Pas qëndrimeve të zbehta, mesazhet amerikane…

    Leonidha Mërtiri

    I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, zëvendësndihmëssekretari i Shtetit, Gabriel Escobar, theksoi këto ditë në Prishtinë “perspektivën amerikane”, teksa u ndal në përkrahjen që SHBA i jep Kosovës për pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e saj. Sipas tij, për Kosovën dhe rajonin, SHBA-ja sheh mundësi të jashtëzakonshme, ndaj ajo inkurajon qeverisje të mirë të këtyre vendeve, luftën kundër korrupsionit, që është prioriteti më i rëndësishëm i administratës amerikane, për sundimin e ligjit, zhvillimin e demokracisë. Sikurse kërkon që dhe të gjitha palët ta shohin Ballkanin Perëndimor si anëtar potencial.

    Kjo “perspektivë amerikane” vjen nga qëndrimi i njohur i Presidentit amerikan, Joe Biden, i përfshirë prej kohësh në problemet e Ballkanit, para marrjes së detyrës së Presidentit. Një vit më parë, pasi ai uron për festat Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në letrën që i dërgon atij me këtë rast, publikuar kjo në faqen zyrtare të Presidencës serbe, inkurajon, krahas realizimit të reformave të nevojshme, “arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën”, e cila përqendrohet në njohjen e ndërsjellë. Në këtë mesazh urimi, Presidenti Vuçiç, njohjen reciproke midis dy vendeve e interpretoi si “politikë të re amerikane”, duke pranuar ndërkohë se “…gjithë iniciativa e politikës së jashtme amerikane do të shkojë në drejtim të arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi”.

    Në Kosovë, mesazhet e kësaj letre u kuptuan qartë. Ato u vlerësuan me të drejtë si garanci, se integriteti territorial i saj nuk ishte në shitje dhe nuk negociohej. Të dyja vendet e nisën dialogun midis tyre njëmbëdhjetë vjet më parë nën kujdesin e Bashkimit Europian. Rrugëtimi i tij ka qenë përmes pauzash dhe zigzageve të vazhdueshme, me nënshkrim dokumentesh dhe mosrealizim të tyre, me pretekste të Beogradit për të mos arritur te marrëveshja përfundimtare. Prandaj dhe katër ditë më parë zyrtari i lartë amerikan, Gabriel Escobar, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të zbatojnë plotësisht marrëveshjet dhe zotimet e dhëna në Bruksel, duke kërkuar fleksibilitet, kreativitet dhe në disa raste, kompromis.

    Dialogu i deritanishëm, pavarësisht atyre anëve pozitive të njohura, jo rrallë dukej si për të shkuar radhën e thjesht që Bashkimi Europian të justifikonte premtimet e veta, ngritur më shumë në truall të paqëndrueshëm. Thjesht që përfaqësuesit e të dyja palëve, Kosovë-Serbi, të ishin në Bruksel, përballë njëri-tjetrit dhe në prani të ndërkombëtarëve. Aq më keq, kur përfaqësues të BE-së, dashur, pa dashur kanë nxitur indiferencën dhe përkëdhelur qëndrimet serbe, në vend të vendosmërisë, që platforma e këtij dialogu të stërzgjatur e hequr zvarrë të ishte më e qartë dhe jo “hiq e mos e këput”. Madje, disa analistë këtë lloj vëmendje dhe qëndrim të zbehtë të Bashkimit Europian ndaj këtij dialogu e kanë parë si të kushtëzuar nga qëndrimi rus, duke e ndrydhur dhe plogështuar të parin. Me “perspektivën amerikane”, SHBA, sikurse vërehet, është e vendosur në nxitjen, vënien më mirë në lëvizje të të gjitha “ingranazheve”, deri tani të ngadaltë të partnerëve europianë, siç është edhe procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian.

    Ajo kërkon progres duke u investuar realisht si mbështetje e fuqishme e BE-së dhe jo secili thjesht në shtëpinë e vet, por në angazhim të përbashkët, në të njëjtën linjë, me synime tashmë më të kthjellëta. Pritet që kjo marrëdhënie midis tyre të pasurohet dhe fuqizohet. Konkretizimi i saj mendojmë se ndien nevojën edhe të përdorimit të së mirënjohurës “carrot and stick” (karota dhe shkopi”, krahas gjuhës dhe veprimeve të nevojshme diplomatike. Që tensionet ballkanike të shkojnë drejt sfumimit e jo të rrinë me veshët ngritur, duke ndenjur mbi gjuajtësit dhe tanket ruse, si në Beograd, motivuar kjo me “mbështetjen e tërësisë territoriale të Serbisë”, e lidhur gjithashtu me qëllimet e saj gjeopolitike.

    Pra, sikurse shihet, rajoni ynë është tashmë në prioritetet rajonale të administratës amerikane dhe së bashku me Bashkimin Europian t’i kontribuojnë këtij synimi, por dhe të zbehin në të, sidomos ndikimin rus. Edhe emërimi i njohësve të thellë të Ballkanit, si ai i Escobarit-i ngarkuar i posaçëm për këtë rajon apo i ambasadorëve të tjerë amerikanë, të mirënjohur në qarqet diplomatike, me rezidencë në Beograd, Prishtinë dhe Sarajevë, i përgjigjet interesimit amerikan, për të cilin folëm. Angazhimi i ndërmarrë nga SHBA-ja, si mbështetës jetik i BE-së, forcon në të njëjtën kohë besimin, pa qenë euforikë dhe rrit shpresat e njerëzve në rajonin tonë, që me përpjekje të përbashkëta ta kthejnë atë në vend të normalizimit të marrëdhënieve midis shteteve të tij, drejt integrimit europian.

    Lajmi Paraprak

    Shpenzimet e larta të deputetëve të Kosovës, por cilat janë kompensimet që u takojnë sipas ligjit

    Lajmi i rradhës

    Enciklopedia e të vdekurve (një jetë e tërë)

    Lajme tjera

    Bedria dhe Kurbeti

    Monika Stafa Kur sapo kishte hapur një faqe të saj në rrjetet sociale, ndoshta për të shtyrë kohën…
    Më tepër

    Pacientja serbe

    MIMOZA DAJÇI Të punuarit në spital të jep mundësi të jesh në kontakt me individë të ndryshëm, amerikanë…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë