Familja shqiptare dhe krimet e të rinjve

    PËLLUMB NAKO

    Para disa ditëve, një 21- vjeçar, tashmë me eksperiencë në fushën e krimit, vrau një punonjës Policie nga një distancë e afërt. Ai ishte bashkë me disa moshatarë të tij, të cilët gjithsesi qarkullojnë në të njëjtat ujëra me të. Pas këtij lajmi, kronika e zezë vazhdon me dinamikën e saj ku forcat policore arrestojnë një tjetër 21-vjeçar me pistoletë dhe ai duke qarkulluar me mjetin e tij. Pak më në veri të vendit, disa kohë më parë, Policia arreston një 21-vjeçar sepse kultivonte kanabis dhe pranë parcelës iu gjet edhe një armë gjahu. Duke zbritur në Shqipërinë e Mesme, në të njëjtën kronikë, jepet lajmi tjetër se një grua 56-vjeçare së bashku me bashkëshortin e saj 59-vjeçar arrestohen sepse u kapën nga Policia me parcela kultivimi të kanabisit dhe ndërkohë djali i tyre 21-vjeçar u shpall në kërkim.

    Në një zonë tjetër kronika flet për të njëjtën gjë, por me një ndryshim të vogël: Policia arreston nënë e bir për kultivim kanabisi dhe shpall në kërkim kryefamiljarin. Nuk mungon as rasti kur familja është më e madhe dhe ndër të arrestuarit është edhe një adoleshent 15 vjeç. Kurse në jug fare, i arrestuari për kultivim kanabis është 60 vjeç, ndërkohë që rekordin e moshës në aktivitetin antiligjor të kultivimit të kanabisit e mban një grua e moshës 67-vjeçare. Këtë radhë, në lindje të vendit arrestohet një grua 53-vjeçare dhe shpallet në kërkim bashkëshorti i saj dhe në një rast tjetër dy vëllezër. Nuk kanë munguar as raste kur arrestohet çifti burrë e grua si dhe vëllait të gruas, pra, kunati i njërit prej kultivuesve.

    Seria e këtyre fakteve është mjaft e gjerë dhe e pasur me të gjithë komponentët përbërës të familjes së sotme të shoqërisë sonë. Mjaftojnë vetëm shembujt e mësipërm, të cilët janë sa për ilustrim, për të kuptuar se çfarë po ndodh sot me familjet shqiptare dhe sa e rëndë e masive po bëhet plaga e paligjshmërisë së shoqërisë sonë. Dhe të mendosh që edhe në kohët më të arta të lulëzimit të shkollimit në vendin tonë, përsëri ka qenë familja ajo që ka dominuar dhe dominon formimin e sjelljes sociale të fëmijëve. Po ashtu, të mendosh se në këtë shkrim merret si burim vetëm kultivimi i kanabisit dhe jo fenomene të tjera negative sociale që dominojnë familjen shqiptare.

    Pyetja e parë që bëhet në të tilla raste, e lidhur edhe me profilin e të riut 21-vjeçar që vrau punonjësin e Policisë, është se kur një familje ku prindërit dhe gjyshërit, pa dallim, merren me kultivimin e kanabisit për të cilin janë plotësisht të ndërgjegjshëm që është i paligjshëm e për rrjedhim i pamoralshëm, do të jenë në gjendje të kenë moralin ose përgjegjësinë t’u kërkojnë fëmijëve apo nipërve e mbesave të tyre që të kenë sjellje të shëndoshë në shoqëri apo t’i bindin e të shkojnë në shkollë duke u mbushur mendjen se e ardhmja e tyre varet shumë nga arsimi? Në parim e pamundur! Por e keqja nuk mbetet këtu. Ajo vazhdon si zinxhir. Do të bëjnë ata presion mbi fëmijët e tyre për të mos mbajtur armë, kur ajo u duhet për të ruajtur parcelën? Pra, përveç kultivimit të kanabisit, i riu hyn në tregun e zi të ndaluar të shitblerjes së armës dhe qarkullon me të duke marrë një rrugë totalisht jetëshkurtër për veten e tij dhe me bekimin e plotë të prindërve.

    Sigurisht, askush nuk është në gjendje të japë shifra ekzakte për raste të tilla ku tërë familja angazhohet në një veprimtari antiligjore, por ato duken se sa po vijnë e po rriten dhe me siguri janë shumë. Madje, edhe në mos qofshin masive në aktivitet, kanë dijeni se çfarë ndodh dhe nuk bëjnë asnjë përpjekje për ta ndaluar. Konkluzioni i vetëm dhe më i thjeshti mbetet se kultivimi i kanabisit ka dalë jashtë detyrave klasike të Policisë dhe po kthehet në një shkollë krimi. Në një kohë kur familja e tërë impenjohet në një aktivitet të tillë, problemi është social dhe para se të kthehet në karakteristikë dalluese të shoqërisë shqiptare, duhet të ndiqet edhe nga institucione të tjera. Kriza mbetet alarmante. Faktet janë sheshit.

    Ministri i Brendshëm u shpreh dhe dha prova se kultivimi i kanabisit ka rënie drastike, por problematika e fenomenit nuk matet kurrsesi vetëm me numrin e rrënjëve të shkulura, me rritjen e numrit të të arrestuarve, por sidomos me zhdukjen e përbërjes sociale familjare të atyre që merren me kultivim, pa llogaritur këtu porositësit trafikantë. Por këta nuk janë objekt i shkrimit.

    Ndaj edhe natyrshëm del edhe pyetja tjetër: Cila është forca që shtyn të moshuarit, gra e burra të merren me një aktivitet të njohur mirë prej tyre si antiligjor? Sepse në totalitetin e tij, mund të thuhet pa frikë se fenomeni antiligjor i kultivimit të kanabisit mbetet një aktivitet njëlloj i përhapur në të gjithë cepat e vendit, ku më shumë e ku më pak: veri, jug, lindje, perëndim, fushë, mal, tokë bujqësore, kopsht, tokë pa pronar.

    Përgjigjja e pyetjes mund të jetë edhe zgjidhja e problemit, por nuk është kaq e thjeshtë. Faktori ekonomik mbetet gjithmonë i qenësishëm, por jo i vetëm dhe jo më i rëndësishmi. Problemi duket qartësisht social si pjesë përbërëse e një shoqërie që po humbet gjithmonë e më shumë orientimin karshi vlerave të njohura mbi të cilat ndërtohet. Jemi në kushtet e një shoqërie, e cila mbetet viktimë e padrejtësive të përditshme, e mungesës së shanseve të barabarta si dhe e shumë e shumë padrejtësive sociale ku sidomos zonat rurale malore vuajnë izolimin për të qenë shumë larg gjithçkaje të përparuar. Një sociolog italian thotë: “Nuk është burgu ai që mund të sjellë në rrugë të drejtë një individ, por turpi që u fut në burg”. Dhe turpi duket se në vendin tonë është larguar në drejtim të paditur./Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Carovska premtoi se deri në fund të vitit 2024 do të rinovohen të gjitha konviktet shtetërore

    Lajmi i rradhës

    Teatër me Mig 29 si dikur treni si dikur treni ruso-kinez në Veri të Kosovës?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë