ANETA WOLTER
Gjermania ka formuar qeverinë e re. Shqipëria, në javët që vijnë, do gjendet përpara të njëjtit hap – një proces që do të përcaktojë drejtimin politik të vendit për vitet e ardhshme. Në këtë moment të rëndësishëm, vlen të kthejmë vështrimin nga Berlini. Jo për të imituar, por për të kuptuar si do përballohen krizat dhe, mbi të gjitha, si pranohen gabimet për të hapur rrugën e ndryshimeve.
Thelbi i programit të forcave që fituan në Gjermani mund te përmblidhet në tri boshte kryesore: ekonomia, mbrojtja, migracioni.
- Ekonomia: Një vetëdiagnostikim i pamëshirshëm
Gjermania ndodhet prej dy vitesh në recesion. Falimentime firmash në nivele rekord. Mungesë fuqie punëtore, megjithëse miliona janë të papunë. Çmimet e larta të energjisë, burokracia e fryrë dhe sistemi tatimor konsiderohen si “pengesa strukturore” në garën ndërkombëtare.
Qeveria e re ka zgjedhur të mos e fajësojë botën.
“Kjo krizë është Made in Germany,” deklaroi ministrja e re e Ekonomisë, znj. Reiche – një akt i rrallë i sinqeritetit politik që shënon gjithashtu një çlirim retorik: kur e pranon se problemi është i krijuar brenda vendit, hapet rruga për zgjidhje që vijnë po nga vetja.
Dhe konkretisht: shkurtimi i burokracisë si hap i parë për të çliruar potencialin ekonomik; ristrukturimi i energjisë si domosdoshmëri strategjike; riforcimi i tregtisë së jashtme si mjet për ndikim ndërkombëtar; investime në infrastrukturë permes fondit te vecante.
- Mbrojtja: Vendime të shpejta në kohë të paqarta
Për të garantuar rritjen e buxhetit të mbrojtjes në minimum 2% të PBB-së, qeveria veproi me shpejtësi: vendimi u mor ende pa u konstituar parlamenti i ri, përmes votës së parlamentit të vjetër. Kjo shmangu një bllokim të mundshem nga parlamenti i ri dhe i hapi rrugë investimeve të domosdoshme në sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare. Rruga është hapur edhe për një shërbim ushtarak (ende jo të detyrueshëm). Pritet zbatimi konkret i reformave dhe kontrolli i efektivitetit.
- Migracioni: Nga mirëseardhja te kthesa e madhe
Në fushën e migracionit, Gjermania ndryshon kurs në mënyrë rrënjësore: nga politika e mirëseardhjes e vitit 2015 drejt një politike kufizimi, me theks të veçantë në sigurinë kufitare.
Ministri i ri i brendshëm, Alexander Dobrindt, thirri menjehere ambasadorët e vendeve fqinje për t’i njoftuar për dyfishimin e forcave kufitare dhe një ndryshim të qartë të politikës:
“Duam të dërgojmë një sinjal të qartë në botë: politika gjermane e migracionit ka ndryshuar.”
Shkaku i kësaj kthese janë disa faktorë: Rritja e kërkesave për azil – mbi 250 mijë në vitin 2024, më shumë se dyfishi i vitit 2013.Dyfishimi i hyrjeve të paligjshme që nga viti 2018. Dëbimet e pamjaftueshme – për çdo të dëbuar 11 aplikime të reja. Migracioni si shqetësim kryesor i qytetarëve. Mbi 1.25 milion refugjatë nga Ukraina qe përfitojnë ndihmë ekonomike pa kushte. AfD-ja e cila përfiton politikisht, duke rritur tensionet dhe polarizimin.
Evropa dhe angazhimi gjerman
Vizitat e para të kancelarit Merz konturojnë një “bosht të ri evropian”, ku Gjermania bashkëpunon ngushte me Francën, Poloninë, dhe madje edhe me Britaninë e Madhe, për të siguruar një kontinent të fortë dhe të qëndrueshëm. Drejtimi është i qartë dhe i dukshem: Evropa e pret dhe mirëpret angazhimin e Gjermanisë.
Shqipëria: Koha e duhur për reflektim
Në prag të zgjedhjeve, Shqipëria ndodhet përballë të njëjtave pyetje thelbësore: A kemi guximin të pranojmë problemet pa justifikime? A jemi të gatshëm të ndryshojmë kursin përballë krizave që presin zgjidhje?
Përgjigjja nuk gjendet në kopjimin e Berlinit, por në frymën e tij: në sinqeritetin përballë realitetit, në vullnetin për reforma, dhe mbi të gjitha në vendosmërinë për ta marrë drejtimin e vendit në dorë – gje qe shpresoj ta bëjë edhe qeveria e re shqipëtare menjehere pas zgjedhjeve. /Panorama/