Rroftë familja milionere e liderit!

    Bekim Fazliu
    Ish-deputet

    Lideri dhezte duhonin, e thellohej nën shtëllungat e tymit. Madje shpesh humbej në mendime të thella. Populli i kishte dhënë një barrë të rëndë, t’i udhëhiqte ata drejt ardhmërisë! E kjo nuk ishte barrë e lehtë.

    Kundështarët e tij nuk e linin rehat, thonin se përveç folklorit e këngëve që s’dinte as t’i këndonte si duhet, ai nuk ishte i aftë të bënte asgjë tjetër. Jo që këta zëra ia prishnin terezinë, por çuditej se përse ndjekësit e tij e lavdëronin se këndonte si ‘bilbil’. Ai i dinte aftësitë e tij. Dinakëria ishte kryesorja.

    Herë pas herë, me qëllim , para popullit lëshonte frazat: “Si t’dal prej qeverije, ku do shkoj”, ‘Nuk rri me horra’, ‘M’jepni shpatën’. E mediat me muaj të tërë analizonin se çfarë ka dashur të thotë e me kë e ka, duke e lënë të qetë të bënte punët e tij, për të cilat nuk dinte gjë askush. Madje kur nuk e kuptonin çfarë flet, thonin se “ai bën parashikime profetike, e mbas dhjetë vjetësh do i dalë fjala”. E kështu pa e ngacmuar askush seriozisht, në heshtje, për 20 vite, ky misionar “i thinjur nga hallet e popullit”, gjithmonë nën tymin e duhonit e tingujve të çiftelisë, punonte pa ndalë për gjeneratat e reja!

    E tani pas 20 viteve, populli më në fund po korr frytet e punës së palodhshme të liderit të vetëm që sakrifikoi jetën për ardhmërinë e Kombit. Sot me krenari lideri na shpalos të arriturat e tij:

    – Djali me biznese milioneshe
    – Nipërit me biznese milioneshe
    – Dhëndrri me biznese milionëshe….

    E kush ka më gojë ta shajë se është i paaftë e nuk di të bëjë asgjë. Ai ka rezultate të prekshme, ndërtesa, fabrika… Ai sakrifikoi jetën e tij që populli të bëhet milioner. Se edhe familjarët popull janë. A e dini sa e vështirë është t’i kënaqësh të gjithë në familje. Nëse një pjesë e popullit është e lumtur me milionat e fituar, ( edhe pse gojët e liga thonë që të gjithë janë familjarë apo bashkëpunëtorët e ngushtë të hajnisë së tij), edhe ne pjesa tjetër duhet të jemi të lumtur e t’i shkojmë pas me shpresën se mos na vjen radha për ndonjë punësim.

    Rroftë familja milionere e liderit!
    Rroftë populli i liderit!
    Rrofshim edhe ne…

    Të drejtat e botimit i kanë vetëm Nistori dhe autori. Qëndrimet e autorëve jo me domosdoshmëri pajtojnë me politikën redaktuese të portalit.

    Lajmi Paraprak

    Gjermania shqyrton dërgimin e trupave shtesë në Kosovë

    Lajmi i rradhës

    Kurti – Rama, mospajtime politike a inate personale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë