Fadil Sulejmani: U ndalova të hyj në UT

    Fadil Sulejmani | Anëtar i Këshillit të pavarur për ndryshime jopolitike në UT

    Më 23 shkurt 2010, në orën 9 të mëngjesit, ditë e zakonshme pune, bashkë me studentë hyra në objektin e universitetit, dhe si gjithnjë u ndala të portieri, meqë partitë e Qeverisë maqedonase që nga viti 2004 ma morën edhe një zyrë të vogël që e kisha dhe nuk më lanë as edhe një karrigë në korridor për t’u ulur ndonjëherë aty. Porsa u ula, portieri me një qëndrim të ftohtë doli jashtë, unë mbeta i vetmuar dhe pashë se diçka nuk është në rregull.

    Menjëherë hyri brenda tek unë një njeri dhe më thirri që të shkojë te zyra e sigurimit. E pyeta se kush është dhe ai m’u përgjigj se është njeri i sigurimit. U habita se çka do sigurimi nga unë. Sa çel e mëshel sytë erdhën edhe dy njerëz të tjerë të sigurimit dhe më thanë se kanë urdhër nga Rektori Agron Reka që të ma ndalojnë hyrjen në objektet e universitetit.

    – A nuk ka A. Reka ndonjë punë më të mirë se kjo, por të ma ndalojë hyrjen në universitet?, i pyeta dhe në atë çast më shkoi mendja në hisorinë e bujshme të UT-së që atë çka s’mundi të ma bëjë policia speciale maqedonase, të më largojë nga universiteti, sot po ma bëjnë shqiptarët.

    Kjo ndodhi është edhe një shembull se deri ku ka arritur politizimi i UT-së, forca e partisë dhe kukullat besnike të saj që janë në gjendje jo vetëm të shkelin mbi fytyrat, por edhe të ecin mbi kufomat e profesorëve dhe të studentëve për ta ruajtur postin e turpshëm dhe rrogën e majme që e kanë zënë në universitet me rrugë politike dhe jo me profesionalizëm, shkencë e dituri.

    Kërkova nga njerëzit e sigurimit që të më lënë nja dy-tri minuta të pushojë e pastaj do të largohem vetë pa pasur nevojë të përdoret dhuna mbi mua.

    Unë: A e keni urdhërin me shkrim?

    Sigurimi: Jo, vetëm gojarisht.

    Unë: Po ju a e dini se ky urdhër është i partisë dhe se ju jeni roja e saj në universitet?

    Sigurimi: Po, m’u përgjigj njëri, ne e duam shumë këtë parti, BDI-në, ajo për herë të parë në jetën tonë na ka marrë në punë, këtu në universitet e po na jep rrogë, po na mban gjallë.

    Unë: Megjithatë, ju duhet ta dini se me këto para të universitetit ajo po ju keqpërdor për interesat e veta, qe siç bëni sot e me siguri edhe nesër do t’i largoni nga universiteti profesorët e studentët për të mirën e partisë suaj e të keqen e universitetit!

    Sigurimi: Ne do t’i përzëmë nga universiteti vetëm ata njerëz që janë kundër partisë, ju nuk e doni BDI-në.

    Unë: Jo, unë nuk jam kundër asnjë partie që ajo të rrijë atje ku e ka selinë e vet, jo të hyjë në universitet dhe ta bëjë atë pronë private për interesa të veta politike e financiare. Prandaj, kërkojmë që partitë të rrinë larg universitetit.
    Sigurimi: Po ju nëse e largoni BDI-në nga universiteti, atëherë ne do të mbetemi pa punë.

    Unë: Jo, jo ju do të mbeteni këtu, por do ta mbroni universitetin nga partitë dhe Qeveria maqedonase , kurse universiteti do t’ju japë juve edhe të tjerëve si ju edhe vendime pune, e jo si partitë që po u shfrytëzojnë sot për nesër edhe pa kontrata pune që në momentin kur nuk do t’i pëlqeni asaj ajo do t’ju largojë nga universiteti, dhe kjo do t’ju ndodh kur nuk do t’i kryeni urdhërat e partive që jo vetëm t’i përzini nga puna, por edhe ta rrahni ndonjë student, dekan ose edhe vetë Rektorin, nëse partisë i dalin nga kontrolli.

    Sigurimi: Ju, profesor, vetë keni qenë në këto parti, edhe me BDI-në, edhe me PDSH-në?

    Unë: Jo, unë asnjëherë s’kam qenë, s’jam dhe s’do të jem me asnjë parti. Partia ime ka qenë, është dhe do të mbetet Universiteti i Tetovës. Është e vërtetë se unë i kam përkrahur ndonjëherë partitë në pushtet për të mirën e universitetit që ato të ndikojnë pozitivisht në përmirësimin e gjendjes së tij dhe ndryshimin e rrethanave, me të cilat ai është ballafaquar historikisht, duke qenë vazhdimisht i kërcënuar nga qeveritë maqedonase. Pikërisht, kjo është arsyeja pse unë gjithmonë kam qenë në konflikt dhe i padëshirueshëm për partitë politike, sepse unë nuk i kam lëvduar, por i kam qortuar ato për ambiciet politike dhe lakmitë pushtuese që kanë pasur dhe kanë ndaj UT-së.

    Sigurimi: PDSH-ja hyri në universitet me kallashnikov!

    Unë: Po, veprimet politike sjellin edhe akte dhune në universitet. Prandaj, ne kërkojmë që njëherë e përgjithmonë të kemi një universitet pa kallashnikova e pa topa, pa politikë, pa ndikime partiake dhe përzierje të Qeverisë maqedonase në punët e tij të brendshme.

    Sigurimi: A ju kujtohem, profesor, se edhe unë kam qenë me ju dhe me vendimin e nënshkrimin tuaj në mbrojtje të universitetit, mu në këtë ndërtesë?

    Unë: Po. Por sot, si ti, ashtu edhe unë, dhe mbarë populli shqiptar kemi rënë viktimë e partive politike të qeverisë maqedonase.

    Besoj se u kuptuam dhe prej tash e tutje nuk do të mbetemi edhe më pre e kësaj të keqeje partiake dhe të gjithë së bashku do ta çlirojmë shumë shpejt UT-në nga prangat e Qeverisë maqedonase.
    Më pas ata filluan të zbuten dhe të arsyetohen se këtë e bejnë për ta ruajtur bukën e gojës, se janë të varfër, se s’kanë asnjë burim tjetër të ardhurash dhe se me këtë rrogë të vogël mbajnë familjet e tyre.

    Më treguan se kush janë edhe me emër e mbiemër dhe shprehën keqardhje se pse atyre u ka rënë ky detyrim i rëndë, dhe se “kush jemi ne që ta përzëmë nga Universiteti i Tetovës prof. Fadil Sulejmanin!”

    Unë i ndërpreva, duke u thënë se nuk jemi fajtorë, as ju, as unë, por dreqi i zi që na ka hyrë në universitet dhe po na armiqëson vëlla me vëlla e po na përçan shqiptar me shqiptar në baza politike e partiake. Ju si sigurim e keni per detyrë ta siguroni ndërtesën dhe ta mbroni atë nga dhuna, dhe jo të respektoni çdo urdhër të partisë për interesa të saj, siç po bëni më këtë rast ndaj meje, që nuk arsyetohet. Universiteti na takon të gjithëve, ai është interesi ynë i përbashkët, njësoj kemi detyrime dhe përgjegjësi ndaj tij që ta ruajmë si sytë e ballit nga ata që e shpallën foshnje të vdekur dhe nga shërbëtorët e tyre.

    Duke dalë nga dera, u ndesha edhe me z. Agim Nuhiun, dekan i partisë në F.Juridik dhe kërkova nga ai sqarim për këtë vendim të Rektorit partiak, Agron Rekës, që ta thërrasë në telefon, pasi ai nuk ma hapi telefonin.

    A.Nuhiu: Jo, profesor, kam frikë, mos se do të m’i prishni punët!

    Unë: Po, ti i ke punët mirë, por universiteti i ka keq, ai është në krizë, fakulteti yt nuk po zhvillohet, ti a je dekan i tij vetëm në listën e rrogave? Kush është dekan i vërtetë aty? Ti apo Bujar Ahmeti, nipi i kreut të BDI-së?

    A.Nuhiu: Po ju nuk e dini se të mos kisha pranuar unë të bëhem dekan, A.Ahmeti do ta sillte për dekan në këtë fakultet z. Mersim Maksutin, dhe kështu të gjithë udhëheqësit në Universitetin e Tetovës do të ishin kërçovarë pa asnjë tetovar. Derisa po largohesha nga objekti i universitetit, pashë një kameraman dhe një gazetar të “Alsatit”, të cilët ma morën një deklaratë për këtë ndodhi, por, edhe pse më premtuan, nuk e dhanë në televizor. Nuk e di pse? Ndoshta edhe ata i ka ndaluar Partia dhe Qeveria.

    Në këto rrethana të kontrollit total politik mbi Universitetin e Tetovës, formimi i një Këshilli të pavarur për ndryshim nga ana e intelektualëve dhe dashamirëve të universitetit ishte mëse i domosdoshëm.

    Ne nuk do të pushojmë së vepruari derisa ky universitet të çlirohet nga prangat e politikës ditore që e ka dobësuar. Në këtë mision tonin të shenjtë ne do të kërkojmë edhe ndihmën e nevojshme të çfarëdo qoftë faktori të brendshëm dhe të jashtëm që vlerëson pavarësinë e institucioneve arsimore-shkencore.

    Përgatiti: Faruk Tasholli

    Lajmi Paraprak

    Rrezikon të mbyllet deponia “Rusino-Pollog”

    Lajmi i rradhës

    Biden zhbllokon një pjesë të rezervave afgane

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë