Hije dhe dritë mbi procesin zgjedhor në PD

    SAMI NEZA

    Partia Demokratike është në përmbyllje të një procesi zgjedhjesh të brendshme, të cilat mund të stabilizojnë forumet e saj që priten të dalin nga kongresi, por ndërkohë nuk ia kanë dalë të sigurojnë atë që njerëzit e Bashës në parti e konsiderojnë bashkim. Në një sistem të organizuar dhe mjaft efektiv në rrjete sociale, një numër anëtarësh të PD-së apo edhe drejtues të strukturave të vogla të kësaj partie janë ankuar për zgjedhje të njëanshme përmes formave të ndryshme si mosnjoftimi, refuzimi për të qenë në garë dhe nxjerrja jashtë listave. Më pas, këta zëra janë zgjatur nga drejtues degësh lokalem që ishin emëruar më herët nga Basha dhe në vijim nga një pjesë e grupit parlamentar drejtuar nga kryetari i këtij grupi, Enkelejd Alibeaj, dhe në hije Lulzim Basha.

    Gjithë kjo zhurmë nuk është pa gjë, pavarësisht se Komisioni i Rithemelimit, që aktualisht drejton PD, i ka hedhur poshtë në shumicën e rasteve, duke mohuar se ky nuk ishte trend, ndërsa ka treguar gatishmëri për të bërë audit apo përsëritur zgjedhjet në ato organizata ku shkeljet vërtetoheshin apo ishin flagrante.

    Por çfarë ndodhi realisht me zgjedhjet e brendshme në PD edhe pse ende kanë mbetur edhe pak organizata pa i përfunduar ato.

    Në një linjë nga lart-poshtë, grupi që mbështeti Bashën në përballje me foltoren, pra, ish-sekretarë, deputetë dhe disa anëtarë kryesie nxitën përkrahësit e tyre në bazë që të mos përfshihen në proces, i cili ishte tërësisht iniciativë e Rithemelimit si një vendim i marrë në Kuvendin e 11 dhjetorit, vendimet e të cilit janë aktualisht të vetmet vendime legjitime dhe drejtojnë PD-në. Kjo u ndie më shumë atje ku numri i përkrahësve të Bashës ishte i madh, çfarë detyroi strukturat e foltores që të shtynin zgjedhjet.

    Ndërkohë që atje ku numri i tyre ishte i vogël, ankesat për mospërfshirje ngjitën shpejt tek opinioni, duke bërë të besojnë se ka një garë me votë, por përgjatë garës ka edhe diskriminim.

    Përmes procesit të refuzuar nga “Basha” u mbajt gjallë presioni për Rithemelimin për të negociuar kryetarët e degëve apo strukturave të tjera më të vogla, ndërsa në selinë e PD-së u ruajt ende ideja se PD nuk është në duart e Rithemelimit dhe se bashkimi i PD nuk shkon përmes vullnetit të dominuar nga shumica, por përmes ndarjes së pushtetit tani edhe më vonë mes ‘Bashës’ dhe Rithemelimit, ose ndryshe mes ‘Bashës’ dhe Berishës.

    Ndërkohë nga krahu i Rithemelimit, ristrukturimi i partisë kishte nisur që pas zgjedhjeve të 6 marsit, duke pasur parasysh se në struktura ishte shumica e anëtarëve mbështetës të foltores, provuar kjo jo vetëm me Kuvendin apo referendumin për shkarkimin e Bashës, por edhe me zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.

    Nuk ka ndonjë hamendje të madhe rreth faktit se foltorja synonte të merrte drejtimin mundësisht të sa më shumë strukturave të vogla apo ato në degë duke pasur parasysh se një pjesë e tyre do të jenë edhe delegatët e kuvendit të ardhshëm të PD-së, kuvend që zgjedh Këshillin Kombëtar dhe më pas edhe kryesinë, përfshirë edhe struktura të tjera të organizimit të PD-së.

    Rithemelimi besoj se ka qenë koshient në lidhje me rezistencën e selisë ose siç e thërrisnin deri para vendimit të Gjykatës të Tiranës, ‘grupi i vulës’. Prandaj, pavarësisht debatit në selinë e PD-së, brenda grupit parlamentar dhe apelimit në Gjykatë të vendimit për njohjen e Kuvendit të 11 dhjetorit vijoi zgjedhjet në bazë, të cilat, siç thamë më sipër, kishin nisur që para daljes së atij vendimi.

    Drejtuesit e foltores kanë shtyrë në jo pak raste mbështetës të Bashës, por ka raportime që në disa raste edhe anëtarë të PD-Së të paafiluar, por edhe mbështetës të foltores, të mos jenë lajmëruar për zgjedhje. Duket se kjo ka ndodhur në ato raste kur strukturat e vogla drejtoheshin nga ‘Basha’ dhe ‘kolaudimi’ i listave ka qenë vështirë të bëhet për shkak të bojkotimit të procesit nga ata vetë. Në këto kushte, ‘foltorja’ e vogël ka prishur gardhin.

    ‘Foltorja’ nuk ka qenë e interesuar që në nivele të grupseksionit apo degëve të kishte problem që mund të hapnin një debat publik. Brenda mundësive të tyre dhe kur pjesa më e madhe e kryetarëve lokalë kanë qenë të emëruar nga Basha apo mbështetës të tij, ka qenë e vështirë të kryhet një proces pa gabime dhe pa hatërmbetje. Edhe Rithemelimi e ka pasur të pamundur të evitojë shkarkesat e grupit të Bashës mbi procesin për shkak se në selinë e PD-së, grupi i Bashës ia ka dalë të mbajë gjallë konfliktin mes dy palëve, duke kërcënuar se konfliktin do ta mbajë po kaq të hapur edhe në bazën e partisë, pra, anëtarësinë e saj dhe strukturat e vogla.

    Po cili është produkti afatgjatë i debatit përgjatë zgjedhjeve dhe ristrukturimit dhe në fakt a do të ketë një produkt afatgjatë që mund të ndikojë partinë në muajt në vijim?

    Debatet për mungesë lirie dhe tjetërsim vote përmes listave të padrejta brenda një partie mund të sheshohen përmes auditit të premtuar nëse dikush e kërkon atë. Ato mund të mos kenë një ndikim të madh në anëtarësi, por ndërkohë mund infektojnë partinë me lobingje, të cilat krijojnë kasta të palëkundshme brenda saj. Edhe në këto zgjedhje kishte rikthime të papritura në bazë, jo për shkak të ndonjë merite apo të nevojës së strukturave për t’i pasur sërish ata në krye, por për shkak të këtyre gabimeve apo lidhjeve të pashëndetshme që krijohen në parti politike kur ajo ndodhet në situatë jo fort normale.

    Edukimi për votën është më i rëndësishëm për një parti politike sesa edukimi për platformën apo për programin. PD është një parti që e ka vuajtur shumë këtë lloj edukimi. Mjafton të rikthehesh më pak se një vit pas në Kuvendin e PD-së në korrik 2021 të konsiderosh se si delegatët as nuk e panë, as nuk e gjykuan, as nuk e tretën për një çast të vetëm ndryshimet në statut që e kthenin kryetarin e tyre humbës në dy zgjedhje parlamentare në mbretin e partisë. Diçka shumë më poshtë se standardi i demokratëve në Kuvendet e tyre në vitet 1994, 1996, por edhe më vonë. Në ndeshjen brenda vetes raporti me votën e bën partinë të shkojë drejt strukturave drejtuese të besueshme dhe të forta apo drejt strukturave të molepsura dhe lehtësisht të degradueshme.

    Problemet gjatë zgjedhjeve në PD nuk e kanë bashkuar partinë. Po ashtu, ato as nuk e kanë hapur partinë. Bile ky pretendim i fundit duket shumë absurd në kushtet kur brenda vetë partisë ka një konflikt. Në këtë ambient palët priren të shkojnë drejt vetes më shumë se drejt të tjerëve.

    Por, ama, kanë fiksuar një adresë për bashkim, një adresë shumë më të besueshme se ajo që ishte para 11 dhjetorit të 2021. Strukturat e reja nuk kanë fituar besimin e njerëzve të Bashës në bazë, gjë që mund të ndiqet edhe nga votues gri. Megjithatë, procesi ka një shans që të mos prodhojë rrjedhë të elektoratit dhe PD të mos shihet si fortesë për militantët e saj. Strukturat e larta të saj mund të kompensojnë këtë problem përmes hapjes së fortë që mungoi gjatë procesit në bazë. PD është nga ato parti, ku shumica e anëtarësisë u ngrit kundër kryetarit të saj, pavarësisht larmisë së motiveve. Kjo është dëshmi jo e vogël për të krijuar besim tek ajo aq sa i takon fazës ku tashmë ka hyrë partia. /Panorama/

    Lajmi Paraprak

    Identiteti PS dhe PD

    Lajmi i rradhës

    Hapat e duhur kundër Artritit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë