Flokët e thinjur të liderit

    Arlind Farizi / Fotografia: Rrromir Imami

    Arlind Farizi

    Qe thinjur, lodhur, hartë i qe bërë fytyra ku lehtë gjindej ekuatori i mërzisë së të qenit një lider. Lidhur keq me njëqind fije me politikën, lidhur me fatin e njerëzve që përfaqëson, lidhur me sytë xixë të votuesve që presin prej tij, sy që plot mëshirë shohin vende pune, poste, lirim prej burgu, udhë të shtruara me asfalt, ujësjellës, rrymë të lirë, ndihma sociale…, lidhur keq me mungesën e familjes, gruas dhe fëmijëve. Por kishte pranuar herët këtë fakt, këtë mall mungesash të mëdha për hir të një misioni që do përfundonte vetëm kur t’i cingronte kudreti…



    Qe thinjur, plakur edhe si moshë dhe si mendim. Dhe partia ngante tashmë me atë titanikun e madh që përpara e priste një copë e madhe akulli. Edhe ato pak muzikantë në formë analistësh të varur në degën e madhe finansiare partiake, e që mbanin gjallë artin e mpirjes së turmës e prisnin goditjen, humbjen, vdekjen e anijes politike e cila udhëtoi gjatë në detin e madh të trazuar shtyra nga erërat e ndryshimeve.

    Qe thinjur, plakur, lodhur, bënte rrathë tymi dhe mendonte. Pasaardhësi nuk ishte askund. Nuk kishte punuar për të gjetur një kipc vetës së tij. Pasardhësi nuk dukej, vetëm interesi në formë njeriu me kravatë që hapte derën e partisë dhe thoshte lider je i fortë, vetëm me ty e mundim shkaun.

    Qe thinjur, mërzitur, zhgënjyer, dintë mirëfilli se partia i që bërë një hambarë interesxhinjsh që shohin larg sa reketi i parë i shfaqur, dinte mirëfilli se partia e tij qe bërë shpatull ku qanin postekërkuesit e pameritë, ndërsa të merituarit janë ose të vdekur ose në burg, ose nuk vuajnë urie…

    Qe thinjur, inatosur, sapo kishte degjuar se një degë i qe këputur keq në mes, prej zhgënjimit. Qe thinjur, nervozuar, sapo kishte dëgjuar se një nëndegë merrte vendim kokë më vete. Qe thinjur, harlisur, kur para vetës shihte cmimore ushqimesh të gjata me metre të funskionarëve të tij.

    Qe thinjur, por nuk dorëhiqej, sepse nuk kishte pasardhës, e pasardhës nuk mund të ketë një njeri me mision…

    *Arlind Farizi është kolumnist i rregullt i Nistori.com. Shkrimi është shkruar në veçanti për Nistori.com. Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Bezhoska: Banka popullore pret që inflacioni të stabilizohet në 2023-shin

    Lajmi i rradhës

    Ndikimi i ilaçeve të gripit në shëndetin e zemrës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë