Iftari

    Xhamia e Re, fshati Strimnicë / Fotografia: Nistori

    Daut Dauti

    Ramazani sillte ndryshime rrënjësore në jetën e përditshme në shtëpitë tona. Ndryshonte orari i ngrënies dhe kualiteti i ushqimit. Në përgjithësi ramazani sillte një atmosferë elektrizuese në mesin tonë. Para fillimit të këtij muaji ne i zotoheshim njëri tjetrit, por edhe prindërve tanë, me qëllim që t’i impresiononim, duke u deklaruar publikisht se sa ditë do t’i agjëronim. Me gëzim të madh i hynim garës që nga dita e parë. Sikur në atletikë, agjërimi i ngjante garës së vrapimit rreth stadiumit të cilit duhej t’i silleshim 30 herë rreth e përqark. Sikur atletët e papërgatitur, dikush dorëzohej që në rrethin e parë, dikush në të dytin apo në të tretin dhe gati askush nuk i arrinte t’i kalonte 30 rrathët. Pasi që Ramazani në atë kohë vinte gjatë dimrit, ditët ishin të shkurtëra, dhe askush nuk kalonte pa agjëruar së paku tri ditë të Netëve të Mëdha.

    Gjatë këtij muaji, puna jonë e përditshme ka qenë pritja e iftarit. Dilnim në një vend nga ku dukej minarja e Xhamisë së Madhe të qytetit dhe pritnim ndezjen e kandilave që krijonin rrethin e sherifes në minare. Vendi i pritjes ka qenë një tumë rrëzë disa plepave që gjendeshin për skaj lumit. Tuma, që ishte krijuar nga dikush pasi kishte hedhur një sasi të dheut, që i kishte tepruar nga materiali ndërtimor, qëndronte në mes dy – tre plepave, aty ku do të duhej të ishte trotuari në vendet e urbanizuara. Por, urbanizimi i lagjes tonë erdhi më vonë se në lagjet tjera që formonin qendrën e qytetit.

    Në drejtim të minares , ku ne i mbanim sytë prore, kanë qenë dy ndërtesa, njëra njëkatëshe dhe e gjatë kurse tjetra trekatëshe. Sado që kjo trekatshja kishte shkuar lart, nuk ia mbulonte minares as gjysmën e trupit të hollë. Këto kanë qenë banesa të shtetit që dukeshin bukur dhe të ndërtuara sipas standardeve moderne. Në to banonin diku rreth 10 familje, që kishin punë shteti, nga të cilat dy apo tri kanë qenë shqiptare kurse tjerat serbe. Kjo ka qenë një lloj oaze dhe aty Ramazani nuk shkonte. Ramazani ishte për ne, shumicën e qytetit të gjysmë urbanizuar apo diku edhe të paurbanizuar.

    Kur muzgu ia zbehte pamjen minares, ne ndjenim se po afroheshin momentet e fundit dhe vëmendjen, së bashku me shikimin në drejtim të minares, e përqendronim në maksimum. Kur ndizeshin kandilat, të gjithë kërcenim nga vendi dhe lëshonim një bërtitmë të thekshme: Iftaaaaar. Kjo bërtitmë ishte si një krismë e hollë dhe shurdhuese, që dilte papritur nga gryka e ndonjë pushke. Duke bërtitur lëshoheshim pa kujdes nga degët e plepave dhe nga tuma e niseshim xhadesë teposhtë dhe hynim në sokakun ku i kishim shtëpitë. Nga dera e oborrit deri te ajo e shtëpisë vrapi shpejtohej së bashku me frymëmarrjen dhe të rrahurat e zemrës. Mezi ndaleshim në hajat, merrnim frymë dhe, edhe një here bërtitnim ‘iftaaaar’. Ndjeheshim të rëndësishëm dhe sikur që kërkonim shpërblim që në shtëpi e sollëm lejen për të ngrënë – iftarin.

    Lajmi Paraprak

    Komuna e Tetovës: nuk ka rritje të çmimit për shërbimet komunale, është ndryshuar metodologjia e përllogaritjes

    Lajmi i rradhës

    Çfarë e bashkoi Zejdin me Ahmetin?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë