tjera të NATO-s.

    Por, kjo mund të shërbejë edhe si një zanafillë e tensionimit në marrëdhëniet  mes dy shteteve. Pasi pjesë përbërëse e shtetit të RMV-së janë shqiptarët, atëherë është e pritur që njohja e Kosovës do të qëndrojë pa u kontestuar aspak nga qeveria. Por dilema do të jetë se si qeveria do të vazhdojë të  balancojë mes raporteve me Serbinë dhe njohjen e Kosovës si shtet i pavarur.

    Blloku opozitar, më saktësisht partia ultra e djathtë “Levica” (E Majta), mund ta përdorë si një nyje lidhëse mes populizmit brenda shtetit dhe marrëdhëniet me Serbinë mbi çështjen e njohjes. Sepse që nga dalja në skenën politike, “Levica” ka trumbetuar  se kur të vijnë në pushtet do t’ua heqë njohjen Kosovës dhe Izraelit.Kjo  mund të shërbejë edhe si një bombë e kurdisur, në qoftë se ndryshimet kushtetuese dështojnë. Një ngjallje e populizmit të tipit të “Levicës”, që mund të ndikojë edhe mbi partitë tjera konservatore duke e trazuar apo zhvendosur diplomacinë e shtetit të Maqedonisë së Veriut nga perëndimi drejt shteteve autokrate si Serbia dhe Rusia.

    Skaji i djathtë politik veçmë është prekur nga “Levica”, që medoemos do të shërbejë si forcë tërheqëse të lëvizjeve të ngjashme, pa u radikalizuar në atë masë si ajo që të duken më të moderuar. Ndoshta edhe deklarata e djeshme e kryetarit të VMRO-së, Hristian Mickoskit në Kërçovë, e cila ishte brengosëse dhe konspirative, duke thënë se dikush në botë dhe Evropë bën strategji për ta thyer VMRO-në. Prandaj kjo mund të shërbejë dhe të kuptohet edhe si një zanafillë e ambivalencës politike në vend, që për shkurt kohë mund të marrë karakter populist, por po ashtu  ta luhatë vendin nga pozicioni pro-evropian.

    Nga ana tjetër, Serbia dhe një pjesë e politikanëve të saj si duket nuk i përkufizon kërkesat e veta vetëm përreth çështjes së Kosovës. Sekretari serb para ca ditësh e quajti Maqedoninë e Veriut si “Serbi e jugut” dhe “Serbi e vjetër”, gjatë përkujtimit të betejës së Bregallnicës.

    Duke e analizuar se a do të jetë Kosova mollë sherri në raportet mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, kjo e dyta shpesh shfaqet në rolin e destabilizuesit në Ballkan dhe si forcë e vetme pro-ruse autokratike me mashën e saj në Bosnjë dhe Hercegovinë që është Republika Serbe. Po ashtu, Serbia është shteti i vetëm që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë.

    Mediumizimi dhe përfolja e përditshme në bllokun maqedonas mbi flamurin e “Shqipërisë së Madhe”, duket që nuk është fitili i vetëm i kësaj përplasjeje, prandaj vijoi edhe në anën tjetër, në mënyrë shumë ma radikale përmes zyrtarit serb, duke e pasur parasysh që asnjë zyrtar i Republikës së Kosovës deri tani nuk ka pasur fjalim që e cenon integritetin territorial të RMV-së. Ndoshta qëndrimi i “Levicës” do të jetë fitili i ardhshëm që do të ndizet, ndoshta bashkë me ambivalencën politike të VMRO-së.

    Me afrimin e votimeve për ndryshimet kushtetuese, po ndizen edhe vatra të tjera. Duket qartë që ka një zhvendosje dhe parapërgatitje të blloqeve në rast se ato ndryshime dështojnë. Po ndërtohen “istikame” të reja dhe faktori politik maqedonas duhet ta ketë këtë të qartë dhe ta lexojë situatën. Sa më parë ta bëjë këtë, do të jetë shumë më mirë, pasi RMV nuk duhet të jetë vend i eksperimenteve dhe poligon për konflikte të ardhshme.

    Prandaj, ndryshimet kushtetuese do të shërbenin si një nismë për stabilitet në vendin tonë dhe betonim i aspiratave pro-evropiane, duke mos lënë hapësirë për forca destabilizuese. Pra, në reduktim të përgjithshëm politik, kahja e shtetit varet nga ndryshimet kushtetuese, duke u shndërruar nga zgjedhje pro-evropiane në domosdoshmëri edhe për stabilitet brenda vendit.

    (Autori është projekt-asistent në IMA dhe magjistrant i studimeve të politikave)

    Lajmi Paraprak

    Pse Korean Air do të kërkojë nga disa pasagjerë që të hipin në peshore, para fluturimit me aeroplan?

    Lajmi i rradhës

    Hyn në fuqi ligji që e bën shpifjen vepër penale në Republikën Sërpska

    Lajme tjera

    Të qenit rehat me veten, leksioni që na dha pandemia e Covid-19

    Barbara Stefanelli Ndërprerja e jetës normale për shkak të pandemisë e ndryshoi botën, sidomos njerëzit sëbrendshmi. Kjo pasi pandemia i boshatisi rrugët. Dhe si në qytetet e mëdha, ashtu edhe qytezat e vogla, ne të gjithë e pamë befas veten të mbyllur në…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë