Gjykata e Luksemburgut rrëzon padinë e “Wizz Air” kundër Komisionit të BE-së

    Xhezair Zaganjori

    Rreth tri javë më parë, më 29 mars 2023, Gjykata e Përgjithshme e Bashkimit Europian dha një vendim interesant, që në thelb ka të bëjë me funksionimin e Tregut të Brendshëm, si një hapësirë pa kufij mes shteteve anëtare, brenda të cilit garantohet lëvizja e lirë e mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitaleve.

    Duke rrëzuar në tërësi kërkesën e paraqitur nga “Wizz Air” / Hungari kundër Komisionit të Bashkimit Europioan, ajo vuri qartësisht në dukje se Ndihma Shtetërore e dhënë nga Rumania për shoqërinë e saj ajrore “Blue Air”, është në përputhje me Traktatin mbi Funksionimin e Bashkimit Europian, ashtu siç kishte vlerësuar më parë edhe vetë Komisioni.

    Le ta shohim këtë problem disi më gjerë, bazuar në të drejtën e Bashkimit Europian: Ndihma shtetërore është një përfitim apo avantazh që një shtet anëtar në BE, në kushte dhe për arsye të caktuara, i jep një individi apo shoqërie tregtare publike ose private, të regjistruar në territorin e tij. Në shumicën e rasteve ndihma jepet në para. Megjithatë, ajo mund të shfaqet edhe në forma të tjera, si: dhënia me kushte favorizuese e një kredie, të një sipërfaqe toke apo të një ndërtese; përjashtimi nga taksat; zhdëmtimi në rastet e humbjeve që vijnë për shkaqe të caktuara; reduktimi i kontributit për sigurimet shoqërore; e të tjerë.

    Kjo do të thotë se me marrjen e këtij përfitimi, subjekti apo shoqëria në fjalë, në mënyrë të hapur apo të tërthortë, siguron njëkohësisht edhe një avantazh të rëndësishëm ndaj konkurrentëve të tij të drejtpërdrejtë jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe në hapësirën e Tregut të Brendshëm të BE-së. Pikërisht për këtë arsye, Ndihma Shtetërore duhet të jetë në përputhje me rregullat e konkurrencës së lirë, si një kusht thelbësor për garantimin e zhvillimin e një ekonomie tregu. Kjo është arsyeja që dispozitat që rregullojnë dhënien e kësaj ndihme i gjejmë në kreun I të Titullit VII – të Traktatit mbi Funksionimin e BE-së (TrFBE), me titull “Rregullat për Konkurrencën” (Nenet 107 – 109). Konkretisht, paragrafi i dytë i Nenit 107 parashikon tri rastet kryesore, në të cilat Ndihma Shtetërore do të konsiderohej si në përputhje me rregullat e Tregut të Brendshëm, që janë:

    a) Kur ndihma ka karakter social, me kushtin që ajo t’u jepet konsumatorëve individualë pa diskriminim;

    b) Kur ndihma jepet si kompensim për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësi natyrore apo ngjarje të jashtëzakonshme; dhe

    c) Ndihma e dhënë nga RF Gjermane për zhvillimin ekonomik të ish-Gjermanisë Lindore, në kuadër të ribashkimit (ky parashikim është shfuqizuar tashmë). Ndërkaq, në paragrafin e tretë të po këtij Neni (pra, Nenit 107), parashikohen pesë situata të ndryshme, në të cilat mund të konsiderohet gjithashtu që Ndihma Shtetërore do të ishte në përputhje me Tregun e Brendshëm.

    Këto janë rastet kur ndihma jepet:

    a) Për nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe uljen e papunësisë në zona të caktuara të vendit;

    b) Për zbatimin e një projekti të rëndësishëm me interes të përbashkët europian ose normalizimin e situatës së rëndë ekonomike të një Shteti Anëtar;

    c) Për lehtësimin e disa aktiviteteve të caktuara ekonomike brenda vendit, me kushtin që ato të mos jenë në kundërshtim me interesin e përbashkët;

    d) Për ruajtjen dhe nxitjen e kulturës dhe trashëgimisë kulturore të Shtetit Anëtar, pa cenuar kushtet e tregtimit dhe të konkurrencës në BE; dhe e) Për të mbështetur veprimtari ekonomike të rëndësisë së veçantë për Shtetin Anëtar, pasi të jetë marrë më parë për këtë qëllim një vendim i veçantë nga ana e Këshillit të BE-së, i cili vepron në këtë rast në bazë të propozimit të bërë nga Komisioni.

    Duhet theksuar se sipas paragrafit të tretë të Nenit 108 të TrFBE, Shteti Anëtar që akordon Ndihmën Shtetërore duhet të njoftojë në çdo rast Komisionin e Bashkimit Europian. Përjashtimisht, në raste urgjente, njoftimi mund të bëhet edhe pasi ndihma të ketë filluar të jepet. Megjithatë, në çdo rast, vendimi i Komisionit që do ta konsideronte në rastin konkret Ndihmën Shtetërore si në kundërshtim me dispozitat e mësipërme, e detyron Shtetin Anëtar ta ndërpresë apo ta ndryshojë atë, brenda një afati të caktuar.

    Nga ana tjetër, brenda dy muajve nga botimi në gazetën zyrtare të BE-së të vendimit respektiv të Komisionit, Shteti Anëtar, përfituesit e Ndihmës Shtetërore apo Konkurrentët e tyre në Tregun e Brendshëm të BE-së, kanë të drejtë t’i drejtohen me Padi për Anulim Gjykatës së Përgjithshme të Bashkimit Europian, bazuar në Nenin 263 të TrFBE. Quhet padi për anulim pasi përmes saj kërkohet anulimi apo ndryshimi i një akti të caktuar të BE-së, që në rastin konkret është vendimi respektiv i Komisionit për miratimin e Ndihmës Shtetërore, i cili mendohet nga kërkuesi “Wizz Air” se është në kundërshtim me Traktatet e Bashkimit Europian.

    Kriteret e dhënies së Ndihmës Shtetërore duhen respektuar edhe nga shtetet që janë në procesin e anëtarësimit në BE. Për këtë arsye, një detyrim të tillë e gjejmë edhe në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit që Shqipëria ka përfunduar me Bashkimin Europian, konkretisht në Nenin 71 të saj, me titull “Konkurrenca dhe dispozita të tjera ekonomike”. Ndër të tjera, në pikën pesë të kësaj dispozite thuhet shprehimisht se secila palë merr përsipër “…të garantojë transparencë në fushën e Ndihmës Shtetërore, duke i paraqitur palës tjetër një raport të rregullt vjetor, si dhe duke respektuar metodologjinë dhe standardet … mbi Ndihmën Shtetërore…”.

    Për t’u kthyer në rastin konkret të shqyrtuar nga Gjykata, theksojmë se në vitin 2020, Rumania i dha kompanisë ajrore rumune “Blue Air” një Ndihmë Shtetërore prej 62 milionë e 130 mijë euro, prej të cilave 28 milionë e 290 mijë euro për të mbuluar një pjesë të dëmit të pësuar nga kjo kompani për shkak të anulimeve të shumta dhe riplanifikimit të fluturimeve gjatë periudhës mars – qershor 2020 për shkak të Pandemisë Covid – 19, ndërsa pjesa tjetër prej 33 milionë e 840 mijë euro, si kredi për të mbuluar pjesërisht nevojat urgjente për likuiditet, imponuar nga humbjet e shumta po për shkak të kësaj Pandemie.

    Qeveria rumune njoftoi për këtë qëllim Komisionin Europian më datë 18 gusht 2020, ndërsa dy ditë më vonë, më 20 gusht 2020, Komisioni mori vendim të veçantë, duke i konsideruar të dy shumat e mësipërme të dhëna si Ndihmë Shtetërore, në përputhje me Tregun e Brendshëm të BE-së. Për shumën e parë, Komisioni iu referua Nenit 107/ 2/b TrFBE (ndihma si kompensim për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësi natyrore apo ngjarje të jashtëzakonshme), ndërsa për shumën e dytë ai iu referua Nenit 107/ 3/c (ndihmë për lehtësimin e disa aktiviteteve të caktuara ekonomike brenda vendit) si dhe Udhëzimit të Komisionit të vitit 2014 mbi Ndihmën Shtetërore për Shpëtimin dhe Ristrukturimin e Sipërmarrjeve në Vështirësi.

    Duke mos qenë dakord me këtë vlerësim të Komisionit, “Wizz Air” Hungari iu drejtua me padi për anulim Gjykatës së Përgjithshme, me pretendimin se vendimi i mësipërm i tij binte në kundërshtim me të drejtën e BE-së, pasi cenonte rëndë konkurrencën e lirë në fushën e transportit ajror me kosto të ulët. Sipas kërkesës së “Wizz Air”, në të dy elementët e kësaj Ndihme Shtetërore, Komisioni kishte keqinterpretuar respektivisht Nenet 107/2/ b dhe 107/3/c të TrFBE, ndaj vendimi i tij i datës 20 gusht 2020 duhej anuluar. Në vendimin e saj të datës 29 mars 2023, Gjykata e Përgjithshme i rrezon të dy pretendimet e “Wizz Air” kundër vendimit të mësipërm të Komisionit.

    Sa i takon kompensimit për dëmet e pësuara, Gjykata ndalet në fillim në pretendimin e kërkuesit “Wizz Air” se Komisioni ka zbatuar keq Nenin 107/2/b, pasi ndër të tjera ka zmadhuar shumë dëmin e pretenduar nga “Blue Air” për shkak të anulimeve dhe kufizimit të fluturimeve në periudhën mars – qershor 2020. Gjykata vë në dukje me këtë rast se Neni 107/2/b i TrFBE zbatohet vetëm atëherë kur ka humbje ekonomike të shkaktuara drejtpërsëdrejti nga fatkeqësi natyrore ose ngjarje të jashtëzakonshme. Kjo do të thotë se ndihma që tejkalon humbjet e tjera të pësuara në tërësi nga përfituesi, nuk mbulohet nga kjo dispozitë.

    Prandaj duhet vlerësuar realisht shkaku i dëmit, për të cilin u dha ndihma, si dhe nëse në dëmet e pretenduara nga “Blue Air” janë përfshirë edhe ato të shkaktuara për shkak të problemeve të mëparshme të kësaj Kompanie. Bazuar në këto standarde, Gjykata vlerëson se Komisioni nuk ka mbivlerësuar dëmet e pësuara për periudhën e dhënë (mars – qershor 2020) nga “Blue Air” për shkak të pandemisë. Gjykata sqaron se Komisioni ka krahasuar me kujdes për këtë qëllim situacionet financiare të “Blue Air”, si dhe parashikimet buxhetore të periudhës mars–qershor 2020. Mbi këtë bazë, Komisioni ka pasur gjithashtu parasysh edhe vështirësitë financiare të Kompanisë para kësaj periudhe, duke i pasqyruar qartësisht në dokumentacionin e tij (Komisionit), por duke mos i llogaritur ato si pjesë e humbjeve të pretenduara të saj.

    Për këto arsye, Gjykata konkludon se përllogaritja nga Komisioni i humbjeve të Kompanisë që duhej të mbuloheshin nga Ndihma Shtetërore është bërë vetëm për anulimet dhe kufizimit të fluturimeve të shkaktuara gjatë kësaj periudhe nga Pandemia Covid – 19. Gjykata rrëzon gjithashtu edhe pretendimin e dytë të kërkuesit “Wizz Air” për keqzbatim nga Komisioni të Nenit 107/ 3/c të TrFBE dhe Udhëzimit të Komisionit të vitit 214 mbi Ndihmën Shtetërore lidhur me Shpëtimin dhe Ristrukturimin e Sipërmarrjeve në Vështirësi.

    Gjykata thekson me këtë rast se Udhëzimi në fjalë kërkon qartësisht që Ndihma Shtetërore që jepet në këto raste duhet të synojë realisht një objektiv me Interes të Përbashkët, që do të thotë se synimi i saj duhet të jetë kapërcimi i një vështirësie sociale serioze apo i problemeve madhore të tregut. Sipas Gjykatës, kjo ndodh veçanërisht në rastet kur ekziston rrezik real për të cenuar seriozisht një shërbim tepër të rëndësishëm për njerëzit, gjë që do ta bënte edhe subjektin konkurrues (në rastin konkret “Wizz Air”) të mos e lakmonte aspak pozitën e vështirë, në të cilën ndodhej përfituesi i ndihmës (në rastin konkret “Blue Air”).

    Më tej, Gjykata pajtohet me vlerësimin e Komisionit mbi rëndësinë e shërbimit të ofruar për qytetarët nga “Blue Air”, duke vënë në dukje se kjo kompani garanton një pjesë esenciale të transportit ajror në Rumani.

    Për këtë arsye, “Blue Air” konsiderohet të jetë një operator shumë i rëndësishëm si për rrugët ajrore kombëtare, ashtu edhe për rrugët ajrore ndërkombëtare, duke pasur si target kryesor të saj dy kategori specifike pasagjerësh që udhëtojnë shumë në rrugët ajrore me kosto të ulët, konkretisht:

    a) Sipërmarrësit e vegjël lokalë, si dhe

    b) Komunitetin rumun që jeton jashtë vendit. Sipas Gjykatës, rëndësia e shërbimit ajror të kompanisë “Blue Air” është vështirë të kundërshtohet, pasi kompanitë e tjera low – cost janë shumë pak ose nuk janë aspak të pranishme në shumicën e linjave ajrore që mbulohen prej saj (pra, nga “Blue Air”).

    Kjo situatë bën që Blue Air të zotërojë faktikisht një treg të fluturimeve ajrore që nuk shfrytëzohet nga kompanitë e tjera low-cost. Mbi këtë bazë, Gjykata e Përgjithshme arrin në përfundimin se edhe për çështjen e dytë, pretendimet e “Wizz Air” duhet të rrëzohen, pasi Komisioni i BE-së kishte të drejtë kur vlerësonte në vendimin e tij se në rast të daljes nga tregu të kompanisë “Blue Air”, do të cenohej shumë shërbimi rumun i transportit ajror për një numër të konsiderueshëm pasagjerësh specifikë.

    Në këto kushte, vlerësohet se edhe shuma e dytë e akorduar nga Rumania për “Blue Air” ishte në përputhje me të drejtën e BEsë, pasi synonte mbrojtjen e një interesi të përbashkët, ashtu siç kërkon Neni 107/3/ c i TrFBE. Duhet theksuar së fundi se gjatë Pandemisë-Covid 19, edhe shumë Shtete të tjera Anëtare në BE, bazuar në dispozitat e mësipërme të TrFBE, u kanë akorduar Ndihmë Shtetërore kompanive të ndryshme ajrore të regjistruara në territorin e tyre. Mjafton të përmendim këtu se thuajse për të njëjtën periudhë për të cilën u mbështet nga Rumania financiarisht “Blue Air”, Gjermania i dha Ndihmë Shtetërore prej rreth nëntë miliardë euro Kompanisë së njohur ajrore “Lufthansa”.

    Por është interesant të vihet në dukje se në vendimin që mori Komisioni i BE-së për këtë rast, si bazë ligjore nuk u referua pika c) e Nenit 107/3, ashtu siç është vepruar më sipër, por pika b) e kësaj dispozite, që do të thotë se ndihma i është dhënë “Lufthansës” për shkak të nevojës së “…normalizimit të situatës së rëndë ekonomike…”. Sidoqoftë, për këtë rast nuk ka pasur asnjë pretendim drejtuar Gjykatës së Luksemburgut nga konkurrentët e kësaj kompanie.

    Lajmi Paraprak

    Ana negative e romaneve dhe filmave që merren me ngrohjen globale

    Lajmi i rradhës

    Spitali i Kumanovës mbetet pa asnjë autoambulancë, pas aksidentit të mbrëmshëm

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë