NJË PANDEMI E ÇRREGULLIMEVE MENDORE

    RITRAUMATIZIMI I SHOQËRISË SERBE

    Në fund të janarit, Shoqata Serbe e Psikologëve (DPS) lëshoi një deklaratë përmes së cilës paralajmëronte për përkeqësimin e gjendjes së shëndetit mendor të njerëzve, duke e përshkruar situatën aktuale si “një pandemi e çrregullimeve mendore”, rezultat të “një reagimi normal ndaj rrethanave jonormale”.

    Deklarata gjithashtu shërbeu si thirrje për “përgjegjësi sociale dhe personale” nga vendimmarrësit që ndikojnë në jetët e të tjerëve. Gati një muaji që prej publikimit të deklaratës, nuk ka pasur asnjë reagim nga institucionet.

    Deklarata thekson se ndarssitë ekzistuese shoqërore kanë çuar në këtë situatë alarmante, ndasi këto, të cilat janë përkeqësuar nga “zhvlerësimi i vlerave morale dhe kulturore, shkatërrimi i cilësisë së arsimit dhe fenomene tjera negative”, përfshirë edhe një diskurs publik që “promovon dhe thellon antagonizmin dhe mostolerancën”.

    Profesorja Tamara Džamonja Ignjatović, kryetare e DPS-së dhe nënshkruese e deklaratës, thotë se shkaku i gjendjes së tanishme në shoqëri nuk është gjendet vetëm tek pandemia, por edhe te fakti shoqëria serbe ka qenë thellësisht e traumatizuar me dekada të tëra.

    Psikoterapistja Marija Živković pajtohet me këtë dhe thekson se as edhe një gjeneratë e vetme në Serbi nuk u kursye nga ndojë lloj traume e rëndë. “Në vetvete, pandemia është një situatë traumatike, por ajo gjithashtu pati efektin e ri-traumatizimit të njerëzve”, tha Živković.  

    Duke shpërndarë panik

    Informacionet kundërthënëse prej zyrtarëve publikë dhe mjekëve nëpër media, sipas Džamonja Ignjatović, e kanë rritur panikun që vinte nga pandemia.

    Në shkurt të vitit 2020, gjatë vizitës në Presidencën e Serbisë, pulmologu Branimir Nestorović tha se ai “nuk mund ta besojë se një komb që ka vuajtur nga sanksionet, bombardimet dhe të gjitha llojet e keqtrajtimit, do të ketë frikë nga virusi më qesharak në historinë e njerëzimit”. Gjatë asaj kohe, autoritetet, përfshirë presidentin Aleksandar Vučić, publikisht u bënin thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të jetojnë normalisht.

    Më pas filluan të regjistruoheshin rastet e para me Covid, të përcjellura nga vdekjet e para dhe qeveria papritmas ndryshoi rrjedhën me masa drastike. Në mars u shpall gjendja e jashtëzakonshme dhe shkollat, universitetet dhe palestrat u mbyllën. Njerëzit që hynin në Serbi duhej të kalonin 14 ditë në karantinë. Të moshuarve pothuajse iu ndalua plotësisht të dilnin jashtë dhe Vučić kërkoi që të gjithë t’i respektojnë masat, duke thënë se “varrezat tona do të jenë shumë të vogla për të na akomoduar të gjithëve nëse vendosni t’i dëgjoni këshillat e të tjerëve. Ju lutem dëgjojeni shtetin tuaj”.

    Në fund të marsit të vitit 2020, përdoruesit e mts, njërit prej operatorëve më të mëdhenj telefonikë në Serbi, pranuan mesazhe shqetësuese nga institucionet shtetërore për situatën pandemike në vend. “Situata është dramatike. Jemi pranë skenarëve italianë dhe spanjollë. Ju lutemi qëndroni në shtëpi. Ekipi i Krizës të Sëmundjes Infektive COVID-19”, thuhej në mesazh.

    “Kishte aq shumë informacione në media”, tha Džamonja Ignjatović, “prej ‘virusi më i parëndësishëm’ deri te fakti se varrezat nuk do të mjaftojnë –– kështu, në këtë kaos njerëzit vështirë se mund ta përballojnë dhe kësisoj e humbin besimin se informacioni që e marrin është i besueshëm”.

    Në nëntor të vitit 2020, Ministrja e Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale, Darija Kisić Tepavčević, e cila ishte gjithashtu anëtare e Ekipit të Krizës për luftimin e Covid-it në Serbi, dërgoi një mesazh dekurajues: “Çdo familje duhet të jetë Ekipi vet i Krizës që e përcakton se çka është më e mira për anëtarët e saj dhe secili duhet t’i kontrollojë sjelljet e veta”, tha ajo.

    Bartja e përgjegjësisë shtetërore tek individi është faktor shtesë që i ka rënduar qytetarët, sipas Živković.

    “Në kushtet pandemike shumë role u përzien. Ishte posaçërisht e vështirë për të rinjtë që kishin fëmijë të vegjël, ku puna, punët e shtëpisë dhe kujdesi për fëmijët u ngatërruan. Nuk është e mundur, që njerëzit t’i menaxhojnë gjithë këto kërkesa në mënyrë efektive, me aq kohë sa kanë”, tha Džamonja Ignjatović.

    Situata nuk u përmirësua as pas fillimit të fushatës së vaksinimit. Megjithëse autoritetet mundësuan sigurimin e të gjitha llojeve të vaksinave, procesi i vaksinimit nuk u parapri nga një fushatë për t’u ofruar qytetarëve informacion të mjaftueshëm për gjithsecilën vaksinë veç e veç dhe efektet e mundshme anësore.

    QË NGA SHKURTI I KËTIJ VITI, MË PAK SE GJYSMA E POPULLSISË SË SERBISË ISHTE PLOTËSISHT E VAKSINUAR.

    “Vaksinimi është një proces që duhet të zbatohet dhe i njëjti zbatohet nga shteti me mjete dhe masa të caktuara”, tha Živković, e cila po ashtu theksoi se shtetet, në të cilat ka besim më  të madh në institucionet shtetërore dhe shëndetësore kanë me përqindjen më të lartë të personave të vaksinuar.

    Ndërkohë, më pak se gjysma e popullsisë së Serbisë është plotësisht e vaksinuar, totali është 46.7%, dhe pikat e vaksinimit në qendrat tregtare të Serbisë po mbyllen për shkak të interesimit të ulët.

    Živković nuk i shfajëson plotësisht individët, por thekson se për të ndërtuar besimin është e nevojshme që shteti të marrë përsipër një shkallë të madhe të përgjegjësisë. “Në këtë situatë, ne kemi individin që detyrohet t’i edukojë fëmijët, t’i mbrojë fëmijët e tij, të vendosë se çfarë vaksine do të marrin, me kë dhe si do të kontaktojnë… Pra, i takon individit të vlerësojë gjithçka dhe ta mbajë përgjegjësinë”, tha Živković, duke shtuar se ajo personalisht e ka ndjesinë se, gjatë dy viteve të fundit, duket sikur “dikush vazhdimisht po na bërtet dhe po na qorton se po sillemi si fëmijë të lazdruar dhe të pabindur. Gjëja kryesore është besimi. Ku është dhe pse është zhdukur?

    E drejta për informacion të vërtetë dhe të plotë është gjithashtu një temë që DPS-ja preku në deklaratë, duke thënë se “në një shoqëri ku dekurajohet mendimi kritik, arsimi zhvlerësohet, ku presioni ushtrohet me anë të frikësimit dhe inkurajohet konformizmi –– fitojnë apatia, dëshpërimi dhe anomalia”.

    “Sepse kur sheh se individë që janë pjesë e emisioneve serioze politike, të ftuar, të cilët përfaqësojnë institucionet që drejtojnë jetën tonë dhe vendimmarrës të tjerë përdorin fjalor që është i papërshtatshëm edhe për kafene e taverna, e lëre më në kuvendin e shtetit, atëherë kjo shërben për t’i modeluar sjelljet në jetën e përditshme”, tha Džamonja Ignjatović, duke shtuar se kjo ndihmon në krijimin e një klime tërësisht të polarizuar në shoqëri.

    Duke ia dalë mezi

    Živković krahason ndikimin e pandemisë tek individi me “sindromën e bretkosës së zier”, një term që përdoret për një situatë kur një person jeton në kushte që duhet të jenë të padurueshme dhe të papranueshme për të, por nuk e vëren sepse mbërrin aty gradualisht, duke u mësuar me çdo ndryshim veç e veç me kalimin e kohës.

    “Gjatë gjithë këtyre viteve kemi humbur shpresën se gjërat do të përmirësohen, se do të ecim në një drejtim pozitiv; çfarë ka rënë poshtë më së shumti sot janë besimi, marrëdhëniet ndërpersonale dhe shpresa”, tha Džamonja Ignjatović.

    “Vazhdimisht jetojmë nga dita në ditë, duke pritur për një të nesërme më të mirë, e cila na largohet gjithnjë. Vazhdon të notosh e të notosh, teksa bregu sa shkon e bëhet më i largët. Natyrisht, kjo është shumë e lodhshme”, tha ajo.

    “Nuk kemi më ndjeshmëri as për të tjerët e as për veten tonë”, tha Živković. “Ndasitë në shoqëri po thellohen gjithnjë e më shumë; nuk ka dialog dhe jemi gati t’i mbrojmë në mënyrë agresive qëndrimet tona, qoftë tema e debatit vaksinimi apo një reklamë e të brendshmeve. Kjo flet shumë për mungesën e ndjeshmërisë”, tha ajo, duke përfunduar se në këtë situatë, me zero mbështetje institucionale, zgjidhja e vetme është që njerëzit ta ndihmojnë njëri-tjetrin. “Ne duhet t’i zgjasim dorën personit që ka rënë dhe jo vetëm ta kalojmë pa bërë gjë. Kjo vërtetë na mungon me të vërtetë”. /Kosovo2.0/

    Lajmi Paraprak

    Trupat ushtarake të Maqedonisë së Veriut nuk do të shkojnë në Ukrainë

    Lajmi i rradhës

    Enti Shtetërorë për Statistika pa rezultat përfundimtar

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë