Fushatë politike, jo imitime të sforcuara

    GËZIM TUSHI 

    Në arealin politik dhe eterin mediatik ka pak kohë që krejt papritur, për shkaqe që jo domosdoshmërish lidhen në mënyrë ekzakte dhe të drejtpërdrejtë me zhvillimet në realitetin tonë social dhe politik, është ndezur një lloj debati më shumë metafizik, ekzibicional dhe tone të manierizmit politik, e cila ka përfshirë integralisht përmbajtjen dhe formën e fushatës sonë zgjedhore, e cila ka marrë një karakter të acaruar të një lloj konflagracioni ideologjik artificial dhe pa “lëndën adekuate” apo substancën e duhur justifikuese midis të majtës dhe të djathtës

    Padyshim, kjo metamorfozë e menjëhershme e ndryshimit të tipologjisë tradicionale të “duelit elektoral” është refleksion i zhvillimeve matanë Atlantikut dhe nën ndikimin e influencave ideologjike që kohët e fundit shfaqen më të kristalizuara pas zgjedhjeve në SHBA dhe fitores spektakolare të Presidentit Donald Trump. Natyrshëm që ky rrezatim që është me dimension global, është ndjerë fuqishëm edhe në terrenin e politikës shqiptare. Veçse pas kësaj dukjeje e reflektimit “koherent”, sipas mendimit tim shfaqet një sëmundje sociale e shoqëruar nga patologjia endemike e politikës shqiptare, e cila shumë herë vuan nga manierat e imitimit mekanik, të epigonizmit të sforcuar, artificial e qesharak, duke shfaqur fluktuacione të “rrëshqitshme” dhe epigonizma snobiste, pa qenë e stabilizuar brenda vetes, sovrane në orientimin me standardet ideologjike e doktrinare, duke shfaqur cektësi, nxitime dhe ide të interferuara nga influencat momentale apo fluktuacionet ideologjike korrente. Besoj se kjo patologji tradicionale politike është shkaku pse ndihet, besoj për arsye elektorale një spostim i thellë paradigmatik dhe kthim rotativ ideologjik mekanicist, spontan dhe i “idolatrizuar estetikisht” drejt manierave të ideologjisë konservatore, pa llogaritur terrenin tonë politik e kontekstual. E cila jo vetëm po shfaqet dukshëm, por po ndikon në prirjen e zgjerimit të debatit politik, shoqëruar me një proces elektoral ideologjikisht të akseleruar krejt i veçantë për këtë fushatë zgjedhore.

    Natyrshëm, kjo situatë është reflektuar mediatikisht, shoqëruar me një rikthim të bujshëm të tezave, herë me format “retro”, herë me bazament modern, të parimeve bazë të platformës konservatore politike, e cila në mënyrë evidente po bëhet faktor me influencë në jetën sociale dhe politike, jo vetëm në arealin tonë socio-politik, por edhe më gjerë duke u shfaqur si bazament teorik dhe elektoral i të djathtës. Duket që PD dhe aleatët e natyrshëm të saj e kanë evidentuar si “kredo politike” kryesore, madje duke kthyer atë në “kalin e betejës”, në prag fushatën elektorale të zgjedhjeve të 11 majit. Padyshim, afirmimi i politikave konservatore në planin politik, social, moral, qoftë në formatin e konservatorizmit klasik apo në variantin e neokonservatorizmit modern, konsiderimi si bazë për orientimin e politikave ekonomike e sociale, publike e private, është krejt normal të vlerësohet, si bazament konkurencial dhe elektoral i të djathtës shqiptare. Jo vetëm nuk jam kundra kësaj alternative, ashtu sikurse jam pro në thelb me parimet e njohura të demokracisë liberale. Por problemi nuk është kështu.

    Personalisht më shqetëson fakti se shpeshherë politika shqiptare nuk ka qenë e qetë, nuk i ka lejuar njerëzit që me gjak të ftohtë të gjykojnë për alternativat politike, të majta apo të djathta qofshin. Ngaqë në përplasjen e tyre politikisht alternative, ato marrin karakter herë doktrinar agresiv, si hakmarrje reciproke apo revansh ideologjik ndaj kundërshtarëve. Kjo strukturë dikotomikisht artificiale me kontroversa si qëllim në vetvete, ka qenë dhe mbetet për fat të keq, parim themelor. Më bën përshtypje, që këto ditë shumë politikanë, që flasin për orientimin neokonservator të së djathtës shqiptare, ndoshta për shkak të njohurive të cunguara historike e teorike, kanë ndërmarrë një sulm të dukshëm, të gjithanshëm ndaj platformave të së majtës, që është përgjithësisht e orientuar nga parimet e demokracisë dhe jo dogmatike. Konservatorët shqiptarë kanë marrë revansh dhe këtë fushatë ditirambike konservatore artificialisht dhe substancialisht e as kontekstualisht e lidhin me zhvillimet në SHBA, një fitore me vlera për konservatorizmin, por në mënyrë thelbësore që është e lidhur së pari me vullnetin dhe dëshirat politike dhe elektorale të popullit amerikan. Por çuditërisht dhe krejt papandehur dhe në mënyrë të paparashikuar, kjo fitore po tenton të sjell “llogore” ideologjike midis të majtës dhe të djathtës në Shqipëri.

    Një hendek, i cili normalisht kishte një dikotomi të arsyeshme, madje edhe sinore të interferuara për shumë probleme ekonomike, politike, zgjedhore, sociale etj.. Ka ca ditë, që palët politike (e majta dhe e djathta) i janë larguar shumë “pozicioneve klasike” të orientimeve respektive, duke i dhënë debatit ideologjik në mënyrë sempliste si mjet në luftën për pushtet, për vazhdim të fitores nga e majta (PS dhe aleatët e saj) apo kthimit në pushtet të së djathtës (PD dhe aleatëve të vet). Kjo situatë duket është shoqëruar me entuziazëm dhe sjellje elektorale, shpesh këmbëngulëse dhe agresive, duke interferuar mekanikisht, pa vlerësuar realitetet elektorale në Shqipëri, të cilat janë kontekstuale dhe nuk mund të përdoren duke qenë në lidhje mekanike me influencat dhe interferencat e “huaja”. Sidomos kjo influencë organike, duke ruajtur sensin e “masës” së konservatorizmit, mund të bëhet casus beli elektoral për të diskutuar pa parti-pris, me logjikë të ftohtë nevojat, kërkesat dhe imperativat dukshëm të ndjeshme dhe influente për përmirësimin e duhur të disa koncepteve e praktikave sociale “boshtore”, të cilat pastaj duhet të reflektohen në forcimin e “amortizatorëve të lëkundur” dhe funksionalitetin e strukturave themelore të jetës sociale, sikurse janë familja, martesa, shkolla, jeta morale individuale dhe sjelljet publike etj..

    Për fat të keq, si gjithnjë në raste të tilla synohet për qëllime të “aritmetikës elektorale”, që opinioni publik bëhet herë i njëanshëm, inkandeshent nga presioni momental për qëllime pragmatiste, shpesh shoqëruar me njohuri të cekëta, manierizëm, apo ekzibicion intelektual, duke e “bombarduar” opinionin në mënyrë të njëanshme. Këto ditë vala e një lloj “revanshi” ideologjik duket si një sulm i papërmbajtur mbi ata që konsiderohen si liberalë, përfaqësues të së majtës, duke i anatemuar si shkaktarë të vetëm të gjithë problemeve sociale të tranzicionit apo shqetësimeve ekzistenciale që kanë individi, struktura dhe funksionet e familjes, tipologjia dhe shqetësimet e martesës, realitetet e abortit, seksualitetit e të çdo fenomeni social. Veçse për një gjë duhet të jemi të sigurt, pavarësisht orientimit dhe ndarjes elektorale midis të majtës dhe të djathtës në Shqipëri, duhet pranuar se thelbi i përbashkët është shtrati i “demokracisë liberale”. Nuk është normale të krijojmë ide artificiale e metafizike, për ndryshimet midis të majtës dhe të djathtës, të cilat sado të jenë evidente, janë brenda konceptualitetit dhe principeve të ndryshme, por brenda kornizave të pranuara si alternative të modelit të “demokracisë liberale”. Dhe besoj se nuk ka ndonjë të marrë menç, që do mund të mendojë se nga kjo luftë në Shqipëri mund të preken themelet, parimet boshtore sikurse janë zgjedhjet e lira e të ndershme, sundimi i ligjit, ndarja e pushteteve, mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të shprehjes, të pakicave, grupimeve të ndryshme sociale, besimit fetar dhe pronës private. Në thelb të debatit, pas ideve sociologjikisht dhe ideologjikisht të qenësishme, por edhe bravurave të kota për të shfaqur epërsi ideore apo superioritet fals, përmes bumit të sloganeve të përdorura nga njerëz profesionistë apo nga ata që kanë mundur të “lexojnë vetëm një libër”, por që me kurajën se kanë pushtetin e dijes, nuk po kuptojnë se shpesh janë ideologjikisht eklektikë, eksentrikë, sociologjikisht të njëanshëm në raport me strukturën dhe nevojat e shoqërisë aktuale shqiptare.

    Unë besoj se debati duhet të jetë i ekuilibruar, me sens mase e seriozitet doktrinor, jo me ethet e synimit për pushtet politik apo personal. Sepse nëse fushata elektorale e këtij debati do kthehet në një betejë si qëllim në vetvete, ka rrezik që të anashkalohen disa gjëra themelore. Pyetjet që mund të shtrohen janë: ky debat i natyrshëm dhe logjik synon zgjerim të autoritarizmit social në dëm të lirive dhe të drejtave të individit, mbivlerësim të strukturave vendimmarrëse të jetës politike, shtetërore e sociale mbi individin, liritë integralisht humane, stastusin e mbrojtur e të pacenuar të jetës private? Dhe më në fund, do luftojmë të forcojmë karakterin liberal apo autoritarist të demokracisë? Kjo është një dilemë e madhe, një “gjyle topi” që është nëpër këmbët e politikës, të cilës ajo duhet t’i përgjigjet me argumente mbushamendëse, se cila është rruga e duhur. Por kjo nuk bëhet me “triumfalizëm”, karshillëk politik, shoqëruar me defiçenca intelektuale e teorike, as me qëndrime timide, duke u “fshehur prapa gishtit”. Debati është teorik dhe ideologjik dhe kërkon angazhimin publik të politologëve të partive politike, (nëse kanë të tillë brenda vetes), por jo sloganistë e militantë ordinerë, që përmendin slogane politike duke i recituar si papagall, duke vënë “mburoja imituese” teorike e praktike.

    Dy gjëra duhen kuptuar besoj, që kanë rëndësi për të ftohur “gjakrat ideologjikë”, për ta bërë betejën racionale, pragmatiste, të dobishme, të kuptueshme, të hapur, midis dy orientimeve themelore të së majtës dhe të djathtës në këtë fushatë elektorale, duke synuar të paraqesin para qytetarëve projektin politik për zhvillimin e vendit, ekonomisë, shoqërisë në katër vitet e ardhshme. Unë jam politolog dhe i kam ndjekur debatet e kohëve të fundit, përgjithësisht të bëra me njohuri të cunguara, shoqëruar me ide inkoherente e të pasakta, me reagime shpesh populiste dhe emocionale, për të cilat nuk ka nevojë politika, shoqëria, elektorati që do jetë vendimtar në zgjedhjet e 11 majit. Dhe e dyta, që nga koha e filozofit të madh Frencis Bekon, është pranuar paradigma se jo gjithnjë idhujt të ndihmojnë të gjesh rrugën e duhur, madje ndonjëherë ato të pengojnë të kuptosh të vërtetën. Do kisha dëshirë për të parë dhe dëgjuar shfaqjen e ekuilibruar të narrativave politike dhe elektorale alternative, që do zhvillohen me intensitet pikërisht tani, gjatë diskursit politik të këtyre muajve të prag fushatës.

    Qoftë midis të majtës dhe të djathtës apo ideologjive respektive: liberalizmit dhe konservatorizmit. Por nevoja është për një debat pa inate e agresivitet, pa xhelozi reciproke, nihilizëm politik. Ca më pak nëse kjo situatë degradon (sikurse duken shenjat) në një retorikë të fajësimit reciprok politik e doktrinar. Përtej parimeve thelbësore doktrinore dhe ontologjike (konservatore apo liberale), debati më shumë po shfaqet si mjet për të luajtur me sensibilitetet dhe për qëllime utilitarisht elektorale. Unë do ta vlerësoja këtë debat, imperativ, që e kërkon koha dhe që natyrshëm duhet të zhvillohet në fushatë, qoftë en block apo a la page, duke evidentuar para elektoratit jo beteja butaforike, që nuk shkojnë me natyrën e shoqërisë shqiptare që është në etapën postideologjike (një e vërtetë që duhet ta kuptojnë politikanët), por për të ravijëzuar politika, ndryshime ekonomike, sociale, strukturore për të përmirësuar jetën ekonomike, strukturat boshtore të jetës sociale, mirëqenien, duke sjellë premtime që kanë lidhje me forcimin e të mirës publike, mënyrat se si do bëhet shpërndarja e burimeve në këtë shoqëri, si gjëra që duhet të “zbatohen nga të gjithë” shqiptarët dhe që do të votohen nga shumica e elektoratit më 11 maj.

    Besoj që shqiptarët në këto momente presin debat politik të gjerë dhe konstruktiv pa bravura false apo me “instrumente” ndryshkura të sloganizmit politik primitiv. Në sociologjinë politike është e vërtetuar teza se politika që polarizohet si qëllim në vetvete, pa “materie” dhe lëndë të vërtetë politike, por me parulla, slogane, pozicione imitative dhe ekzibicione ideologjike, është një “lëndë elektorale” që bëhet politikisht toksike. Kjo metodë ushqen “injorancën elektorale”, amnezinë ideologjike, demagogjisë sociale. Shoqëria shqiptare në këto momente është në fazën e reflektimeve. Gjendje normale, e justifikueshme, e cila nuk ndihmohet me argumente të sforcuara apo me gjysmë të vërteta pasionante kalimtare, që mund të mos jenë shumë të lidhura me realitetin e vërtetë politik e social të shoqërisë tonë. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Aroma mbetet e njëjtë, por kafja në Ohër vazhdimisht po shtrenjtohet

    Lajmi i rradhës

    5 lëngje të pasura me hekur, që ndihmojnë në rritjen e hemoglobinës në mënyrë natyrale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë